Falë bashkëpunimit me Platformën Harabel, festivali mjaft i njohur tashmë, DokuFest, përzgjodhi disa filma nga programi (2020), për t’ia paraqitur publikut mbrëmjen e 4 gushtit 2020, në mjedisin “Reja”, në Tiranë. DokuFest-i është një festival filmik i cili zhvillohet në qytetin e Prizrenit, por në dallim nga vitet e mëparshme, këtë vit – për arsye objektive – u përcoll përmes platformës “online” (https://online.dokufest.com/). Pa ndryshim nga dy vitet e fundit, edhe këtë vit të tretë DokuFest-i zgjodhi që prologun e veprimtarisë së vet ta zhvillonte në Tiranë.

...

Filmat e paracaktuar i përkisnin metrazhit të shkurtër; ata vinin nga autorë të kombësive të ndryshme; shtjellonin tema të larmishme, nën një frymë bashkëkohore. Përkatësisht titujt: “3 Logical exists”/“3 dalje logjike”, Mahdi Fleifel, (Denmark, United Kingdom, Lebanon, 2020); “Black sun”/“Diell i zi”, Arda Çiltepe (Turkey, Germany, 2019); “Salloni”/“Salon”, Zgjim Terziqi, (Kosovë, 2019); “Sun dog”/“Qeni i diellit”, Dorian Jespers, (Belgjikë, 2020).

– “3 dalje logjike” është në vetvete një meditim sociologjik mbi “(rrugë)daljet” e ndryshme që zgjedhin të rinjtë palestinezë, për të përballuar jetën në kampet e refugjatëve. Regjisori vetë është dëshmitar i çasteve kur mijëra palestinezë dalin në rrugë për të kundërshtuar masat shtypëse të qeverisë libaneze. Dokumentari i tij është një përpjekje për t’u ardhur në ndihmë këtyre të rinjve, mbijetesa e të cilëve në një gjendje mbushur me rrugë pa krye është tejet e vështirë; gjithashtu, ajo çka pasqyrohet është e rëndësishme për kujtesën e përbashkët.

– “Diell i zi”; Një stuhi afrohet gjatë një udhëtimi të papritur drejt një ishulli të largët për një funeral. Ndërsa i ndjeri është varrosur me nxitim, një burrë shmanget drejt Turqisë së Egjeut: një zhytje në det, një ëndërr në një hotel qyteti, një gjumë i lehtë në një hamam dhe një vizitë te bërësi i arkëmorteve. Pas mbërritjes në shtëpi, hahet çka mbetur teksa fillon vajtimi. Dhe në përmbyllje, varrimi eklipsohet nga një dëshirë e fundme.

– “Salloni”; Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur një ditë më parë. Një ditë më pas kjo ngjarje sillet e përsillet përmes fjalëve të grave të pranishme në flokëtarinë ku, për ironi, po zbukurohet një nuse e re. Cila është ngjarja: një grua ka vrarë burrin e saj, teksa nusja e ardhshme në flokëtarì është ngutur të martohet. Me një natyrshmëri të skajshme dhe në një kohë tejet të kufizuar, filmi ngre shumë pikëpyetje mbi çështje të ndjeshme shoqërore, por shpeshherë të padukshme.

– “Qeni i diellit” vjen me një stil krejtësisht unik. Fedori është një bravandreqës i ri në Murmansk, një qytet i ngrirë në errësirën e Arktikut rus. Ai endet nga një klient te tjetri përmes rrugicash i prirë nga një fantazi që e kufizon atë nga qyteti dhe banorët e tij. Ëndrrat e largojnë nga realiteti, duke i hapur dyert e një universi fantazmagorik: një diell i dytë lind mbi horizontin e Arktikut rus.

Dokufest-i, si përherë, sjell një frymëmarrje ndryshe në Tiranë për sa i përket cilësisë kinematografike të asaj çka përzgjedh për shikuesit, paraqitur më së miri kjo në mjedisin veror pritës (“Reja”).