Ekspozita “As Mik, as Armik” shënon ekspozitën e parë vetjake të artistit Sokol Beqiri në Shqipëri, e cila hapet në datat 22 mars – 2 qershor 2019 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ekspozita është kuruar nga Galit Eilat, ndërsa dizajni i saj është kryer nga Oren Sagiv. Kjo ekspozitë zhvillohet në përputhje me kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri – Kosovë për vitin 2019, si dhe me rastin e 20-vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s, lëvizje që i dha fund luftës në Kosovë (1999).

...

Emërtimi i ekspozitës parathotë asnjanësinë e qëndrimit të artistit, megjithatë ekspozita mbetet e lidhur pashmangshmërisht me politikën. Këndi nga i cili ai përpiqet t’i shohë dhe paraqesë dramat shoqërore, të cilat janë edhe vijim i politikave kombëtare e ndërkombëtare, është socio-filozofik dhe artistik. Sokol Beqiri niset nga përvoja vetjake, e kohës dhe e brezit të vet. Mirëpo, duke u mbështetur te vargjet e Shekspirit, te lodrat fëminore e më tej te gërshetimi midis sendeve të thjeshta e të përditshme me pjesë armësh ushtarake, apo më tutje, duke sjellë sendet e veta – si përjetues dhe pasqyrues i luftës përmes fotografisë – të lidhura dukshëm me dramën e rëndë të luftës së zhvilluar në Kosovë (1998-1999), dëshmon synimet e tejkaluara lakmitare të njeriut, me pasoja kaq të rënda për shoqërinë, e çfarëdolloj kohe e kombësie qoftë ajo.

Fotografia është mënyra zotëruese artistike përmes së cilës Sokol Beqiri sjell të vërteta të tmerrshme, të pakundërshtueshme, duke risjellë për publikun shqiptar kujtime jo të largëta. A mund ta bëjnë këto shkrepje estetiko-artistike më të mirë njeriun? Fotografitë (dhe çdo vepër e mundshme arti) simotra të luftërave më të hershme nuk ia kanë dalë mbanë këtij qëllimi. Natyrshëm, autori as që e pret këtë, por nuk mund të mos luante rolin që i përkiti të luajë në kohën dhe vendin në fjalë, vendlindjen e tij.

Qendra e ekspozitës vihet në shërbim të veprës “Fluturon, fluturon”, por nëse mund të caktojmë pikë kulmore në ekspozitë, ajo nuk mund të mos u përkasë veprave të emërtuara “Fundi i ekspresionizmit”, dy fotografi pasqyruese të një përjetimi rrëqethës, dhe “Kur engjujt janë vonë”, vepra (në bazë të së cilës është flijimi) që lidhet ngushtësisht me të njëjtin përjetim, porse në një mënyrë krejt të veçantë. Ajo ndërlidh kohën biblike me atë historike, rryma të ndryshme arti, duke përftuar kuptime filozofike nga ngjarje mirëfilli tragjike.

E gjithë ekspozita përbën në vetvete një pamje të gjerë të Luftës së Kosovës përmes syve të një artisti, i cili nuk është më i bindur se kush miku e kush armiku, duke vënë re se si, kohë pas kohe, heroi është kaq i luhatshëm. Gjithë në këtë çoroditje socio-politiko-historike, në hipokrizinë e përgjithshme manipuluese ku qëllimet jo të mira fshihen prapa shpalosjeve të shenjimeve kombëtare, Sokol Beqiri e sheh të pashmangshme asnjanësinë vetjake brenda kohës në të cilën jeton.

Të nisesh nga krimet e luftës, duke i pasqyruar ato, e duke shkuar më tej, të krijosh art duke u nxitur e duke u bazuar mbi to, tingëllon e rëndë, por e domosdoshme. Një koklavitje e tillë gjendjesh, përfshirë këtu edhe pasluftën, vijon një tërësi ndjesish, aq sa vetë artisti ndihet i zënë në çark në lidhje me pa/prekshmërinë dhe pa/qëndrueshmërinë e miqve dhe armiqve, heronjve dhe tradhtarëve.

Qenia e tij në udhëkryq besimi dhe veprimi është edhe qenia jonë. A mund të preken heronjtë kombëtarë dhe a mund të mos preken diktatorët (të cilët shpeshherë shprehen se veprojnë në emër të popullit)? Por ja që përcaktimi i tyre nga bashkëkohësit, madje edhe nga vetë artisti, duket paksa i pamundur plotësisht. Shikimi i njeriut paska nevojë për kohë, që të kthjellohet paksa.

* Sokol Beqiri ka lindur në vitin 1964 në Pejë, Kosovë. Ai ka studiuar në Universitetin e Ljubjanës, në Departamentin e Grafikës. Beqiri është një nga artistët më të njohur bashkëkohorë në Kosovë. Punët e tij më të dalluara janë nga cikli “Fundi i Ekspresionizmit: pikturuar nga një i marrë” (2001), cikël i cili përfshin projektet “Milka” (1999) dhe “Kur engjujt janë vonë” (2001). Beqiri ka ekspozuar në shumë institucione europiane të artit dhe ka qenë pjesë e ekspozitave të rëndësishme, përfshirë këtu edhe “Documenta 14” në vitin 2017.

* Galit Eilat ka lindur në vitin 1965, në Izrael. Ajo është kuratore dhe shkrimtare e pavarur me vendbanim në Holandë. Ajo ka qenë drejtore/themeluese e Qendrës Izraelite për Artin Dixhital në Holon (2001 – 2010). Galit Eilat është krijuese e Arkivit Lëvizës dhe bashkëkrijuese e revistës (on line) “Ma’arav” (“Ambush”). Është gjithashtu një nga anëtarët themeluese të Akademisë së Arteve të Botës, themeluar në vitin 2012, në Cologne.