Me datë 19 Tetor, 2021, Galeria Zeta ekspozoi në ambientet e saj veprën Turbomondi (Melodia) të artistit italian, Andrea Martinucci. Kjo vepër u prezantua për publikun shqiptar si projekti fitues i Cantica21, dhe erdhi në Tiranë falë bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës.

...

“Asnjë qenie nuk mbetet kurrë e njëjtë me veten, por shpërbëhet dhe ribashkohet, sipas forcave superiore. Çfarë jam? Çfarë kam qenë? Çfarë do të bëhem? Turbomondi na fton të rishqyrtojmë idetë që kemi për atë se çfarë do të thotë të ekzistosh; Çfarë është Toka?; Çfarë është shoqëria?”. Turbomondi (Melodia) duke u zhvilluar si proces kërkimor, vazhdimisht ngre pyetje për fuqinë komunikuese të fjalës, për bindjen e saj dhe mekanizmat në ndikim të shoqërisë. Çdo personazh, skenë dhe situatë në këtë video përfshihet nga pavetëdija, e cila lejon vëzhguesit të nxjerrin nga thellësia e imagjinatës së tyre situata të reja që përcaktojnë strukturën aktuale të realitetit. Në këtë vepër imagjinohen botët e pezulluara në të cilat shfaqen disa krijesa në formë objektesh që janë në kërkim të vazhdueshëm për integritetin e tyre, duke bërë kështu që asnjë qenie të mos mbetet kurrë e njëjtë me veten, por të prishet dhe bashkohet sërish, sipas forcave superiore.

Përtej kësaj Turbomondi (Melodia) është një film me metrazh të shkurtër i cili zhvillohet si proces që kalon në disa faza që prej ndërtimit të tij. Artisti ndërton çdo plan të videos si të ishte një pikturë: fillimisht duke i vizatuar objektet, ndërtuar skenat e xhirimit dhe më pas krijon duke u mbështetur lirshëm në gjuhën e kinemasë dhe reklamave. Në vijim përqendrohet në kërkimin e imazheve statike dhe atyre në lëvizje, ku janë të pranishme objekte të cilat dalin jashtë kontekstit të tyre funksional, duke bërë kështu të ngrihen dilema të ndryshme. Imazhet në video janë gjithashtu të bashkëshoqëruara me një tekst për të krijuar një urë komunikimi ndërmjet veprës dhe vëzhguesit. Një tjetër element përbërës është tingulli, i cili bëhet përfshirës duke iu përafruar kështu idesë konceptuale të artistit.

Turbomondi (Melodia) është projekti fitues i Cantica21, Italian Contemporary Art Everywhere, i promovuar nga MAECI-DGSP dhe MiC-DGCC që mbështet artin bashkëkohor italian, duke mbështetur prodhimin e veprave dhe duke i ekspozuar ato në Institutet Italiane të Kulturës, në Ambasada dhe Konsullata. Me këtë rast, Turbomondi (Melodia) hyri në koleksionin publik të Institutit Qendror për Grafikë në Romë, i shoqëruar me një tekst kuratorial nga Damiano Gullì.

Andrea Martinucci, ka lindur më 1991 në Romë, Itali. Ai është artist pamor që në rrugëtimin e tij ndërthur median dhe mediume të ndryshme si piktura, video art dhe shkrimin. Martinucci, edhe pse i lidhur fort me pikturën ka studiuar për Dizajn Multimedial në Akademinë e Arteve dhe Teknologjive të Reja në Romë. Ndër ekspozitat e tij personale ia vlen të përmenden: I will give you a taste of your inner desires, Milano; Will aliens believe in me?, Milano; Glory Black Hole, Milano; The Court, Pescara. Ndër ekspozitat kolektive të kohëve të fundit: Canny Family, VUNU Gallery, Kosice; XX Premio Cairo, Palazzo Reale, Milano; Everytime you switch me off, we die, a little, Foothold, Bari; Forever never comes, Museo dell’Arte e Archeologico della Maremma, Grosseto; Moneypulation, ArtBasel, Basilea; Endless Backup, FuturDome, Milano; Vis-à- Vis, Institut Français, Milano; Cartabianca, Museo Villa Croce, Genova; Quadratonomade, Palazzo delle Esposizioni, Roma; È così difficile dimenticare il dolore, Mattatoio (ex Macro Testaccio), Roma.