Artistja Alketa Ramaj, e përfshirë në projektin “Pavijoni – Art në Institucionet Publike” – nismë e Ministrisë së Kulturës – paraqiti në hollin kryesor të ministrisë veprën e emërtuar: “Rreth një peme”. Kjo vepër (instalacion), e cila i përket artit pamor bashkëkohor, qëndroi në hapësirën në fjalë përgjatë datave 7 tetor – 18 dhjetor 2020.

...

Siç na parapërgatit titulli: “Rreth një peme”, është natyra ajo që përbën ngasjen e parë për veprën në fjalë, në qendër të së cilës një pemë flet në përpjekje për të shprehur diçka përmes pamjes, mënyrës se si lëviz dhe tingujve e, nga ana tjetër, qëndron përpjekja e njeriut (autores) për ta dëgjuar/kuptuar këtë gjuhë, ndonëse e gjithë kjo shëmbëllen e pamundshme. Instalacioni përbëhet nga një video (vijëzuar në formën e një dritareje), disa grafika të përftuara prej saj (videos) dhe tinguj (audio).

Puna në fjalë ka zënë fill krejt rastësisht në vitin 2013. Përballë dritares ku artistja rrinte shpesh, qëndronte një pemë, e kthyer tashmë në objekt artistik. Vetvetiu, dita-ditës, u krijua një marrëdhënie shpirtërore midis artistes dhe pemës, marrëdhënie e cila, me kohë, ia la vendin meditimit mbi komunikimin. Pavarësisht mungesës së gjuhës, aty kishte një komunikim në nivel ndjesor, i cili ishte më se i ndjeshëm, duke marrë parasysh se përballë ndodhej thjesht një pemë. Në njëfarë pike, nisi një lloj kërkimi mbi zhurmën, tingullin, e ndoshta gjuhën.

E gjithë ideja mori jetë përmes përpjekjes për gjetjen e gjuhës së pemës, një gjuhë e pakapshme për veshët tanë. Autorja nuk ishte e tërhequr nga zhurma e erës që lëkund degët e pemës, por nga diçka tjetër, krejt e papërcaktueshme, që përcillte një lloj komunikimi. Vetë pema, duke qenë diçka organike, dukej sikur lëshonte fije ngjashmërie midis dy trupave organikë: midis asaj vetë dhe artistes. Ideja e autores vazhdoi me përpjekje në kërkim të një formule që do të krijonte një lloj grafiku prej të cilit do të përftoheshin nota muzikore nga lëvizjet e pemës, duke arritur kështu në tingullin rastësor që do të dilte prej saj.

Pasi u nxorën pamjet për çdo sekondë prej videos (pamjet e shtypura që shihen tek instalacioni janë vetëm një pjesë e vogël e së gjithës), u shtypën (u printuan) dhe autorja nisi të përvijëzonte pamjet një nga një e më pas t’ia jepte ato një kompozitori. Ai filloi të ndiqte ritmin e atij përvijëzimi  me anë të notave muzikore (jo duke përdorur një vegël muzikore, por zërin e tij). Ky veprim u krye për çdo pamje të pemës. Pamjet u vendosën mbi njëra-tjetrën dhe zërat që kanë dalë nga çdo fletë iu mbivendosën njëri-tjetrit. Duke i ngjitur bashkë, në fund, doli ajo zhurma që vizitori mundi të dëgjojë. Ajo zhurmë kërkonte të përmbushte një lloj përpjekjeje (të pamundshme/utopike, në të vërtetë) për të dëgjuar zërin e pemës.

Për sa i përket sendërtimit të idesë, në rastin e artistes Alketa Ramaj, ajo e lë veprën të lirë të ndjekë rrugën e vet; vepra arrin të udhëzojë madje edhe vetë artisten, e cila parazgjedh që objekti/vepra të gëzojë pavarësi të plotë. Sipas autores, është pikërisht kjo pavarësi e krijimit që e çon atë vetë si krijuese drejt një njohjeje të re. Qëllimi i autores, në rastin e veprës në fjalë, ishte tingulli ose zhurma që doli prej pemës.

* Alketa Ramaj është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Puna e saj përveçohet nga një kureshtje e pashtershme dhe studim i vazhdueshëm i formave të reja të shprehjes që zbulojnë një pavarësi të mrekullueshme në përdorimin e metodave të saj vetjake dhe kritike të punës. Marrëdhënia shpirtërore që artistja ndërton me mjedisin në të cilin ajo jeton, në lidhje me kontekstin social, historik dhe politik pasqyrohet në praktikën e saj nëpërmjet përdorimit të mediumeve të ndryshme. Ajo ka qenë fituese e çmimit “Onufri” në 2012-ën dhe çmimit “Ardhje” në 2013-ën. Punimet e saj janë shfaqur në Shqipëri dhe në vende të tjera duke përfshirë: “Déjeuner avec Marubi”, (Vjenë, Austri); “Ex-Gratia”Collezione Giuseppe Iannaccone (Milano, Itali); Bienalja e Kuritibës 2017 (Kuritiba, Brazil); Galeria Heike Streloë (Frankfurt/Main, Gjermani); Viennacontemporary (Vjenë, Austri); Edicioni i 3-të i Projektit të Bienales së Artit Bashkëkohor D-0 ARK Underground, “Strehëza Atomike” (Konjic, Bosnjë); Bienalja e Fundit të Botës, Mar De Plata (Valparaiso, Kili); Fondacioni Muzeu Pino Pascali (Bari, Itali); ISCP, Studio ndërkombëtare dhe program kuratorial (Nju-Jork / New York, Amerikë); “Stacion”, Qendra e Artit Bashkëkohor (Prishtinë, Kosovë); Galeria “La Fenice” (Venecia, Itali); Lust”, galleria “Zeta” (Tiranë, Shqipëri, 2019) etj.