...

Së pari lipset qartësu se çfarë nënkuptojmë me “politikë”. Kjo është një çështje që është trajtu qysh në lashtësi dhe pothuajse çdo periudhë ka patur qëndrimin përkatës, duke dhanë kështu shumë qasje e përkufizime për rrezen e “politikes”, domethanë për atë që përfshin politika. Kështu që, kjo meriton një hulumtim më vete, gja që nuk është qëllimi i këtij teksti.

Por, le ta nisim me një dallim: artisti mund ose duhet të jetë politik, por jo partiak. Kështu, mes politikes dhe partiakes qëndron një dallim i rëndësishëm, mbase edhe përcaktues për dy tipologji qëndrimesh të ndryshme.

Për ta thjeshtu edhe ma tepër, mund të themi se politikja përfshin çdo gja që ka të bajë me ecurinë apo drejtimin e një shteti, gja që prek drejtpërdrejtë edhe artistin dhe veprimtarinë e tij, sepse në ecurinë/drejtimin e një shteti ban pjesë edhe kultura, që përban shpirtin/frymën e një shoqërie. Pra, politikja ka të bajë me tërësinë, me perspektivën e vendit, kombit dhe shoqërisë. Sido që ta mendojmë ne, deshëm apo nuk deshëm, politika na prek e na përfshin të gjithëve. Ndërsa partiakja ka të bajë me ecurinë e një partie apo lëvizjeje. Domethanë, “partiakja” është e pjesshmja, kurse “politikja” është e tërësishmja. (Partpartiality = “pjesë”, “anshmëri”.)

Përpara se të jemi ata që kemi zgjedhë me qenë për sa i takon profesionit apo drejtimit që marrim në jetë, më së pari jemi njerëz, dhe për të qenë të tillë, apo për t’u përmbushë si të tillë, në një mënyrë apo në një tjetër na duhet me u marrë (por, pa ba marre) herë pas here edhe me “politiken”, në kuptimin e gjerë që u mundum me i dhanë ma sipër.

Kështu edhe rasti i artistit, meqë politika ndërhyn edhe te arti, dhe kjo ndërhyrje mund të jetë ose për mirë, ose për keq. Kjo ndërhyrje mund të jetë edhe e llojit “realizëm socialist” dhe e çdo lloj përdorimi që i bahet artistit dhe artistikes; por, mund të jetë edhe e llojit, për shembull, anglez apo gjerman, ku politika apo politikja në veprim nuk e përdor artistin, por e mbështet duke mos iu imponu se çfarë duhet të bajë e çfarë jo, sepse çdo përdorim është keqpërdorim në këtë rast. Secili në vendin e vet dhe në pavarësinë e vet, ama edhe duke bashkëpunu për të mirën e përbashkët.

Nuk e di se sa e vërtetë është, por thuhet se në kohën e Luftës së Dytë, kur po ndahej buxheti i shtetit, Churchill-i këmbënguli që Ministrisë së Kulturës t’i jepej një buxhet shumë ma i madh se Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që ishte kohë lufte! Kur e pyetën për këtë qëndrim të çuditshëm, ai tha: “Pse, për ça po e bajmë luftën ne përveçse për kulturën?”

Parullat e tipit “nuk ka ça të duhet ty politika” apo “mos e politizo”, që i drejtohen edhe artistëve, mund të ishin të vlefshme nëse do të ishin “nuk ka ça të duhet ty partia” dhe “mos e partiakizo”.Imagjino pak t’i thuash, fjala vjen, një francezi: “mos u merr me politikë!”- kur ai mban qëndrim kundër një padrejtësie të caktuar! Heshtja përballë një padrejtësie shënon (edhe) miratimin e saj. Siç thuhet me të drejtë, padrejtësia ndaj dikujt, kudo qoftë, është padrejtësi ndaj njeriut si të tillë, ndaj të gjithëve.

Me mbajtë qëndrim karshi një të keqeje, kuptohet pa ra në banalitet e fyerje, mbi të gjitha është pjesë kyç e të qenit i përgjegjshëm. Një vend do të jetë në rrugën e duhun për aq sa njerëzit që e përbajnë ndiejnë dhimbje e shpresë për fatin e tij.

Edison Çeraj

Foto 1: Annette Lemieux’s Left Right Left Right (1995), turned upside down at the Whitney Museum after the election. Courtesy of the artist and the Whitney Museum of American Art, New York
Foto 2: Joseph Beuys, Infiltration-homogen für Cello [Homogenous Infiltration for Cello], 1966–85, cello, felt, fabric. Installed in vitrine: 154.5 x 183 x 64 cm.