Një përmbledhje krijimesh artistike të mbi 50 artistëve i është dhuruar në fund të viteve ’90 Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë prej artistit konceptual Jan Dibbets. Të gjitha këto punime u paraqitën përmes ekspozitës me titull “Urimet më të mira për 1999-ën” prej 29 marsit deri më 22 shtator 2019 në mjedisin e GKA-së, nën kujdesin e kuratores Arnisa Zeqo.

...

Veprat në fjalë u përkasin viteve ’70-’80-’90 dhe përcjellin frymën perëndimore të artit. Ato u janë kërkuar autorëve përkatës prej Jan Dibbets-it, me qëllimin për t’ia dhuruar institucionit të GKA-së. Punimet vijnë në formën e fotografisë, vizatimit, shtypjes në materiale të ndryshme, kolazhit dhe përbëjnë në vetvete një paraqitje të artit konceptual, ku vihet në shqyrtim marrëdhënia e trupit me hapësirën e jashtme dhe atë të brendshme. Dhurimi i tyre shërben si një shteg tjetër drite artistike teksa GKA-ja mbartte në hapësirën e saj vetëm koleksione të realizmit socialist.

Përfshihen në këtë ekspozitë krijime nga artistët: Marina Abramović, Pierre Alechinsky, Giovanni Anselmo, Karel Appel, Eduardo Arroyo, Frank Auerbach, John Baldessari, Robert Barry, Georg Baselitz, Ross Bleckner, Stanley Brouwn, Günter Brus, Daniel Buren, Patrick Caulfield, Hanne Darboven, Richard Deacon, Nicola De Maria, Christo dhe Jeanne-Claude, Jan Dibbets, Helmut Federle, Günther Förg, Leon Golub, Dan Graham, Georg Herold, Damien Hirst, Jenny Holzer, Douglas Huebler, Cristina Iglesias, Alex Katz, Mike Kelley, Mark Kostabi, Konrad Klapheck, Joseph Kosuth, Sol LeWitt, Richard Long, Sarah Lucas, Markus Lüpertz, Brice Marden, Allan McCollum, Guy Mees, Juan Muñoz, Mimmo Paladino, Gilbert dhe George, Jaume Plensa, Edward Ruscha, Marien Schouten, Thomas Schütte, Richard Serra, Niele Toroni, Toon Verhoef, Didier Vermeiren, Carel Visser, Lawrence Weiner, Jan Voss.

Këto punë artistike, ashtu si arti në përgjithësi, patën qëllim themelor shpërndarjen e dijes, ndërveprimin njerëzor përmes artit dhe kjo ndodhi në vite të vështira politiko-shoqërore për Shqipërinë dhe Kosovën. Gjithashtu ky koleksion u dhurua në një kohë kur mundësitë gjithfarëllojëshe për shkëmbim kulturor (duke përfshirë këtu edhe internetin) nuk ishin edhe aq të shumta. Sigurisht se përtej gjuhës universale, punët përcjellin pa dyshim edhe përjetimet vetjake të krijuesve përkatës.

Përgjatë qëndrimit në GKA, ekspozita ka shërbyer edhe si sfond gjatë paraqitjes së disiplinave të tjera të artit si, për shembull, ajo e performancës nëpërmjet një programi edukativ dhe publik.

* Arnisa Zeqo ka lindur në Tiranë dhe është rritur në Romë. Ajo është historiane arti, kuratore dhe mësuese arti në Amsterdam. Së fundmi (2015 – 2017), ajo ka punuar për ekspozitën ndërkombëtare “documenta 14” në qytetet e Athinës dhe Kassel-it dhe ka qenë përgjegjëse për programet e edukimit (aneducation) në Athinë dhe nismëtare e Shoqatës së Miqve të Ulises Carrion-it në “Parlamentin e Trupave”. Gjithashtu, ka bashkëthemeluar hapësirën e artit “rongwrong” në vitin 2011 në Amsterdam.

* Arnisa Zeqo was born in Tirana and grew up in Rome. She is an art historian, curator and educator based in Amsterdam. She was recently (2015-2017) working for documenta 14 in Athens and Kassel, responsible for the education programs (aneducation) in Athens and initiator of the Society of Friends of Ulises Carrion within the Parlament of Bodies. She co founded the art space rongwrong in 2011 in Amsterdam.