Platforma Harabel fton në Tiranë themeluesit dhe drejtuesit e festivalit të filmit në Prishtinë, PriFest, një ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në Kosovë, për të paraqitur në mbrëmjen e 26 korrikut 2018 në mjedisin Reja filmat fitues të 2 prej programeve të këtij festivali: “Dielli” dhe “Éclair”.

...

PriFest-i, përpos programeve tradicionale filmike përgjatë viteve, ka sjellë risi në dhjetëvjetorin e vet dy programe të reja, ndër të cilat përmendet programi garues i filmave studentorë. Pjesë e këtij programi është projekti studentor filmik 12-minutësh emërtuar “Dielli” (Kosovë/Itali) me regji nga Mjellma Istrefi, film i cili u përzgjodh fitues brenda kësaj ndarjeje të festivalit.

Në qendër vendoset marrëdhënia mes udhëheqësit (mësimdhënësit – Shkumbin Istrefi) dhe ndjekësve (nxënësve). Kjo marrëdhënie zhvendoset nga mjedisi i brendshëm në atë të jashtëm, nga teoria te praktika, nga e përgjithshme te konkretja. Pikërisht gjatë këtyre shndërrimeve vjen befasia dhe zhgënjimi.

Në thelb të gjithçkaje qëndron drita si një domosdoshmëri ardhmërie dhe mungesa e saj – pasojë e treguesve të caktuar të cilët frymohen prej vetë njeriut. Njeriu kërkon përparimin dhe po njeriu përpiqet ta ndalë atë. Qëllimet e larta dhe largpamësia luftojnë përherazi me qëndrimet e ulëta dhe të ngushta.

Shenjëzimet kyçe nëpërmjet diellit (djegës), qytetit (të mbijetuar), reve (mbrojtëse) nga ana e mësimdhënësit hasin në kundërshtinë e botëkuptimit të nxënëses kureshtare (Trina Ukmata) e cila sheh te dielli më shumë se djegien ndriçimin, sheh te retë jo mbrojtjen, por rrebeshin e ardhshëm.

A mund ta ketë të lehtë mbijetesën qenia njerëzore brenda një shoqërie ku udhëheqësi i vërtetë nuk është lindur ende, ku e keqja përpiqet ta luftojë të vërtetën? Regjisorja e re Mjellma Istrefi parapëlqen ta lërë në këtë përfundim të hapur filmin.

Programi i filmave të metrazhit të mesëm është një tjetër nënndarje e festivalit, e cila, sipas njërit prej themeluesve dhe drejtuesve të PriFest-it, Fatos Berishës, përfshin filma të një prodhimi të veçantë të cilët nuk gjejnë shumë hapësirë në të tjera festivale. Një ndër ta është filmi 30-minutësh emërtuar “Éclair” nga regjisori Marko Gjokovik (Maqedoni, 2016), i cili mori edhe çmimin e parë në këtë kategori.

Marrëdhënie midis brezash dhe shtresash në kohën kur disa shtete ballkanike ishin pjesë e së ashtuquajturës Jugosllavi pasqyrohen në këtë film. Një vizitë e rëndësishme e personalitetit më të lartë politik është ajo që vë në lëvizje gjithçka në film. Edhe më e rëndësishme është mosardhja e tij. Përgjatë gjithë kohës filmike ndihen përgatitjet në vilën mikpritëse.

E gjithë përgatitja mikpritëse është një shfaqje e çuditshme dhe e papranueshme jo vetëm për shikuesin, por edhe për personazhet fëminore në film. Është pikërisht kjo grupmoshë e cila dërrmon simbolikisht me aktin e fundit në film autoritetin shtypës të një klase ndaj një tjetre.

Grimca të caktuara shfaqin kundërshtime ndaj pushtetit në fjalë mëhershëm, porse ato nuk janë vendimtare. Kjo është arsyeja se pse filmi fton në analiza psiko-sociale: se pse brezi i ri, ai i cili ka përjetuar më pak shtypjen dhe ndoshta ka lindur nën peshën e saj, është ai i cili e kundërshton më fort nënshtrimin.

Në hapje të veprimtarisë është Vjosa Berisha, themeluese dhe drejtuese e PriFest-it ajo e cila paraqet filmat për të pranishmit. Në përmbyllje të tij themeluesi dhe drejtuesi tjetër, Fatos Berisha, u përqendrua më së shumti në vështirësitë dhe arritjet e deritanishme të PriFest-it.