Përgjatë periudhës 7 korrik – 3 gusht, 2021, pranë Galerisë së Bregdetit në Radhimë do të jetë e hapur ekspozita The Isle of Thorns, pjesë e FUTURE ECOLOGIES. Ky i fundit është një program, pjesë e WE ARE HERE, i sponsorizuar nga Ambasada Britanike dhe organizata në mbështetje të artistëve LUX. Programi spekulon mbi dialogun mes pesë artistëve nga Britania e Madhe dhe pesë të tjerëve nga Shqipëria dhe Kosova. Programi merr rolin e një manifesti mbi transformimin simbolik të ishullit të Sazanit në Vlorë, një hapësirë e paprekur së afërmi nga njerëzit deri vitet e fundit.

...

Pamfleti informues prezanton vizitorët me një paragraf të shkëputur nga një ditar, me autor dhe datë të panjohur, ku përshkruhet një ishull i quajtur “Ishulli i Gjembave”. Ky emër buron nga natyra armiqësore e ishullit dhe legjendës se ata që do t’i afroheshin, do të pësonin fatalitet nga banorët e pamëshirshëm të ishullit, apo nga vetë shkëmbinjtë e mprehtë.

Ekspozita është ideuar duke e vendosur ishullin e Sazanit në një realitet paralel dhe distopik, si një ndër fortesat e fundit të mbetura në planetin Tokë. Veprat e ekspozuara do të nënkuptohen si relike nga planeti i shkatërruar prej arsyeve të panjohura. Megjithatë, duke marrë shkas nga natyra ushtarake e vetë ishullit, ekspozita sugjeron lehtazi se shkatërrimi ka ardhur si pasojë e një regjimi totalitar dhe paranojave të tiranit. Vizitorët duhet ta shohin ekspozitën me idenë se po shohin mbetje të atij që ishte planeti Tokë.

9 artistët që kanë marrë pjesë në ekspozitë kanë sjellë vepra të realizuara së fundmi ose më herët në karrierën e tyre. Shkurtimisht, veprat e secilit prej artistëve përmblidhen në vijim.

Driant Zeneli – ‘When dreams become necessity’ (Kur ëndrrat kthehen në nevojë) është një trilogji videosh të krijuara gjatë periudhës 2009 – 2014, që luan me idetë e dështimit, utopisë dhe ëndrrat. Në tre ekrane shfaqet secili nga filmat ku artisti merr pjesë në sporte ekstreme, për të përmbushur arritje të pamundura. ‘The dream of Icarus was to Make a Cloud’ (Ëndrra e Ikarusit Ishte të Krijonte një Re) tregon artistin duke tentuar të krijojë një re nëpërmjet fluturimit me paraglider. E dyta, ‘Some Say the Moon is Easy to Touch’ (Disa thonë se Hëna mund të preket lehtë) tregon se si artisti hidhet në bungee jumping për të kapur Hënën, në ditën kur ajo është më pranë Tokës. Videoja e tretë ‘Don’t Look at the Sun While You’re Expecting to Cross It’ (Mos e shih Diellin teksa pret ta kapërcesh) shfaq artistin teksa kapërcen Diellin pasi kometa Lovejoy kaloi në perihelion më 2011.

Bedwyr Williams – ‘The Starry Messenger’ (Lajmëtari i Yjëzuar) është një film i rrëfyer shpejt që eksploron shikimin e yjeve, kozmosin dhe vendin e njerëzve në të. Shikuesit pritet ta imagjinojnë veten si një copëz guri të zënë në grackën e një sistemi kompleks.

Driton Selmani – ‘Milk of Dreams’ (Qumështi i Endrrave) konsiston në një mozaik që paraqet një delfin në hedhje, si një kërcim i njerëzimit në planetin Tokë, fiks para shkatërrimit të madh. Vepra komenton natyrën njerëzore dhe sjelljen e njeriut kundrejt rrezikut ekzistencial që i kanoset nga shkenca bashkëkohore dhe rënia e miteve.

