Back to Reviews
Reviews
23rd January 2018

Bashkëbisedim / Lala Meredith-Vula / “Arti bashkëkohor dhe trashëgimia fotografike” / Muzeu Marubi, Shkodër / 20 Janar 2018

Është e pamohueshme pesha e fotografisë si gjini në fushën artistike. Kjo jo vetëm për anën estetike të saj, por edhe të vërtetimit në kohë të ngjarjeve e dukurive, duke përcjellë kështu te pasardhësit rëndësinë e hapave, të çdo fushe njerëzore, hedhur kohë pas kohe. Fotografia nuk është vetëm art, nuk përcjell vetëm kulturë. Fotografia është histori. Pikërisht për këtë arsye arti bashkëkohor kërkon herë pas here ndihmën e fotografisë së arkivuar, për të përçuar përmes saj lidhjen mes kohëve dhe brezave, problematikave përkatëse po ashtu.

Më së tepërmi te kjo çështje, pra, vendit që zë fotografia në marrëdhënie me trashëgiminë kulturore dhe artin, u përqendrua bashkëbisedimi i zhvilluar në muzeun “Marubi” në bashkëveprim me “De Montfort University Leicester”, më 20. 01. 2018, në kuadër të përmbylljes së ekspozitës “Urtësi sot e mot” të artistes Lala Meredith-Vula, hulumtuese në art dhe fotografi, eksperte e fotografisë pranë universitetit të sipërpërmendur (DMU) dhe të kuruar nga Monika Szewczyk.

Kjo ekspozitë bashkon dy veprat e artistes Lala Meredith-Vula titulluar: “Blood Memory”, shfaqur për herë të parë në Athinë dhe “Haystacks” 1989-2017, shfaqur më parë në Kassel.

Vetë artistja e cilëson nder të madh ekspozimin në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, duke shtuar: “Muzeu ka një koleksion të jashtëzakonshëm me 500 294 fotografi që datojnë prej vitit 1858, vit kur u regjistruan pamjet e para në Shqipëri. Kështu që ekspozimi i punës sime në këtë kontekst është i mrekullueshëm”.

Duhet pranuar se muzeu “Marubi” bën pikërisht këtë: ngërthen në vetvete krijime nga fotografë, artistë, kuratorë, duke u shndërruar kështu në një hallkë të rëndësishme në shërbim të riparaqitjes së historisë përmes asaj nevoje që e thërret koha: dixhitalizimit të krijimit artistik arkivor – për një mbijetesë më të gjatë dhe më cilësore të artit, duke shmangur kështu zhdukjen e krijimit apo qoftë edhe dëmtimin e tij në kohë – por edhe të nxitjes së qarkullimit të pamjeve të pavëna në shërbim të shikuesit të përgjithshëm, duke mundësuar kështu jo vetëm njohjen, por mbi të gjitha, edukimin përmes njohjes së historisë nëpërmjet gjinisë së fotografisë.

Parë nga larg dhe në mënyrë artistike, me ndihmën e fotografisë, e kaluara analizohet më qartë dhe më thellë si në drejtimin politiko-social, si në atë estetik. Përmbi gjithçka tjetër, vlera madhore qëndron në rishikimin paanësor dhe joemotiv të së sotmes.

Kjo ngjarje artistike në Shqipëri u mbështet nga Fakulteti i Artit, Dizajnit dhe Humanizmit të DMU-së dhe u drejtua nga hulumtuesit e DMU-së, përfshirë artisten Lala, Kelley Wilder, drejtoreshë e Qendrës Kërkimore të Historisë Fotografike të universitetit dhe Jenifer Chao, ligjëruese pranë Leicester Media School (DMU).

Kelley Wilder u shpreh: “Ne jemi mirënjohës ndaj Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi që ka pritur një ‘workshop’ të tillë emocionues, i cili premton një fillim energjik për bashkëpunime të reja në të ardhmen. Është edhe më i veçantë fakti që e mbajmë këtë ‘Workshop’ në prani të punës së shkëlqyer të Lalës”.

***

Lala Meredith-Vula ka lindur në Sarajevë, nga një baba shqiptar dhe një nënë britanike. Ajo u vendos në Britani në vitet 1970.  Ka studiuar arte të bukura në kolegjin “Goldsmiths”, “Universiteti i Londrës” (1985/88) dhe është diplomuar me MA (Master të Arteve) në “Universitetin e Prishtinës”, Kosovë (1988/90).           

Shfaqja e saj e parë lidhet me ekspozitën e mirënjohur “Freeze” të Damien Hirst-it, në Londër (1988).  Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në bienalen e 48-të të Venecias në vitin 1999 dhe ka ekspozuar në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar me shumë ekspozita personale, duke përmendur ato në Londër, Gjermani, Itali dhe në Shqipëri gjithashtu. Lala Meredith-Vula ka qenë pjesëmarrëse edhe në shumë ekspozita në grup në Britaninë e Madhe, SHBA, Kinë, si dhe në Europën Kontinentale.

Të dhënat e mësipërme bazohen në dy burime:

(http://www.dmu.ac.uk/about-dmu/news/2018/january/international-artists-gather-at-exhibition-of-dmu-photo-academics-artworks.aspx).

search cross