Garden of Muscle Queens titullohet ekspozita vetjake e artistit Shpëtim Kërçova, kuruar nga Genti Gjikola. Në muret e Gallery70- ës mbahen të ekspozuara 11 piktura vaji në të cilat subjekti kryesor është figura e gruas, ku trajtohen nga një tjetër dimension i saj: trupi. Ky cikël pikturash është një vazhdim i kërkimit të artistit kundrejt dimensioneve dhe fenomeneve të reja të përqendruara tek anatomia e tij (trupit). Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun nga data 10 mars – 5 maj, 2022.

...

Në këtë ekspozitë subjekti që trajton artisti ka të bëjë me figurën e gruas në botën e bodybuilding, dhe në tablotë e tij evidentohen procese si vëzhgimi dhe mahnitja. Bodybuilding është një sport i cili kërkon një dedikim të zgjatur në kohë dhe duke u nisur nga ky fakt, kuratori paralelizon këtë sport dhe veprën e artit. Sipas kuratorit, arritja finale ndërmjet sportit të bodybuilding dhe procesit të një vepre arti është gjykimi estetik mbi konstruktin fizik, mbi pozën, pozimin dhe unitetin kompozicional në muskulaturë. Ky lloj sporti kërkon spektator, zhvillohet për t’u vështruar, për të dalë në skenë, për t’u admiruar dhe artisti në këtë pikë zgjedh të jetë spektator i tij dhe njëkohësisht krijues që u lë shteg vëzhguesve të tjerë.

Në pikturat e Kërçovës vërehen trupa me muskulaturë të theksuar dhe disi të ashpër në dukje. Shpeshherë duket se hapësira në telajo është e pamjaftueshme për to dhe figurat janë të prirura drejt një lloj vertikaliteti duke i bërë ato të dalin jashtë kuadrit të saj.

Në këtë cikël imazhi i gruas herë shfaqet vetëm dhe herë si një grup i bërë bashkë.

Në tablotë ku paraqiten si një grup, kanë një ngjashmëri në kompozim dhe trajtesë me disa prej veprave botërore duke përmendur: Les Demoiselles d’Avignon të Picasso-s, ku qëndrimi dhe vështrimi i tyre ka një ngjashmëri të përbashkët; Work, Build and Don’t Whine nga Deneika përafrohet në kompozimin dhe shpërndarjen e dritës në tablo, gjithashtu edhe nga trajtesa e vetë subjektit në këto piktura dhe së fundmi Unique Forms of Continuity in Space vepër e Umberto Boccioni, si trajtesë e formës dhe qëndrimit të saj. Ndërsa kur paraqiten individualisht qëndrojnë në këmbë të pozicionuara si në skenë, me qëndrimin e tyre të zakontë dhe me shikimin e drejtuar nga shikuesi (publiku).

Këto imazhe të trajtuara në tonalitetet e rozës, kuqes dhe kafesë së zbehtë, janë të zhvendosura në natyrë bashkë me mjetet e tyre të punës dhe vihen në pah jo vetëm për nga ana kompozicionale dhe fizike por edhe si qenie individuale me prezencë reale.

*Shpëtim Kërçova (lindur më 1968) studioi pikturë dhe tekstil në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku më pas u diplomua në 1991. Shumë aktiv në ekspozita brenda dhe jashtë vendit, Kërçova në fillimet e tij eksperimentoi në mediume të ndryshme si instalimi dhe media të përzierë, por më pas ai u përqendrua në pikturat në vaj, zakonisht në seri. Nga viti 2000 ai është një nga artistët e njohur bashkëkohorë të vendit dhe pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë. Punimet e tij zakonisht analizojnë gjendjen njerëzore në hapësirën urbane, marrëdhëniet e tyre me natyrën dhe temat e globalizimit. Disa nga ekspozitat e tij të zgjedhura janë: ’03-’11 Onufri International Competition, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2002); Virtualbania, Pavel Haus, Austri (2007); My space Hause am Lutzoplawtz, Berlin, Gjermani (2008); Cosi vicina cosi lontana Villa Croce Genova, Itali (2009); Ekspozitë – personale, Zeta Gallery, Tirana (2010); “Zeta Art Center & Gallery at SUPERMARKET 2014”; Stockholm Independent Art Fair (2014); A landscape without horizon ekspozitë personale, Zeta Gallery, Tirana (2015); Qen / Trëndafila / Notarë dhe Piktorë / Mes Gjethnajës Galeria Fab, Tiranë (2021); Projekti Gallery70, Tiranë (2021).