Anna Ehrenstein – ‘Tools for Conviviality’ (Mjete për bashkëjetesë) paraqet një instalacion me dy pjesë: pjesa e parë është një copë veshjeje që varet nga tavani dhe pjesa e dytë përbëhet nga copëza të saj të përdhe. Vepra frymëzohet nga libri me të njëjtin emër nga filozofi Austro – Amerikan Ivan Illich, i cili më 1973 kritikonte idetë perëndimore mbi progresin, të cilat e vështirësojnë jetën e njeriut, në vend që ta bëjnë më të thjeshtë. Anna Ehrenstein së bashku me bashkëpunëtorët e saj kryesisht afrikanë, të fokusuar në modë, dizajn, shkrim, përkthim dhe shërim shpirtëror, përdorin dokumentarin si spekulim mbi ekzistencën në një ambient post-digjital dhe post-kolonial.

Niku Alex Muçaj – ‘Kaba by Et’hem Qerimi’ (Kaba nga Ethem Qerimi) paraqet një video të violonistit të famshëm duke luajtur në violinë pjesën Kaba, mbi të mbiquajturën Konverskenë – një strukturë betoni e vendosur pranë ish-stacionit të trenit, në ambientet e qendrës kulturore Tirana Express. Qendra kulturore së bashku me konverskenën nuk ekzistojnë më, pas shpalljes së tyre si ndërtesa pa leje, u kthyen të dyja në viktima të tranzicionit urban. Vepra komenton mbi këtë tranzicion post-komunist në Shqipëri.

Abi Shehu – ‘Barren’ (Shterpë) është një diptik i krijuar më 2019-ën si një odë ndaj jetëve të izoluara në ishullin e Sazanit. Format e realizuara falë reflektimit të dritës në pasqyrë fokusohen mbi natyrën njerëzore dhe e dekompozojnë subjektin në hapësira dhe kohë të ndryshme.

Abi Shehu – ‘The Beauty of Demise’ (Bukuria e Shkatërrimit) shfaq disa fotografi të kandilave të detit, futur në qeska plastike. Si një shembull mbi rrezikun e jetës në Tokë, artistja luan me idenë se rreziku i shkatërrimit vjen jo vetëm drejtpërsëdrejti nga ambienti, por edhe nga interesi në kriptomonedha dhe në koleksionimin e gjallesave të rralla.

Uriel Orlow – ‘Muthi’, titulli i veprës, është fjala Afrikane për mjekësinë tradicionale dhe në këtë film të shkurtër të vitit 2016, artisti dokumenton zinxhirin e tregtisë së bimëve mjekësore, nga mbledhësit e tyre deri tek konsumatori. Njohuritë tradicionale indigjene rrezikohen nga moderniteti, për t’u kthyer në mjet konsumi të shoqërive post-kolonialiste.

Louis Henderson – ‘All That is Solid’ (Gjithçka që është e ngurtë) është një film i vitit 2014 që shpërfaq aktivitetet në minierat e paligjshme të floririt në Ghana, si dhe mbetjet e pajisjeve elektronike në Agbogbloshie. Vizitorët do të shohin se si teknologjia e cloud-it nuk është vërtet jomateriale, po ngushtësisht e lidhur me origjinën e saj tokësore.

Charlotte Prodger – ‘LHB’ u filmua në 2017-ën dhe nxiti kërkimin nga ana e artistes mbi idenë e queer rurality, mbi pyetjen se si janë jetët e pjesëtarëve të komunitetit LGBTQI+ që banojnë larg zonave urbane. Artistja bashkon pamje të ruajtura në telefonin e saj, kryesisht të zonave të egra dhe të pabanuara, me flamurin e Northumberland dhe nëpërmjet rrëfimit i ndryshon destinacionin flamurit, që simbolizon historinë e turbullt dhe tejet patriarkale të territorit që përfaqëson.

Ben Rivers –‘Urth’ ngjan si një vështrim në të ardhmen që do të krijohet nga eksperimente ambicioze shkencore. Rrëfyer nga një vajzë në rolin e një shkencëtareje dhe filmuar në vitin 2016 pranë ambienteve të Biosphere 2 në Arizona, filmi konsideron se çfarë mund të sjellin nisma të tilla në të ardhmen e afërt dhe si mund të ndikojnë në marrëdhënien mes njeriut dhe botës natyrale.