Eugenio Tibaldi | “30YEARSOLD”
Instituti Italian i Kulturës, Universiteti i Arteve në Tiranë, Harabel Contemporaryl
08th October 2018
Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë për pjesëmarrje në workshopin e artistit italian Eugenio Tibaldi (Euxhenio Tibaldi), i cili mundësohet prej Institutit Italian të Kulturës në bashkëpunim me Universitetin e Arteve në Tiranë, si dhe Platformën Harabel. Workshopi zhvillohet në Tiranë, në datat 8-10 tetor 2018 dhe do të përmbyllet me një ekspozitë në galerinë FAB në mars 2019.
Datat (8-10 tetor) përkojnë me Ditën e Artit Bashkëkohor në Itali dhe workshopi ka si synim udhëheqjen e një grupi artistësh të rinj në të gjithë hapat e mundshëm që prej nisjes deri në përmbyllje të një ekspozite.
Eugenio Tibaldi: “Kujtimet e mia veprojnë më tepër përmes pamjeve sesa përmes datave. Pamja që më ka dhënë ndjenjën e ndryshimit në vendet e Ballkanit pas vitit 1989 ka qenë pa dyshim zbarkimi i anijes “Vlora” në Bari në vitin 1991. Tridhjetë vjet përbëjnë kohë të mjaftueshme për pasqyrimet e para mbi ngjarjet e shfaqura dhe të zhvilluara nën rendin e ri politik dhe shoqëror e Tirana përfaqëson një termometër të mundshëm mbi të cilin mund të arsyetohet.
Përmes një gjendjeje rrethanore, do të ecim nëpër hapësira të caktuara të qytetit në kërkim të hollësive, të gjurmëve estetike që janë në gjendje ta tregojnë këtë ndryshim dhe zhvillimin e tij në kohë. Do të mbledhim pamje, të dhëna dhe arsyetime që do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë çastin që ne jetojmë. E gjithë kjo do të zhvillohet në qendër të qytetit, duke analizuar estetikën institucionale, si dhe mënyrën e saj të lidhjes dhe paraqitjes me botën e jashtme, por edhe nëpërmjet hapësirave dytësore (të margjinalizuara), pikërisht sepse janë pak të mbrojtura dhe pak të dashura, të përzgjedhura për ndryshime kulturore, të lira nga ndjenja e qytetarisë dhe ruajtjes.
Së fundmi, do të krahasojmë ngjarjet e hasura dhe gjetjet estetike, me qëllim ndarjen dhe rritjen e të dhënave që do të përdoren më vete nga secili prej nesh për ndërtimin e punës vetjake.”
* Eugenio Tibaldi ka lindur në Alba CN (Itali) më 1977. Ka ndjekur: CSAV, fondacionin “Antonio Ratti”, Como, Domus Academy ad Istanbul dhe ka qenë “Affiliate Fellow” pranë “American Academy” në Romë. Ndër ekspozitat e tij përmenden: “Fondazione Sandretto Re Rebaudengo”, Torino (2007); “Manifesta 7”, Bolzano (2008); “International Centre of Contemporary Art”, Bucarest (Bukuresht) (2009); “Museo Madre”, Napoli (2010); “Thessaloníki Biennale of Contemporary Art” (2013); “XII Biennale de L’Avana” (2015); “Museo Ettore Fico”, Torino (2016); “Sala TAC/La Caja”, Caracas (Karakas) (2017); “Museum MCDA Manila” (2017); “IIC” New York (Nju-Jork) (2017).
Janë të ftuar të marrin pjesë kryesisht artistë pamorë, por edhe një muzikant, një filozof, si dhe një performues i teatrit të trupit. Numri më i lartë i pjesëmarrësve paramendohet të jetë 10; Parapëlqehen artistë të lindur rreth viteve ’90 (vitet 1988-1993).
Për të marrë pjesë në workshop, dërgoni në e-mail-in: joy@harabel.com.al brenda datës 25 shtator 2018 një bio të shkurtër dhe një letër motivuese deri në 500 fjalë.
Afati i aplikimit: 25 shtator. Ju do të njoftoheni deri më 30 shtator.
Ju falënderojmë dhe ju urojmë suksese!