Artistja Edit Pula(j) ka zgjedhur pikturën instalative si medium për ekspozitën e saj “Metrat e fundit”, hapur në galerinë “Kalo”, në Tiranë, në datat 10 shtator – 6 tetor 2019, kuruar nga vetë autorja. Ky ekspozim zhvillohet gjatë Javës së Dizajnit, zhvilluar në Tiranë.

...

Ngjyrat e tokës, përdorur në punime, krijojnë përshtypjen e shumështresëzimit, në dukje përherë në lëvizje. Ndjesia e parë është ajo e një depërtimi të vështirë në to, por nëse kjo vështirësi pranohet, atëherë ngjyrat fillojnë e flasin. Diku-diku këto shtresëzime përvijëzohen qartazi dhe përballja mes tyre bëhet më e fortë, më e dukshme.

Mënyra si shpërfaqen shkon përkundër idesë së njëtrajtshmërisë. Valëzimet horizontale të ngjyrave në hapësirën vertikale ndërmendin kryqëzimin, simbolin e të cilit, kryqin, artistja e ka pasqyruar edhe përmes pranëvënies së dy prej pikturave instalative.

Këto piktura instalative janë kryer në përmbyllje të studimeve të saj pasuniversitare (Londër 1998), duke përdorur (100 metra) letër muri të vjetër angleze. Pikturat spikatin për lartësinë, për veçantinë e letrës së përdorur për to dhe lodrimin e ngjyrave. Vetë autorja i cilëson “lëkurë në kërkim të trupit”.

Autorja përpiqet ta zhvendosë vëmendjen te hapësirat ku veprat e artit ruhen/pushojnë përkohësisht, ndërkohë që çdo artist është i shqetësuar për “metrat e fundit” të rrugëtimit të veprës së vet, pra, lidhur me atë se çfarë ndodh me të, pasi e kryen qëllimin e ekspozimit të përkohshëm? Përpos kësaj, në ekspozitë shpërfaqen “Metrat e fundit, të prerë, të gërvishtur, të rrudhosur”, pasi kanë udhëtuar nga njëra hapësirë ekspozuese në tjetrën.

* Edit Pula(j) është artiste/kuratore nga Tirana. Praktika e saj artistike dhe kuratoriale përqendrohet së fundmi te trashëgimia. Ajo e përdor kryesisht atë për të thurur shprehi bashkëkohore. Teksa piktura mbetet praktikë e vazhdueshme, projektet e saj më të fundit kanë qenë instalacione dhe projekte të artit pjesëmarrës – (pra, me përfshirje të elementeve të jashtme), duke synuar ndërtimin e urës së dialogut midis së kaluarës dhe së sotmes.