Mbi 20 artistë morën pjesë në ekspozitën e çelur nga Radioblog Tirana dhe Bazament Art Space, emërtuar “Nepotik”, drejtues artistikë të së cilës ishin Iris Nela dhe Olsi Hoxha. Ekspozita u zhvillua përgjatë datave15-25 tetor 2020 në hapësirën Bazament.

...

Në lidhje me tematikën, artistët pjesëmarrës – kushti i vetëm i përfshirjes së të cilëve pati qenë formati: “Instax mini format / Fuji Film” – ishin të lirë në përzgjedhje si për sa i përket hapësirës, si për sa i përket problematikës së mundshme për pasqyrim. Ekspozita përfshinte një mori fotografish, në brendësi të të cilave çdo imtësi çonte në shpërfaqje të botëkuptimit të artistëve të rinj.

Kryesisht, bëhej fjalë për fotografi të rastësishme, të shkrepura në çast, fotografi që përcillnin çaste jete – çaste të përditshmërisë, por që tërhiqnin vëmendje mjaftueshëm për shkrepje fotografike dhe për të punuar më pas mbi to. Ato paraqitnin: kënde ndërtesash me vizatime e mbishkrime; peizazhe të ndryshme gjendjesh kaotike; apo pasqyrime çastesh të shkujdesura grupimesh shoqërore. Vëmendja e fotografëve pati qenë përqendruar gjithashtu edhe në pasqyrimin e formave arkitekturore të ndërtesave gjysmë të rrëzuara, siç ishte seria e fotografive me titull “Aesthetic Abortion”, seri përmes së cilës artistja përkatëse shprehte shqetësimin e saj për strukturën arkitekturore në Tiranë, për shndërrimet dhe qëllimet e këtyre shndërrimeve përgjatë ndërrimit të pushteteve, si dhe për ndikimin që i gjithë ky ndryshim ushtron mbi banorët.

Një tjetër tërësi fotografike përqendrohej te qyteti i Shkodrës; nga ajo tërësi dallonte një fotografi e veçantë, titulluar “Shkodra”, ku, në një pirg me tjegulla, artisti kishte vizatuar silueta të vogla njerëzish, si të ishin në pritje të shpëtimit prej dikujt. Më tej, “Lulembramet” rrëqethte me mesazhin se “lulet e vdekjes”, vendosur anë rrugësh, japin ndjesinë e një shpirti të ikur, por jo të paqtë; dhe kujtimi i dhimbshëm qëndron aty, i lidhur mbas një shufre hekuri, për ta parë gjithkush. Pas këtyre luleve të trishta, vërehej një tjetër tërësi fotografike e një bime që çel e gjelbëron kudo.

Çdo tërësi fotografike qe vendosur në një “tablo” kartoni të formësuar e të ngjyrosur; disa punë patën qenë shoqëruar edhe me shkrime përshkruese rreth temës së shtjelluar.

Ndërkohë, në një kënd të ndriçuar nga një dritë blu LED, një televizor i vogël shfaqte të gjithë ecurinë e punës, regjistruar në një mjedis shtypi (printimesh). Po ashtu, në qendër të ekspozitës ndodhej një valixhe që përmbante libra të vegjël artistikë me fotografi. Në fund, çdokush: i përfshirë artistikisht, por edhe çdo vizitor përgjithësisht, mund të largohej nga ekspozita me këtë “valixhe” kujtimesh, si një përpjekje për ta kthyer vëmendjen shoqërore ndaj vlerës së formave fizike, të cilat mbartin kujtesën shtresëzuar në kohë.