Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel dhe DokuFest bashkëpunuan për të sjellë mbrëmjen e 26 korrikut 2019 katër projektime filmike në mjedisin “Tirana Open Air”. Përkatësisht, filmat e përzgjedhur për publikun e Tiranës ishin: “Crannog” (Isa Rao, Mbretëri e Bashkuar, 2018); “Skin” (Guy Nattiv, SHBA, 2018); “Story” (Jola Bańkowska, Poloni, 2019); “Last year when the train passed by” (Pang-Chuan HUANG, Francë/Tajvan, 2018).

...

Filmi “Crannog” është një soditje mbi jetën dhe vdekjen, por mbi të gjitha një soditje mbi mirësinë, e cila duhet ta shoqërojë qenien njerëzore përgjatë rrugëtimit jetësor nga njëri skaj në tjetrin. Në qendër të filmit qëndron Aleksis, një grua e re, e cila e kalon kohën në Skocinë Veriore, duke u kujdesur për 48 kafshë të rrezikuara e të sëmura e duke qëndruar me to derisa ato vdesin, duke iu vënë theksi mendimit se askush nuk duhet të vdesë vetëm.

Ideja e përplasjes midis racave mbartet në thelb të filmit “Skin”. Ai pasqyron përçmimin, urrejtjen dhe dhunën që buron prej epërsisë së vetëndjerë të një ndarjeje të caktuar njerëzore. Do të mjaftojë një çast i vetëm keqkuptimi në film, për të nxjerrë në pah se lëkura (në varësi të racës) përbëka ende shkak për egërsim brenda qenies njerëzore. E gjithë kjo do të çojë në një përballje të pamëshirshme midis dy kategorive, për të shkuar drejt një përfundimi tronditës.

Pasqyrimi i njeriut bashkëkohor në epokën e teknologjisë gjithëpërfshirëse bëhet i mundur nga filmi “Story”; pasqyrimi i njeriut të vetmuar, të humbur, tashmë shpërfillës ndaj realitetit që e rrethon, rëndom të zhytur në shumë platforma mediash shoqërore. Veprimi zhvillohet gjatë një dite dhe përmban skena ironike të shkurtra, ku bota virtuale eklipson atë reale.

Së fundmi, filmi “Last year when the train passed by”. Një foto e shkrepur nga treni një vit më parë. Në të njëjtin vend, një vit më vonë, u bëhen pyetje atyre që u shfaqën në të. Përgjatë një viti gjërat kanë ndryshuar, por koha, në një çast të caktuar të saj, u kap në film dhe kujtimet u vulosën në të. Në njëfarë mënyre, filmi dëshmon se si disa çaste mund të vdesin e disa të tjera jo, pikërisht falë aftësisë së kujtesës dhe mundësive teknologjike.

DokuFest është një ngjarje gjithëpërfshirëse për çdo grupmoshë dhe në ardhjen e 18-të të tij ai mbart 280 filma, të cilët do të shfaqen në kinematë e hapura në Prizren.