Dhjetëra punime (skica, vizatime dhe piktura që paraqesin portrete, eksterierë, interierë, etj.), përzgjedhur prej krijimtarisë dhjetëravjeçare të artistit Shyqyri Sako (piktor kinematografie), u përfshinë në ekspozitën “Duke pikturuar filmin”, zhvilluar nga Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), që prej 18 korrikut deri më 31 gusht 2019, në Tiranë.
Ekspozita përbënte në vetvete një mozaik me krijimet më të spikatura kinematografike shqiptare, si: “Operacioni ‘Zjarri’” (1973), “Toka jonë” (1964), “Prita” (1968), “Horizonte të hapura” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Kapedani” (1972), “Rrugë të bardha” (1974), “Dimri i fundit” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Mësonjëtorja” (1979), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983), “Shpella e piratëve” (1990), “Përdhunuesit” (1994) etj., duke mundësuar kështu një paraqitje të plotë lidhur me krijimtarinë e artistit, si piktori i parë profesionist i filmit shqiptar.
Shyqyri Sako ka marrë vlerësimin “Artist i Merituar” dhe kjo për një tërësi bashkëpunimesh në fushën e kinematografisë. Ai ka punuar për 40 vjet, për 40 filma, skenarët e të cilëve tregonin rrugën nëpër të cilën duhej të ecte çdo element i përfshirë në prodhimin filmik. Ndonëse për shikuesit e shumtë lidhja më e afërt dhe më e fortë krijohet me aktor-in/ët, vlen të rithuhet se është një armatë e gjerë ajo e cila punon fort për krijimin e një filmi, armatë brenda së cilës një rol tejet të rëndësishëm ka edhe piktori i filmit.
Pikërisht falë punës së tij të gjitha krijimet e shpërfaqura në ekspozitë dëshmojnë një përputhje të plotë me kujtesën tonë kinematografike. Pllakatet e filmave (posterat) janë paraqitje besnike e kohës kur filmat kanë dalë për herë të parë në kinema, ndërsa disa nga vizatimet dhe pikturat që i shoqërojnë janë kryesisht frymëzime nga filmat ose përjetime të mëvonshme mbi ta. Për herë të parë shpërfaqet edhe seria e fundit e pllakateve të ripikturuara nga artisti Sako në vitet 2018-2019, si përjetime nostalgjike që risjellin me përpikëri çaste tërheqëse nga disa filma.
Personazhet e dashura dhe të urryera, sfondi historiko-shoqëror në të cilin ata janë vendosur, apo tronditjet shpirtërore që kanë përjetuar janë aty, nëpërmjet aftësisë krijuese të artistit. Dhe pavarësisht ideologjisë me të cilën u mbrujt kinematografia e periudhës së realizmit socialist, tashmë e përmbysur (përpos prodhimeve me tematikë historike), ndjeshmëria, nostalgjia janë të pashmangshme. Ndonëse ndjeshmëria njerëzore, ajo në planin erotik, si në kinematografinë e atyre viteve, si në ekspozitën në fjalë, ka qenë pothuaj e munguar. Edhe më tej: është e pamundur për të mos u vënë re përfaqësimi i pamjaftueshëm i figurës femërore ose i pabarabartë në krahasim me gjininë tjetër. Edhe kur shpërfaqet, ajo kushtëzohet të jetë ajo që duhet të jetë sesa ajo që dëshiron të jetë.
As karakteri mashkullor i këtyre punimeve nuk është i pacenuar nga ndikimet e kohës. Në përgjithësi, protagonisti është i detyruar të ketë portretin e njeriut të pacenueshëm moralisht, një e pavërtetë e detyrueshme për t’u besuar kjo, gjithnjë brenda botëkuptimit të atëhershëm. Morali i protagonist-it/es (duhej të) ishte i rreptë, pamja e ashpër dhe ndjenja e ndryrë thellë. Kjo është edhe ajo çka ndihet në krijimet e ekspozitës. Gjithsesi, në gjithë larminë e brezave, shtresave shoqërore, karaktereve ndërgjinore, paraqitur në ekspozitë, frymon një kohë sa e afërt, sa e largët. Është rrugëtimi i shoqërisë sonë, një kohë jo pa ideale, jo pa sakrifica, jo pa njerëz me qëllime të mira e të larta, përtej çdo trysnie ideologjike deri në përpjekje për denatyrim. Fisnikëria e luftëtarëve të dijes është aty, te posterat e filmit “Mësonjëtorja”, ngjyrat e flamurit janë aty në filmat që kërkojnë liri.
* Shyqyri Sako lindi në vitin 1937 në Kolonjë. Mësimet e para për vizatim i mori në “Shtëpinë e Pionierit” në Korçë nga piktori Guri Madhi dhe në “Shtëpinë e Kulturës” nga Vangjush Mio. Në vitet 1951-1955 kreu liceun artistik “Jordan Misja”. Më 1958 nisi studimet e larta në Institutin e Kinematografisë “VGIK” në Moskë, ku studioi tre vjet. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shyqyri Sako kthehet në Tiranë dhe diplomohet në vitin 1962 si piktor filmi në Institutin e Lartë të Arteve. Gjatë periudhës 1962-1997 punoi në kinostudion “Shqipëria e Re”, duke realizuar skenografi, kostume dhe pllakate të filmave shqiptarë. Si piktor kostumesh dhe më pas si piktor i rreth 40 filmave artistikë, ai ka dhënë një ndihmesë të çmuar në historinë e kinematografisë shqiptare dhe mund të cilësohet si një ndër artistët që hodhi themelet duke krijuar fizionominë e dekorit në filmin shqiptar.