Platforma Harabel fton DokuFest-in më 13 korrik 2018 në mjedisin “Tulla Nouvelle” në Tiranë në një mbrëmje kushtuar kinemasë dhe rolit të saj në formimin shoqëror. Veprimtaria nis me paraqitjen e tre filmave me metrazh të shkurtër nga seksioni DokuLab: “I kujt është flamuri?”, “Decommunism” dhe “Giulia”.

...

Filmi i regjisorit Barış Karamuço “I kujt është flamuri?” zë fill nga përvjetori i katërt i formimit të Kosovës si shtet i pavarur në Europë, por mbart në qendër çështjen e pranimit dhe mospranimit të shenjës kryesore identitare kombëtare, flamurit, nga individë të cilët u përkasin bashkësive të ndryshme etnike, shtresave të ndryshme shoqërore, profesioneve dhe moshave të ndryshme po ashtu.

Kundërshtia lidhet me pranëvënien e dy flamujve: atij kombëtar dhe atij zyrtar, krijuar prej rrethanave kushtëzuese politike.

Teksa popullsia shqiptare në Kosovë nuk mund të cilësohet assesi pakicë kombëtare, porse popullsi autoktone, zërat në dokumentar kundërshtojnë idenë e përfaqësimit në mënyrë të barabartë me të në flamur edhe të bashkësive të tjera etnike. Këtij arsyetimi i bashkëngjitet edhe lidhja shpirtërore dhe historike që ka populli shqiptar në Kosovë me flamurin kuqezi.

Filmi emërtuar “Decommunism” nga Enxhi Noni është një ndërthurje planesh dhe copëzash dokumentative arkivore (AQFSH) me plane dhe intervista të jetës së përditshme sot. Spikat në film ndryshimi në veshje, mendësi dhe qëndrim nga njëra kohë në tjetrën, por po aq është parë me rëndësi të përfshihet në film edhe zëri i thirrjes për të mos harruar, me qëllim mosrënien në përsëritje fatale historike.

Filmi “Giulia” nga Rigers Shimaj trajton botën e një vajze 18-vjeçare, e cila jeton betejën e përditshme që lind nga paragjykimet gjinore në familjen/shoqërinë ku ajo jeton në përplasje me dëshirën e saj për liri, dëshirë kjo e cila ka marrë formën e rendjes në relieve jo të lehta gjeografike me dyrrotaken e saj. Xhulia është pjesë e një shoqërie rinore, të guximshme, të lidhur me natyrën dhe sportin në natyrë.

Në përfundim të filmave vijon bashkëbisedimi midis Eroll Bilibanit, drejtor ekzekutiv në DokuFest dhe të pranishmëve, bashkëbisedim i cili më së shumti vërtitet rreth treguesve të pamohueshëm të suksesit të DokuFest-it, vlerës që ky festival ka në zhvillimin e qytetit të Prizrenit, por edhe në ndikimin ndaj shtresave shoqërore, për më tepër në brezin e ri brenda institucioneve arsimore.

DokuFest është një institucion kulturor tashmë i mirënjohur në Ballkan, i cili mes të tjerash ka si qëllim nxitjen e krijimtarisë tek artistët e rinj dhe krijimin e forumeve të pavarura për diskutim, forume ku shkëmbehen ide dhe nxiten debate gjithëpërfshirëse publike mbi rëndësinë e edukimit dhe përfshirjes shoqërore të të gjitha komuniteteve përmes artit kinematografik.