Artistja Alketa Ramaj solli në galerinë “Zeta” ekspozitën vetjake emërtuar “Lust”, në datat 15 – 31 maj 2019, kuruar nga Odeta Stabenow.

...

Emërtimi i ekspozitës nuk ka qenë tema paraprake e saj, porse “Lust” ka ardhur si rrjedhojë e asaj që është ngjizur e ka marrë jetë kohë pas kohe.

Piktura dhe instalacione, këto janë rrugët përmes të cilave Alketa Ramaj zgjedh të shfaqë një copëz bote, shpërfaqje e cila nuk ka një synim të paracaktuar, që vjen pa kërkuar stërhollimin kuptimor dhe përqendrohet më së shumti te ndjesia e përjetuar. Përveçim të gjithë rrugëtimit krijues deri në ekspozim përbën zotërimi i autores prej krijimit dhe jo e anasjella.

Gjithçka në ekspozitë vjen e shkëputur dhe njëherazi në ndërlidhje vijimësie, si një fill gjithëlidhës, si një vijueshmëri ëndërrore, përmes ngjyrimesh të lehta mjegulluese që shkallëzohen nga skaji në skaj, duke përftuar vepra artistike edhe përmes sendesh industriale, si një shtysë e brendshme që nxit dëshirën e fortë për t’u shprehur dhe për t’u lidhur me botën kryesisht përmes ngjyrës.

Pranëvënia e tablove, të cilat sa e kundërshtojnë njëra-tjetrën, po aq edhe e plotësojnë, krijon dëshirën për zbulim të embrionit krijues deri në përfytyrime gjendjesh parakrijimi apo apokalipsi të fundmë, në ndjesi pakufishmërie apo në tablo ku ndihet shpirtëzimi i natyrës. Përpos gjithçkaje, ekspozita është një shenjëz lirie ose përpjekje drejt të qenit të lirë dhe të pakufizuar.

* Alketa Ramaj është diplomuar në vitin 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Puna e saj përveçohet nga një kureshtje e pashtershme dhe studim i vazhdueshëm i formave të reja të shprehjes që zbulojnë një pavarësi të mrekullueshme në përdorimin e metodave të saj vetjake dhe kritike të punës. Marrëdhënia shpirtërore që artistja ndërton me mjedisin në të cilin ajo jeton, në lidhje me kontekstin social, historik dhe politik pasqyrohet në praktikën e saj nëpërmjet përdorimit të mediumeve të ndryshme.

Ajo ka qenë fituese e çmimit “Onufri” në 2012-ën dhe çmimit “Ardhje” në 2013-ën. Punimet e saj janë shfaqur në Shqipëri dhe në vende të tjera duke përfshirë: Déjeuner avec Marubi (Vjenë, Austri); Ex-Gratia, Collezione Giuseppe Iannaccone (Milano, Itali); Bienalja e Kuritibës 2017 (Kuritiba, Brazil); Galeria Heike Strelow (Frankfurt/Main, Gjermani); Viennacontemporary (Vjenë, Austri); Edicioni i 3-të i Projektit të Bienales së Artit Bashkëkohor D-0 ARK Underground, Strehëza Atomike (Konjic, Bosnjë); Bienalja e Fundit të Botës, Mar De Plata (Valparaiso, Kili); Fondacioni Muzeu Pino Pascali (Bari, Itali); ISCP, Studio ndërkombëtare dhe program kuratorial (Nju-Jork (New York), Amerikë); Stacion, Qendra e Artit Bashkëkohor (Prishtinë, Kosovë); Galeria La Fenice (Venecia, Itali).