Marina Fokidis, kuratore dhe shkrimtare, zgjodhi të jetë në mjedisin e Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel, më 6 mars 2020, për një bashkëbisedim me të ftuar të fushës së artit pamor: artistë, kuratorë, studiues e studentë arti, ndjekës të artit po ashtu, etj. Bashkëbisedimi pati për tematikë qendrore çështjen e kurimit dhe “kleçkat” e tij. Gjithashtu, e ftuara u përqendrua edhe te veprimtaria e saj në revistën “South as a State of Mind”, si dhe te përfshirja në veprimtarinë “Dokumenta 14”.

...

Marina Fokidis është e bindur se epiqendra artistike në botë, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundmë, ka shpërthyer në një sërë bashkësish artistike përhapur gjithandej; për rrjedhojë, gjallëria kulturore nuk u përket më vetëm hapësirave të veçanta, por është shndërruar edhe në “pronë” të rrethinave, duke zgjeruar kështu hartën gjeografike të artit bashkëkohor.

Çështjet kryesore që Marina ngriti gjatë bashkëbisedimit kanë lidhje me përpjekjen për të gjetur mënyra nga më të ndryshmet për çqendërzimin e sistemit (qendër/rrethina), si përgjigje ndaj asaj që kërkon vetë koha: një shembull tjetër të përhapjes së artit dhe ndërmjetësimit kulturor; kërkimin e formave të reja të solidaritetit njerëzor dhe ndërlidhjeve përtej marrëdhënies hegjemonike të “mesit” dhe “kufirit”. Midis të tjerash, ajo u ndal te termat “hapësirë” dhe “kohë” të një ekspozite, një bienaleje, një ngjarjeje të madhe artistike ose të ndonjë lloj përpjekjeje kuratoriale, duke vënë theksin te roli i artit bashkëkohor në formësimin e një hapësire demokratike publike. Por, cili është nocioni i “hapësirës publike” brenda kuptimit të një ekspozite? A mund të jetë ky një vend midis vendeve, në një kohë ndërmjet kohërave, pyet Marina.

Marina Fokidis, me një përvojë të gjatë e të larmishme në pozicione: organizative, drejtuese, kuruese, ligjëruese rreth shumëçkaje që ka të bëjë me veprimtaritë e artit pamor bashkëkohor, me një pjesëmarrje të gjerë në konferenca e diskutime artistike, me një përvojë të pasur edhe në shkrimin e eseve, u përpoq, nga pozita e njeriut që e njeh mirë fushën për të cilën flet, ta tërhiqte vëmendjen e bashkëbiseduesve jo vetëm te rëndësia e formimit të ideve kuratoriale, por edhe te domosdoshmëria e ndryshimit të përhershëm të natyrës së ekspozitave të artit bashkëkohor; e gjithë kjo brenda shndërrimit të shpejtë shoqëror-ekonomik, politik, mjedisor dhe teknologjik të kohës sonë.

Marina Fokidis është kuratore dhe shkrimtare me qëndrim në Athinë (Greqi). Ajo është themeluese dhe drejtuese artistike e platformës eksperimentale Kunsthalle Athena. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, ajo ka qenë drejtoreshë e organizatës jofitimprurëse kushtuar përhapjes së artit pamor bashkëkohor në Greqi dhe në nivel ndërkombëtar, Oxymoron. Ajo ka qenë komisionere dhe kuratore e pavijonit grek në Bienalen e 51-të të Venecias (2003), si dhe një ndër kuratoret e Bienales së parë të Tiranës (2001). Ka kuruar një sërë ekspozitash, si për shembull: “Historia e saj (e tij)”, një ekspozitë e videove kryesore të dhjetëvjeçarëve të fundit, që u është bashkuar koleksioneve të përhershme historike, në Muzeun e Artit Cycladic, në Athinë (2007); “Anathena”, një ekspozitë e mbajtur në fondacionin DESTE, me qendër në skenën nëntokësore athinase (2006) etj., duke përmendur gjithashtu kurimin për: “Rregulla të rastësishme” – kanal i artistëve të përzgjedhur nga Youtube, i paraqitur drejtpërdrejt në internet dhe i shfaqur në Pulse Art Fair (Nju-Jork, 2009); “Midsummer Nights Dream” (Ëndrra e një nate vere), një shfaqje tremujore – pjesë e Remap 2 (program paralel me Bienalen e Athinës 2009). Marina Fokidis ka shkruar ese për koleksione të ndryshme dhe për shumë revista ndërkombëtare arti, si dhe është kryeredaktore e revistës së rëndësishme kulturore për shtyp në Greqi, LIFO.