Gallery70 në Tiranë, gjatë periudhës 24 qershor – 31 korrik 2021 mirëpret vizitorët në ekspozitën “Tintirini”, realizuar nga artisti bashkëkohor kosovar Jakup Ferri dhe djali i tij Jip. Ekspozita konsiston në disa qilima të thurur me dorë nga gratë e veriut të Shqipërisë, bazuar në dizenjot e krijuara nga Jakupi dhe Jipi.

...

Jakupi me Jipin kanë realizuar gjithsej 14 qilima, nga të cilët 5 janë ekspozuar në Gallery70. Duke ndërlidhur artizanatin tradicional shqiptar me teknologjinë, qilimat e sjellë në “Tintirini” ngjasojnë me fushëpamjet e videolojërave klasike. Jipi 11-vjeçar, një lojtar pasionant i Animal Crossing, duket se ka tërheqje nga dizenjimi dhe teknikë të mirë në të. Në këtë ekspozitë Jipi zëvendëson babain e tij si krijues, duke kompozuar dhe kombinuar format e ngjyrat.

Qilimat bartin trajta gjeometrike në ngjyra të ndezura që kontrastojnë fort njëra-tjetrën, duke i dhënë një estetikë digjitale materialit të leshtë me të cilin janë thurur. Të gjithë janë kopje të vetme, që pas thurjes janë pikturuar me bojë akriliku. Puna është realizuar në veri të Shqipërisë nga artizanet. Nyjet të cilat përbëjnë strukturën bazë të tyre duken si piksela nga afër, pasi qilimat janë të mëdhenj (200 cm x 200 cm) dhe përbërja e tyre dallon qartë. Roli i tyre nuk është vetëm estetik. “Tintirini” përbën mirëfilli art të aplikuar, pasi qilimat janë realizuar për të përmbushur funksionin e tyre në shtëpi dhe estetika është veç lojë për ta komplementuar ambientin. Dualizmi, i cili në fjalët e Jakup Ferrit është baza ideore e kësaj ekspozite, është i pranishëm tek veprat në disa mënyra. Ai shfaqet si tipar krijues i Jipit, një të riu që dizenjon sende të traditës me babanë e tij, si lojë mes brezash. Shfaqet në rolin e dyfishtë të qilimave si produkt funksional dhe art, e gjithashtu në natyrën e dyfishtë – tradicionale dhe bashkëkohore – të ndërtimit të tyre.

Prej më se 10 vjetësh, Jakup Ferri i është rikthyer realizimit të qilimave, çka e kujton si aktivitet që e kryente me babain e vet. Tashmë me të birin, çon më tej traditën e thurjes dhe krijimit familjar. Stili i Jakupit është dukshëm i lirë nga disa rregulla konceptuale apo të formimit estetik, ai ngjan më tepër me art fëmijëror të pakornizuar nga kërkesat skolastike. Prandaj Jipi duket si ortaku i përsosur për të, ende i lirë dhe i freskët në mënyrën e krijimit.

Në krah të qilimave, vizitorët do të mund të shohin dhe katër piktura të Jakup Ferrit, realizuar në stilin e tij karakteristik dhe në bardh e zi. Një prej tyre paraqet kafshë miqësore që i buzëqeshin vizitorit, ndërsa tri të tjerat shfaqin njerëz të angazhuar në veprime të ndryshme. Një grup i përzier për nga mosha shijon bostane në unison të pranueshëm me stinën e verës, të tjerë luajnë shah në një fushë aq të madhe, sa mund të kthehen vetë në lojtarë dhe subjektet e fundit pikturojnë një lule në vazo, përballë tyre. Mbase (jo aq) rastësisht, ata janë organizuar në formën e shkronjës J, mbrapsht.

Sjellë fillimisht në Tiranë, ekspozita “Tintirini” do të vijojë turneun e saj në disa shtete evropiane.

*Jakup Ferri ka lindur më 1981 në Prishtinë, Kosovë. Ai ka studiuar pjesërisht në Kosovë dhe pjesërisht në Hollandë, pranë Rijksakademie në Amsterdam, ku edhe jeton. I angazhuar kryesisht në filma të karakterit absurd dhe piktura bashkëkohore, Jakup Ferri ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare. Pikturat e tij shpesh trajtojnë çështje të identitetit dhe ndjesisë së përjashtimit. Gjithashtu kujtimet e fëmijërisë luajnë rol të rëndësishëm dhe shfaqen si subjekte në pikturat e Jakupit.