“Killing Time” mban titullin ekspozita e artistit Adrian Çene, e hapur në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), kuruar nga Vladimir Myrtezai. Veprat e artistit do të mbahen të ekspozuara për vizitorët gjatë periudhës 13 korrik deri më 31 gusht 2021.
Në këtë ekspozitë prezantohen 50 tablo të realizuara në mediumin e pikturës, të cilat i përkasin teknikave të ndryshme si: akuarel, akrilik dhe vaj. Krijimet e artistit vijnë të realizuara gjatë gjashtë viteve të fundit. Sipas kuratorit këto vepra të ekspozuara në ambientet e COD ndahen në tri pjesë: fillimet, angazhimi me pikturën informale dhe faza ku fabulat jetësore kthehen në pretekste të pikturës dhe ndërtojnë një komunikim më njerëzor. I vetmi bosht bashkues është ideja e ringjalljes së ideve të pikturës si shenjë goditëse plot afsh, pa orvatje akademike, por si një frymë shkatërruese që endet egër në një rivendosje rendi vlerash, që historia përmes artistësh i sjell në përsëritjen e saj, duke na kujtuar se jemi bërë ca si shumë shkencorë e realistë.
Autoportret me avion (2021) titullohet vepra e cila bën hapjen e kësaj ekspozite. Ajo është e vendosur përballë hyrjes dhe bashkangjitur saj qëndron e instaluar një re e cila bëhet pjesë e kësaj në hapësirë.
Në murin e djathtë vijojnë dy tablo më përmasa të mëdha, të cilat sipas interpretimit të artistit specifikojnë fundin dhe parajsën: Fund (2018), Shkallët për në parajsë (2018). Duke përshkuar këtë hapësirë, në kthim janë tri portrete të vendosura në kavalete, të realizuara në teknikën e vizatimit. Gjithashtu në murin e majtë të së njëjtës hapësirë qëndrojnë të ekspozuara tri tablo të përmasave të mëdha dhe dy të përmasave të vogla. Tablotë me titujt: Kush bëri kë (2019); Autoportret (2015); Autoportret (2014); Burri nga dera e pasme (2020); Më prek (2019) në përmbajtje të tyre mbartin imazhet njerëzore të realizuara në teknikën e vajit dhe akrilikut.
Duke kaluar në korridorin e majtë tek hapësirat e COD, në një dhomë të vogël është projektuar një video në të cilën shfaqen imazhet e artistit Vladimir Myrtezai (ku kësaj here vjen si kurator) nën petkun e një rrefyesi të ngjarjes së autorit të veprave, ku në trajtesë të saj përmban një pjesë të shkrimit kuratorial, që përshkruan rrugëtimin për të gjetur vendndodhjen e artistit.
Veprat me titujt: Refleks i Kodrës (2013); Piazza San Marco (2003); Autoportret (2016); Livadhi (2015); Moli i Sarandës (2015); Kafe Drini (1990) janë disa prej peizazheve të shkëputura nga arkiva e artistit, të realizuara në teknikën e akuarelit. Në vazhdim vijojnë: Lordi (2020); Kalorësi i Kuq (2021); Autoportret (2020); Autoportret me cigare (2021); Autoportret (2017); Plazh (2018); Plazh Dhërmi (2017); Gri (2017); Divjakë (2017); Lexim në det (2017); Marinar (2019); Nudo (2020); Ditë të çuditshme (2018); Duke bredhur (2018); Larg mbi kodra (2017); E zezë në të zezë (2017); Kjo është rruga (2020); Plazh (2017); Relaks (2018); Autoportret (2019); Autoportret (2020); Edhe sa herë (2018) të cilat janë të ekspozuara përgjatë korridorit, në të gjithë muret e hapësirës.
Dhe në mbyllje, në një dalje tjetër në të djathtë: Më duaj edhe ti (2018); E plotë (2018); Kur pushon muzika (2020); Këmbanat e ferrit (2019); Çaje përtej (2018); I mërzitur dhe i hutuar (2018); Qëllo në errësirë (2019); I pafaluri (2020) bëhen veprat përmbyllëse të kësaj ekspozite.
Pikturat e Çene-s karakterizohen nga përdorimi i ngjyrave të pastra dhe dinamike, të cilat marrin referenca nga arti i fovizmit. Burimi i përgjithshëm në veprat e tij vjen nga figura humane dhe imazhe nga jeta e përditshme, në të cilat një rol kryesor zë dhe autoportreti i tij.
*Adrian Çene, lindi më 19 shkurt 1969 në Tiranë. Ai u diplomua në Liceun Artistik “Jordan Misja” në 1987 dhe në vitin 1992 u diplomua në Akademinë e Arteve. Ai punoi nga viti 2003 deri në vitin 2014 në Institutin e Monumenteve të Kulturës si specialist i rikthimit të artit të ikonave dhe pikturës murale. Ai mori pjesë në ekspozita të shumta të organizuara nga galeritë private shqiptare si dhe Galeria Shtetërore e Artit. Duke u mbështetur në këto arritje, Çene mori pjesë në ekspozitat e artit bashkëkohor shqiptar. Pikturat e tij u shitën në Itali, Belgjikë, Francë dhe Greqi. Punimet e tij janë në disa koleksione të rëndësishme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Duke u mbështetur në këto arritje, Çene mori pjesë në ekspozitat e artit bashkëkohor shqiptar. Disa prej ekspozitave të tij vetjake janë: Galeria TE & GI, Tiranë (1999); Galeria “Racine”, Paris (2000); Bashkia e Dramas, Greqi (2000); Galeria “RLV’, Bruksl (2001); “Montaigne”, Paris (2003);“Kameleon”, Paris (2006); “DIDART” NUDO, Tiranë (2006); “DIDART” Jaz në Gri, Tiranë (2007); “DIDART” Simple, Tiranë (2010); Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2014); Galeria Chameleon, Paris (2007); Galeria Montaigne, Paris (2003); Galeria Racine, Paris (2002).