COD në Tiranë, gjatë periudhës 4 deri më 19 qershor 2021, mbajti të ekspozuar projektin e fundit të Robert Aliaj, titulluar “Inevitable” (“E pashmangshme”), kuruar nga Klod Dedja.

...

Muri më mbron, por njëkohësisht edhe më izolon. Duhet t’i jem mirënjohës? Apo duhet t’i trembem?”. Vepra që përfaqëson ekspozitën “E pashmangshme” qëndron në ballë të hollit në COD: një mur tullash i shtrirë përgjatë hapësirës. Në hapjen e ekspozitës artisti performoi duke krijuar një urë komunikimi nëpërmjet të dukshmes dhe të padukshmes. Ai e përdor murin si një simbol të barrierave: atyre të komunikimit, atyre mendore, fizike, etj., të gjitha produkt i të pavetëdijshmes sonë, e  kapërcimi i të cilave bëhet një pengesë serioze. Çasti kulmor i performancës arrin kur artisti i afrohet murit dhe ndalon përballë tij në hezitimin për ta prekur, shembur apo puthur. Në performancën hapëse të ekspozitës artisti e puth për një kohë të gjatë murin, ndërsa në ditët në vijim të ekspozitës ky akt performativ është materializuar në një skulpturë me përmasat dhe pamjen reale të artistit, derdhur në bronz, vendosur në vendin e performancës.

Në hapësirën e COD janë ekspozuar gjithashtu edhe vepra të tjera autentike të Robert Aliaj. Në sallën e vogël në të djathtë, zhvillohet një tjetër performancë: ajo merr shkas nga performanca e artistit në vitin 2014, Qyteti i mbrapshtë, dhe vjen në këtë sallë e rikonceptuar: një djalë, teksa ecën mbrapsht, përshkon çdo skaj të hapësirës, ndërkohë që publiku është i ulur në mes të saj; dera e sallës mbyllet dhe performanca zgjat disa minuta, duke krijuar për publikun një situatë mbytëse.

Në anën e majtë shohim veprën 6080K310I (2010), një video ku një aktor brazilian, në rolin e një polici, performon një akt vetë-abuzues. Përgjatë korridorit vijon seria nga arkiva e artistit: Elemente diskrete (2008), një cikël veprash prej nëntë tablosh, që lidhen ngushtë me konceptin e simbolit dhe antisimbolit, gjerësisht të gjendur në veprën e artistit. Element përsëritës është shënjestra në mes të kaosit urban. Homomigratus (2016), një tjetër vepër ku kryefjala është dhuna dhe abuzimi. Kjo vepër është pjesë e një serie veprash ku në qendër ndodhet marrëdhënia e pushtetit dhe abuzimit përmes tij; viktimat janë pa identitet, duke qëndruar të ekspozuara në zyrat e institucioneve policore. Në fund të korridorit paraqiten dy vepra, të realizuara si pikturë vaji mbi iPad. Subjekti i tyre lidhet me frekuencat e braktisjes dhe rënies: Homomigratus (2016), E pashmangshme (2021).

*Robert Aliaj Dragot ka lindur në Tiranë më 18 shkurt të vitit 1960, në një mjedis me traditë për sa i takon pikturës. Aktualisht jeton mes Tiranës dhe Brukselit, ku angazhohet në veprimtaritë e tij artistike. Kreu studimet për pikturë në Liceun Artistik të Tiranës. Më pas zhvilloi veprimtarinë e tij artistike jashtë vendit. Gjatë viteve 1980-90 fillon të merret me pikturë. Në fund të viteve ‘90, pas një karriere të gjatë si këngëtar i muzikës pop, angazhohet si artist pamor, duke trajtuar ngjarje tronditëse sociale të asaj periudhe tranzicioni politik në vend dhe rajon. Puna e Dragotit është multidimensionale. Eksperimenton në mediume dhe teknika të ndryshme, si: fotografia, filmi, performanca, instalacioni, imazhet lëvizëse, animacioni, tingulli, piktura bashkëkohore dhe televizioni. Ka kryer një numër të konsiderueshëm ekspozitash vetjake në disa vende të Europës, si: Greqi, Francë, Zvicër dhe Belgjikë. Disa prej punëve të tij janë: Les Duex Moite (2007), Discrete elements (2008), 6080K310I (2009), Notes on Performative UrbanisimLa Tulip de Gerdec (2009), Hyena (2010), Unë jam i një bote tjetër (2013), Punch me (2013), Qyteti i mbrapshtë (2014), Dekapitimi intelektual i imazhit (2015), Homomigratus (2016), Fletërrufe (2016), Tirana horizontale (2017).