Më 9 Qershor 2021, Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel u takua me artisten – aktiviste Alketa Xhafa Mripa, në hapësirën Reja, në kuadër të “The Cloud Festival 5”. Në prani të vizitorëve e një grupi studentësh të gazetarisë promovuan dhe më pas diskutuan mbi librin “Vepra e saj”.
Një seri pyetjesh mbi rolin e artit bashkëkohor në shoqëri, drejtuar Alketës nga Harabel, çeli bashkëbisedimin. Alketa u shpreh se arti përherë e më tepër është përgjegjës për trajtimin e çështjeve të mëdha, është i angazhuar shoqërisht. Këto çështje nuk i përkasin vetëm artit, por përfshijnë politikën dhe ekonominë gjithashtu. Gjatë karrierës së saj, Alketa Xhafa Mripa është angazhuar në aktivizëm të shumëfishtë. Puna e saj është fokusuar tek të drejtat e njeriut, të drejtat e grave dhe barazia gjinore, migracioni e identiteti kombëtar.
Bindja e saj se arti duhet të jetë aktivist buron nga eksperienca rreth 15 – vjeçare e ndërgjegjësimit shoqëror nëpërmjet shprehisë artistike. Artisti dhe njeriu nuk janë të ndarë, por dy role të balancuara brenda njeriut. Alketa është njëherazi artiste dhe aktiviste, siç është artiste dhe nënë. Arti jeton në simbiozë me nevojën për të qenë aktiv në shoqëri. Më tepër sesa një akt i vetëdijshëm, kjo sjellje që buron vetiu shfrytëzon mënyrën se si arti i jep komunitetit një hapësirë për t’u shprehur.
Karriera e Alketës është fokusuar shpesh tek gratë, pavarësia dhe çlirimi i tyre. Familja e saj përbëhet kryesisht prej femrash, e megjithatë ka qenë babai i cili ka ndikuar më së shumti idetë e Alketës mbi artin e feminizmin. Në bashkëbisedim, ajo shprehet se qasja e saj ndaj feminizmit shprehet në dy forma. Fillimisht, Alketa përpiqet të ndikojë në përmirësimin e pozitës së gruas duke marrë elementët e diskriminueshëm, siç është mëmësia, e duke i kthyer në forcë. Së dyti, në veprat e saj shpesh trajtohen tabutë. Duhet sfiduar, sipas Alketës, mentaliteti ku frymojnë e marrin jetë këto tabu, për t’u çliruar prej tyre.
“Vepra e saj” trajton historitë e 100 grave kosovare, të cilat kanë qenë pioniere në fusha të ndryshme profesionale. Libri ka marrë formë falë një bisede mes Alketës dhe vajzës së saj, mbi gratë që kanë bërë ndryshime në botë. Kur, e pyetur nga e bija se cilat gra kanë sjellë ndryshime në Kosovë, Alketa nuk pati përgjigje, aty iu formësua ideja për të hulumtuar mbi këto gra dhe për t’i dhënë zë rolit të tyre. Rëndom përmendet “vepra e tij”, duke targetuar krijues meshkuj të cilët kanë lënë gjurmë. Ngjashëm, por në kah të kundërt, “Vepra e saj” shërben si rinjohje e një kontributi tashmë të dhënë nga gratë.
Pritur mirë nga studentët e familjarët, pavarësisht se Alketa nuk është shkrimtare, “Vepra e saj” është shkruar duke mbajtur ndërmend gjeneratat e reja dhe nevojën e tyre për të njohur historinë. Alketa shpreson se vajzat e vogla do ta gjejnë veten tek gratë brenda tij dhe profesionet e tyre, pasi janë të shumëllojshme. Libri është ndërtuar në bashkëpunim me artistë të tjerë. Në krah të secilës grua gjendet një pikturë e saj, realizuar nga piktorë apo studentë të artit, bazuar në fotot e grave dhe të dhënat mbi to. Shkrimet janë pasuruar me informacione të marra nga familjarët e grave.
Simotra e “Vepra e saj” pritet të vijë në Tiranë në formën e një instalacioni publik. Alketa është angazhuar në identifikimin dhe hulumtimin mbi 100 gra shqiptare, që nga shekulli i XX-të e deri më sot, kanë luajtur rol si pioniere në fushat përkatëse. Publiku pjesëmarrës në bashkëbisedim pranë Resë dhe lexuesit e blogut të Harabel janë të mirëpritur të sugjerojnë emra për pasurimin e këtij kërkimi, përgjatë 3 muajve në vijim.
*Alketa ka lindur dhe është rritur në Kosovë. Në 1997 është zhvendosur në Londër për të studiuar “Arte të Bukura” në Central Saint Martins. Pasi u zhvendos fillimisht si studente, Alketa u kthye në refugjate kur shpërtheu lufta e Kosovës 1998-1999.
Që nga ajo kohë, ajo ka shfaqur punën e saj shumëplanëshe në ekspozita në të gjithë Europën duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Portugalinë, Austrinë dhe Kosovën e saj të lindjes, ku ajo fitoi njohje më të gjerë për instalacionin e saj të artit “Thinking of You” në 2015.
Bashkëpunimi dhe pjesëmarrja janë gjithashtu thelbësore për punën e Alketës. Përfshirja e komuniteteve të tjera dhe njerëzve në përgjithësi është gjithmonë e rëndësishme për të dhe ajo beson se arti i saj ka më shumë pasion kur të tjerët janë të përfshirë. Ajo thotë se atje ku gjuha dështon, arti mund të depërtojë.
Alketa aktualisht jeton në Londër, duke punuar nëpër projekte arti si në Europë, ashtu dhe në të gjithë botën, duke vazhduar luftën për barazi, drejtësi dhe ndryshim.