Eleni Laperi, studiuese dhe kritike e artit pamor, e ftuar në bashkëbisedimin e radhës në “Harabel”, nis ligjëratën me argumentin e numrit të kufizuar të studimeve mbi artin pamor shqiptar, si dhe të mungësive dokumentative.

...

Një instalacion i vitit1998 i artistit bullgar Pravdoliub Ivanov i shërben studiueses si mënyrë për të krijuar lidhje midis asaj çka përcillet prej instalacionit – një tërësi tenxheresh të lidhura në seri me energji elektrike dhe që përmes të cilave çlirohet avull, i cili shpërndahet në hapësirë – dhe asaj çfarë ka ndodhur e po ndodh me shpërdorimin e energjisë së individit shqiptar në kohë në hapësirën artistike shqiptare e më gjerë. Duke kaluar te pasqyrimi i artit pamor shqiptar dhe problematikave përkatëse, studiuesja nis me artistët: Kolë Idromeno, Vangjush Mio, Odise Paskali dhe në vijim.

Eleni Laperi rikujton se në maj të vitit 1931 u zhvillua ekspozita e parë e artit në nivel kombëtar në Tiranë, ku mori pjesë shumica e piktorëve dhe skulptorëve të njohur. Ekspozita shënoi një sukses të madh dhe frymëzoi në të njëjtin muaj krijimin e shoqërisë “Miqtë e Artit”, qëllimi i së cilës ishte themelimi i një pinakoteke kombëtare. Në janar të vitit 1932 u themelua në Tiranë edhe një shkollë vizatimi, mbështetur fillimisht nga Andrea Kushi dhe drejtuar më pas nga artisti italian Mario Ridola.

Periudha e realizmit socialist – periudha e autocensurës, e cila solli automatikisht nënvlerësimin e individit, pavarësisht optimizmit proletar – cilësuar si periudhë eksperimentale, përmendet nga studiuesja jo pa habi dhe revoltë lidhur me shqetësimin se si një klikë mund të eksperimentojë me një popull dhe të mos vihet para asnjë përgjegjësie për pasojat e shkaktuara, të cilat po përjetohen ende.

Pa mbajtur qëndrim nihilist, Eleni Laperi pranon se periudha e realizmit socialist pati përjashtimet e veta, sepse pati artistë të cilët vunë në pikëpyetje sistemin në fjalë, mirëpo mungesa e lidhjes së drejtpërdrejtë me artin bashkëkohor ndërkombëtar la gjurmën e vet në formimin përkatës.

Eleni Laperi përmend hapjen e një sërë galerish arti në vitet ’90, si: Galeria XXI, Galeria P&G, Galeria e Akademisë së Arteve,  Galeria Zenit etj. si përpjekje të para për krijimin e lirë.  Periudha në fjalë solli edhe dukurinë e kurimit (praninë e kuratorit), gjë që u prit me dyshim e mosbesim nga shumëkush. Me mosbesim u pritën edhe mediume si: fotografia, videoja apo instalacioni.

Eleni Laperi e cilëson periudhën vijuese të ’97-ës një kohë e cila nxori edhe një herë në pah se si fare lehtë energjia shqiptare shpërdorohet, duke humbur kohë dhe gjurmë në kohë.

Lidhur me institucionin më të lartë të arteve pamore në Shqipëri, studiuesja shprehet se GKA-ja (Galeria Kombëtare e Arteve) dëshmoi kthesë pozitive nën drejtimin e  Gëzim Qendro. Në këtë periudhë u krijua edhe revista e parë e artit bashkëkohor shqiptar (1997), “PamorArt”, e cila nuk pati jetëgjatësi si shumë sipërmarrje të përngjashme (konkursi i fotografisë “Marubi” dhe bienalja e Tiranës). Ndërkohë, studiuesja shfaq pakënaqësinë lidhur me pavijueshmërinë e organizimeve institucionale për artin pamor.

Eleni Laperi vlerëson hapjen e hapësirave të reja artistike si: Harabel Contemporary Art, TICA, Tirana Art Lab, Zeta, Zenit, Tulla, Bazament Art Space, Ditart, Art-House në Shkodër dhe të gjitha këto institucione i sheh si shenja të një vullneti të mirë për të ndryshuar atmosferën.