“Ekspozitë personale me dallëndyshe” emërtohej ekspozita e hapur nga Eljan Tanini në datat 2-7 prill 2019 në Muzeun Historik Kombëtar. “Shko, dallëndyshe” dhe “Dallëndyshe, eja” janë dy poezi nga Filip Shiroka, të cilat nxitën frymëzimin për ekspozitën në përbërje të së cilës qëndruan 160 piktura, të cilat u kushtohen dallëndysheve.

...

Eljan Tanini i sheh dallëndyshet si shenjë frymëzimi për të krijuar nga e para një jetë të re, mes së shkuarës dhe së tashmes.  Ai vetë shprehet se kjo ekspozitë u kushtohet atyre dallëndysheve që e ndërtuan folenë në cepin e ballkonit të tij. Ato jetuan aty me kufizimet njerëzore dhe folën për lirinë, duke ikur e duke  u kthyer në të njëjtën shtëpi që prej vitit 1956. Ekspozita është në vetvete përmbyllje e një cikli të gjatë pikturash që lidhin pashmangshmërisht natyrën dhe njeriun.

* Eljan Tanini është një artist shqiptar, poet, gazetar dhe eseist. Ai studioi pikturë në liceun “Jordan Misja” dhe u diplomua në filozofi dhe sociologji në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2009 ai botoi librin e tij të parë “Tregu i Zeros”, me ese dhe reflektime. Në nëntor të vitit 2011 ai fitoi çmimin ndërkombëtar të fotografisë “Focus”, me një foto të emërtuar “Si puthja për babën.” Pasi ka punuar për një periudhë kohe si gazetar në “Boom Boom Radio”, televizionin “Klan” dhe “Top Channel”, tani Tanini shkruan për disa gazeta dhe revista.