Për herë të parë, hapësirat e muzeut “Marubi” i hapen një grupi artistësh shqiptarë të rinj. Përzgjedhja e tyre erdhi përmes një thirrjeje të hapur të përbashkët të Art House dhe muzeut “Marubi” për edicionin e tretë të rezidencës artistike Art House School të emërtuar “Beyond the Image” (19 gusht – 15 shtator 2019), edicion i cili u përqendrua në marrëdhënien e ngushtë që lidh autorin me pamjen dhe mundësitë gjithëpërfshirëse që vë në veprim kjo marrëdhënie.

...

Artistët: Orestia Kapidani, Marlin Dedaj, Erjola Zhuka, Erdiola Mustafaj, Elton Gllava, Bib Frrokaj dhe Abi Shehu kaluan një periudhë katërjavore në Shkodër, ku, përmes paraqitjes së veprave të kryera, diskutimeve mbi projekte apo intuitës fillestare për punë që nuk kanë lindur ende, leximeve të shkrimeve e pasqyrimeve të filmave, refleksioneve e debateve, u krijua një hapësirë për kërkim individual.

Ekspozita, kuruar nga François Cheval (Fransua Shëval), zhvillohet në hapësirat e muzeut “Marubi” dhe Art House që prej 1 nëntorit 2019 deri më 7 janar 2020si dhe mbështetet nga Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Art House. (Teksti, marrë nga muzeu “Marubi”.)

* Orestia Kapidani ka lindur më 1978 në Shkodër (Shqipëri) dhe është diplomuar për grafikë në Akademinë e Arteve në Tiranë (1997-2001). Ka ndjekur studimet pasuniversitare (2003-2005) në Burg Giebichenstein – Universiteti i Artit dhe Dizajnit Halle, duke u përqendruar te fotografia dhe pamja dixhitale. Që prej vitit 2005 është fotografe e pavarur në Halle (Saale) dhe Tiranë. Në vitin 2013 ka përfunduar një master për fotografi në Burg Giebichenstein, Universiteti i Arteve në Halle (Saale). Ka pasur bashkëpunime me Filarmoninë e Berlinit, institutin “Gëte”, Akademinë e Arteve në Halle dhe Tiranë, Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Butrintit, Orkestrën e Dhomës në Bremen e të tjera.

* Marlin Dedaj ka lindur më 1988 në Shkodër (Shqipëri) dhe jeton në Itali që prej moshës 5-vjeçare. Lidhja me fotografinë për të ka filluar në mënyrë autodidakte në vitin 2008. Në vitin 2018 fitoi një bursë ndërkombëtare për fotografë nën moshën 35 vjeç nga Magnum Photos, për masterclass-in e organizuar nga Alex Majoli. Ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash të përbashkëta në qytete të ndryshme në Itali dhe ka botuar në revistat: Arabica FeniceRolling StoneIcon50&Più Magazine e të tjera.

* Erjola Zhuka ka lindur më 1986 në Durrës (Shqipëri) dhe jeton në Firence (Itali). Ka studiuar për arte multimediale, si dhe për pikturë në Akademinë e Arteve të Carrara-s. Mbas diplomimit, ka ndjekur një master për fotografi në universitetin IUAV të Venecias. Ka marrë pjesë në disa workshop-e dhe ekspozita me: Armin LinkeJosè Pedro CortesBas PrincenStefano GrazianiRobert PettenaMassimo VitaliFilippo Romano. Në tetor të vitit 2019 ka qenë drejtuese e një workshop-i me studentë të shkollës së artit në Luka (Lucca), në vazhdimësi të të cilit ka çelur një ekspozitë në Pallatin e Ekspozimeve (Palazzo delle Esposizioni), Lucca, Itali.

* Erdiola Mustafaj ka lindur më 1992 në Elbasan (Shqipëri) dhe jeton në Itali që prej moshës 6-vjeçare, kur u vendos në Bolonjë së bashku me familjen e saj. Sot jeton në Milano ku po përfundon studimet në shkollën e fotografisë CFP Bauer. Kërkimi i saj artistik përqendrohet kryesisht te reportazhi dhe fotografia dokumentare, me një vëmendje të veçantë ndaj çështjeve shoqërore. “Pezull”, puna e saj më e fundit në fushën e fotografisë, është paraqitur në Fondacionin “Yjëzat” (Fondazione Stelline), Milano, korrik 2019.

* Elton Gllava ka lindur më 1974 në Vlorë (Shqipëri). Është fotograf i pavarur që jeton dhe punon në Itali që prej vitit 1992. Është diplomuar për fotografi në Shkollën Romane të Fotografisë dhe Kinemasë (Scuola Romana di Fotografia e Cinema) (2009). Projektet dhe fotografitë e tij kanë tematika shoqërore dhe mjedisore të trajtuara me një afrim vetjak ndaj tyre. Ndër projektet e tij fotografike përmenden: “The hidden identities” (2009-2010), projekt i zhvilluar në spitalin psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë; “Bulqizë” (2013-2017), projekt i zhvilluar mbi qytetin e Bulqizës, i cili u dokumentua në një libër me fotografi të botuar në mars 2019. “Albanian Cinema Paradiso” (2018-2019) është projekti i tij i fundit, një video që hulumton kinematografinë shqiptare të viteve 1950-1990, gjatë regjimit komunist.

* Bib Frrokaj ka lindur më 1992 në Lezhë (Shqipëri) dhe është diplomuar për pikturë në vitin 2016 në Fakultetin e Arteve, në Tiranë. Në praktikën e tij artistike përdor si mjet fotografinë e përmes saj përpiqet të zbulojë se si kompleksiteti që përjetojmë, ndërvepron përmes mënyrave e konteksteve të ndryshme, pamore e shpirtërore, duke krijuar një lidhje metafizike e pamore përmes pamjeve, me një vëmendje të veçantë ndaj problematikave shoqërore. Që prej vitit 2017, punon si mësues i lëndës së arteve në qytetin e Lezhës.

* Abi Shehu ka lindur më 1993 në Lezhë (Shqipëri) dhe jeton në Berlin ku ndjek studimet për fotografi. Punon si fotografe e pavarur dhe ka organizuar një sërë ekspozitash në grup, në bashkëpunim me fotografë të tjerë. Puna e saj përqendrohet kryesisht te natyra e marrëdhënieve njerëzore dhe kërkon të zbërthejë karakterin e tyre përmes një kërkimi pamor në hapësira të ndryshme.