Gjatë periudhës 10 – 25 maj 2021, muret e Galerisë FAB u veshën nga veprat që piktori Shpëtim Kërçova ka realizuar gjatë viteve 2018 – 2020. Ekspozita përmbante një numër të madh punimesh, të grupuara nga kuratori Genti Gjikola në katër kategori: Qen / Trëndafila / Notarë dhe Piktorë / Mes Gjethnajës. Ekspozita është e pasur dhe shtrihet përgjatë tre ambienteve të galerisë, e përbërë kryesisht prej veprash të realizuara me vaj në kanavacë për pjesën më të madhe dhe një pjesë e vogël me laps.

...

Pikturat e Shpëtim Kërçovës, të veçueshme individualisht në subjekte dhe tematika, shpesh përkojnë në disa elementë që e bëjnë artin e tij të identifikohet mes të tjerëve falë karakteristikave. Të tilla janë përsëritja e një subjekti ose hapësire, në mënyrë identike ose shumë të ngjashme, aq sa mund të ngatërrohet. Ngjyrat që Shpëtim Kërçova përdor janë një tipar i dytë dallues, pasi vizitorët do të mund të shihnin se si roza, e gjelbërta, bluja dhe lejlaja e autorit përkojnë në piktura të ndryshme të tij, marrin një ngjyrim neoni, sikur të jenë ndriçuar nga llampa të ftohta.

Qen.

Një motiv i përsëritur në pikturat e Shpëtim Kërçovës, si element i vetëm, ashtu edhe në shoqëri të vajzave flokëkapur dhe me rroba shumëngjyrëshe, qentë që enden rrugëve të qytetit sillen me karaktere të ravijëzuar qartë. Pikturat e kësaj serie quhen “Street Story” (Histori Rrugësh) dhe vijnë për së dyti brenda këtij viti në Tiranë, në vijim të ekspozitës The Project, pranë Gallery70.

Trëndafila.

Trëndafila të vegjël, rozë dhe të bardhë, shfaqen mes gjetheve në dy telajo katrore që përbëjnë këtë cikël. Ato janë vendosur pranë dhe mbartin një qetësi, butësi estetike që i veçon nga pikturat e tjera.

Notarë dhe Piktorë.

Dymbëdhjetë piktura vaji paraqesin notarë meshkuj, të cilët në grup ose të vetëm notojnë në det dhe në pishinë. Koncepti i pikturave fokusohet në marrëdhënien mes notit dhe frymëmarrjes. Të gjitha bartin titullin “Breathe In” (Merr Frymë) dhe notarët paraqiten mes ujërash blu e të gjelbërta, teksa notojnë në stil të lirë, pa respektuar korsitë individuale. Fytyrat e tyre dëshmojnë frenezi, shfaqen të përçudnuara  prej tentativës që të bashkërendojnë frymën me notin. Ky cikël tejçon një lëvizje që ngjason me “Street Story”, por mbart elementin e shtuar të kaosit, njëfarë ngatërrese që e sjell të gjallë përvojën e notarëve. Ritmet e tyre janë të ndryshëm, disa duken në vështirësi pothuajse fatale dhe rrezikshëm pranë njëri – tjetrit. Madje në një pikturë, subjekti ka humbur nën ujë.

Në ekstremin e majtë të galerisë paraqiten 8 piktura brenda pikturave, ku subjektet pikturojnë të tjerë, në grup apo të vetëm. Të gjitha pikturat titullohen “Painting” (Pikturë apo Duke Pikturuar). Piktorët mbajnë veshje me ngjyra të forta dhe shpesh disa prej tyre shfaqen në diptikë, me pozicione që ndryshojnë lehtas, duke paraqitur lëvizje (si tek Piktura 6 – sipas Goyas). Subjektet e moshave dhe karaktereve të ndryshme, mund të jenë studentë ose profesionistë. Telajot e shpërndara në dhomën ku secili punon krijon përshtypjen se hapësira është një studio ose një sallë studimi, e dedikuar ndaj pikturës.

Një tablo e vetme që paraqet një piktor gjatë punës, gjendet në faqen e murit ngjitur, dhe nën këmbët e tij një sërë telajosh të kthyera nga ana e pasme, duke e fshehur veprën nga vizitorët, por të lira për t’u parë nga ata.

Përballë piktorëve gjenden 5 vizatime me laps, të titulluar “Drawing” (Vizatim apo Duke Vizatuar) dhe paraqesin përsëri subjekte të angazhuar në pikturë, kësaj radhe pa detaje.

Mes Gjethnajës.

Cikli që emërtohet i fundit në titull përmban disa ndër tablotë më të mëdha të ekspozitës, me të cilat vizitorët prezantohen menjëherë pasi hyjnë në Galerinë FAB. Dy prej tyre janë relizuar si diptikë, si piktura unike të shtrira në dy telajo. Në të parën paraqitet një ditë me shi në një qytet që nga ngjyrat i përngjet Tiranës, por mbase edhe vetëm ngatërrohet me të, pasi ngjyrat tipike të autorit përkojnë me ato të kryeqytetit. Njerëz të mbathur me veshje dhe çadra shumëngjyrëshe qarkullojnë në rrugët që ndërthuren mes tyre dhe ndërpriten nga copëza gjelbërimi, kopshte dhe pemë rastësore. I njëjti peizash përsëritet në një vepër të dytë, këtë radhë pa njerëz. Rrugët boshe ndërthuren veç me gjelbërimin dhe ngjyrat janë më të pakëta.

Cikli “Gjethnaja” vijon me tre piktura të tjera vaji, që paraqesin pemë dhe bimë të ndryshme, kryesisht halore. Pranë murit në dalje të Galerisë FAB, në krah të djathtë janë pozicionuar dy të fundit prej tyre, duke bërë që cikli i vizitës në ekspozitën e Shpëtim Kërçovës të fillojë dhe të mbyllet me gjelbërim.

*Shpëtim Kërçova (lindur më 1968) studioi pikturë dhe tekstil në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku më pas u diplomua në 1991. Shumë aktiv në shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit, Kërçova në fillimet e tij eksperimentoi në mediume të ndryshme si instalimi dhe mixed media, por më pas ai u përqendrua në pikturat në vaj, zakonisht në seri. Nga viti 2000 ai është një nga artistët e njohur bashkëkohorë të vendit dhe pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë. Punimet e tij zakonisht analizojnë gjendjen njerëzore në hapësirën urbane, marrëdhëniet e tyre me natyrën dhe temat e globalizimit. Disa nga ekspozitat e tij të zgjedhura janë: “A landscape without horizon”, ekspozitë personale, Zeta Gallery, Tirana (2015); “Zeta Art Center & Gallery at SUPERMARKET 2014”, Stockholm Independent Art Fair (2014); Ekspozitë -personale, Zeta Gallery, Tirana (2010); “Cosi vicina cosi lontana”, Villa Croce Genova, Italy (2009); “My space”, Hause am Lutzoplawtz, Berlin, Germany (2008); “Virtualbania”, Pavel Haus, Austria (2007); ’03-’11 “Onufri” International Competition, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2002).