Galeria FAB prezantoi projektin Kaloi një grua të artistit Gazmend Leka, kuruar nga Ermir Hoxha. Në këtë ekspozitë u paraqitën 15 piktura dhe 13 vizatime të cilat qëndruan të ekspozuara për vizitorët nga data 22 tetor deri me 12 nëntor 2021.
Kaloi një grua është e ndërtuar nga imazhe interieri të pasqyruara në tablo me përmasa të mëdha duke mos u shkëputur prej formatit klasik të artistit. Në krijimtarinë e tij ka qënë pothuajse gjithnjë vetëm, aty në studion e tij tek “fliste” me gjarprin, frutin e ndaluar, eklipset dhe objektet gjeometrike. Gjendur ende në po të njëjtin ambient, kësaj here në tablot e tij shfaqet përmes penelatash e bojrash, imazhi i një gruaje.
Tablotë e ekspozuara ndahen në dy interiere sipas kuratorit: Dhoma e saj dhe Dhoma e tij.
Dhoma e saj
Në pjesën më të madhe të tablove të vendosura në muret e galerisë, vërehet imazhi i një gruaje teksa endet përreth në hapësirën e një interieri. Aty, e rrethuar me sendet e saj, herë shfaqet e ulur në poltrone, herë e shtrirë mbi shtrat dhe diku tej e përhumbur në kërkim të shumëçkaje. Figura e saj ndriçohet prej dritës natyrale e ndonjëherë prej një llambe që bëhet pjesë e kompozimit. Në një tjetër version ajo qëndron pranë një figure mashkullore të zhveshur në mes një dhomë të zakonshme rrethuar prej shishes së verës, laptopit, frutave të “mëkatit”.
Dhoma e tij
Në tre prej tablove të ekspozuara në sallën qendrore të galerisë, imazhi i gruas kësaj here gjendet në studion e artistit. Në dy prej tyre ajo shfaqet në skaje të kuadrit, kundradritë në hyrje të dhomës dhe në pikturën tjetër e ulur mendueshëm në mes të saj. Pjesë e këtyre kompozimeve bëhet edhe artisti, i cili qëndron i veçuar prej saj, përballë telajos i përqendruar në krijimin e tij. Më pas artisti braktis studion për t’i lënë vendin modeles tek hidhet në litar, në një hapësirë të zbrazët.
E kuqja e munguar
Tablotë e artistit në këtë cikël mbulohen prej të kafenjtave, okrave dhe grive të errëta, duke u larguar nga e kuqja klasike që është konsideruar si ngjyra e pasionit, rrezikut, erosit. Gjithashtu vërehet që në krijimin e tij është përqendruar tek modelet e kolme, masive, duke i sjellë me trajtesë reale, ashtu si venuset primitive.
Gazmend Leka ka lindur më 11 tetor 1953 në Tiranë. Ai është një artist me përvojë shumë të gjatë si piktor, grafist, ilustrator, regjisor-piktor i filmit të animuar dhe projektues i sallave muzeale. Në vitin 1978 kryen studimet në Akademinë e Arteve dhe një vit më vonë fillon punë si bashkëpunëtor në dizenjimin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, punë të cilën e mbaron në vitin 1982. Për një periudhë 10-vjeçare (1981-1991) bëhet udhëheqës artistik i filmave vizatimorë në kinostudion “Shqipëria e Re” duke punuar si regjisor i tyre. Në vitin 1991 nis punë si profesor në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve (profesor i “Pikturës” dhe i “Teorisë së ngjyrës”). Gazmend Leka ka marrë pjesë në 170 ekspozita në grup dhe ka hapur 21 ekspozita vetjake. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndarë në koleksione private në: Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni.