Artisti Kosta Koçi paraqet në galerinë “Zeta”, në datat 20 prill – 12 maj 2019, ekspozitën vetjake me titull “Loja”. Ekspozita është në vetvete një përmbledhje figurash mashkullore që i përkasin një grupmoshe të re dhe një fryme sportive.
Këto figura përputhen gati-gati me përmasat e vërteta të njeriut dhe teknika e përdorur është ajo e kolazhit, në përbërje të të cilit është lënda ricikluese – hedhurina kartoni që më herët janë përdorur si mbështjellje prodhimesh industriale – e cila është përpunuar më pas prej autorit, për të krijuar përvijime njerëzore sa më besnike.
Model për punën e autorit në fjalë, bëhet një i ri apo një tjetër, tërësisht anonim, por gjithsesi, i tërhequr nga bota e artit dhe ajo e sportit. Ekspozita është në të vërtetë vazhdimësi e një cikli, nisur nga autori tre vjet më parë, me njeriun e thjeshtë në qendër, njeriun që jeton në rrethinat e qytetit.
Larushia e ngjyrave të skulpturave, krahas përmasave në fjalë, tërheq vetiu përqendrimin e shikimit, duke ftuar në njohjen nga afër të shprehjes përkatëse.
Binomi rreth të cilit vërtitet ekspozita, “Loja” dhe “Lojtari”, sjell e përsjell mendime rreth lëvizjes dhe qëndrimit, mendimit dhe ëndërrimit, aftësisë dhe (pa)mundësisë.
Pavarësisht çdo përpjekjeje, në serinë e Koçit lojtari shfaqet në gjendje pasive, duke i mëshuar idesë së pamundësisë së përfshirjes në lojë.