Stefano Romano | Pranayama
Harabel Contemporary
Tirana
20th November 2018
20 nëntor 2018 – prezantimi i workshop-it për pjesëmarrësit.
21, 22 nëntor 2018 – zhvillimi i workshop-it me pjesëmarrësit.
Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel do të zhvillojë workshop-in e drejtuar nga artisti Stefano Romano në muajin nëntor në datat 20, 21, 22. Pranayama është një fjalë në gjuhën sanskrite që përkthehet si “zgjatje e frymës” (frymëmarrje apo forcë jete) ose “kontroll i frymëmarrjes”. Duke filluar nga pasqyrimi i frymës si një veprim i kontrolluar, workshop-i do të zhvillohet rreth kuptimit të “ndalesës së përkohshme (ndërprerjes, suspansës)”. Workshop-i do të jetë një çast kuptimi mbi mënyrën e ndërveprimit me hapësirën publike dhe çështjet e saj shqetësuese, mbi atë se çfarë do të thotë të punosh jashtë mjedisit të mbrojtur të hapësirave të artit. Ne do të kryejmë një sërë veprimtarish në hapësirën publike, të cilat do të pasqyrojnë nevojën për të ndaluar dhe larguar vetveten, për të parë me sy tjetër realitetin në të cilin ne zhytemi pa vetëdije çdo ditë.
Ditën e parë të workshop-it ne do të flasim për kategoritë e hapësirës, kohës dhe etikës, të cilat ne i matim çdo herë që punojmë në hapësirën publike; pastaj, pas të menduarit mbi kuptimin e ndalesës së përkohshme nëpërmjet kontrollit të frymëmarrjes, do të dalim në rrugët e Tiranës dhe do të punojmë fizikisht në hapësirën publike. Në fund të ditës ne do të mendojmë për atë që ndodhi gjatë veprimtarisë në qytet.
Dita e dytë e workshop-it do t’u kushtohet tërësisht veprimeve në hapësirën publike dhe në fund të ditës ne do të mendojmë mbi veprimet e kryera.
Dita e tretë e workshop-it do të ndahet në dy pjesë: në përfundimet e nxjerra mbi veprimet në hapësirën publike dhe në përfundimet mbi përvojën.
Workshop-i synon studentët dhe artistët e rinj që duan të eksperimentojnë me vepra performuese në hapësirën publike, si dhe të mendojnë mbi tema si: trupi, marrëdhënia, koha, përkohshmëria. Qëllimi është që të kuptohet më mirë se si duhet të punohet në hapësirën publike dhe cilat janë çështjet që duhet të trajtohen në një projekt ose veprim performues të artit publik.
* Stefano Romano (Itali, 1975) jeton dhe punon midis Shqipërisë dhe Italisë. Ai punon në fushën e veprimeve të përkohshme, performancave, instalacioneve, videove dhe fotografive; kryen veprime kalimtare, diasporike, të krijuara sipas një strukture të ngurtë gramatikore, të aftë për të prodhuar gjithmonë gjendje të papritura, duke e bërë artistin spektatorin e parë të vetes.
Puna e tij është shfaqur në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare si: Collezione Giuseppe Iannaccone (Milano, Itali); Autostrada Biennale (International Contemporary Art Biennial, Prizren, Kosovë); BACO arte contemporanea (Bergamo, Itali); Artopia Gallery (Milano, Itali); Careof (Milano, Itali); Placentia Arte (Piaçenca (Piacenza), Itali); GAMeC area Palestra, (Bergamo, Itali); Galleria Alice&altri lavori in corso (Romë, Itali); Macro Future (Romë, Itali); GC.AC (Monfalkone, Goricia (Monfalcone, Gorizia), Itali); Neon campo base (Bolonjë (Bologna), Itali); Triennale (Milano, Itali); Chelsea Art Museum (Nju-Jork, SHBA (New York, USA)); Tirana Bienale3 (Tiranë, Shqipëri); The Yugoslav Biennial of Young Artist, Centre for Contemporary Arts (Vrsac/Beograd, Serbi dhe Mali i Zi).
Ju lutemi, konfirmoni pjesëmarrjen tuaj në workshop brenda datës 13 nëntor 2018 në e-mailin: joy@harabel.com.al