Projekti “30yearsold”, i realizuar nga bashkëpunimi i tri institucioneve: Institutit Italian të Kulturës, Universitetit të Arteve dhe Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel, u përmbyll me ekspozitën (me të njëjtin titull) përbashkuese të ideatorit të projektit, artistit italian Eugenio Tibaldi, dhe bashkëpunëtorëve të tij, disa prej artistëve të rinj shqiptarë. Ekspozita qëndron e hapur në mjediset e galerisë FAB që prej datës 11 deri më 25 mars 2019. Shkrimi kuratorial i ekspozitës është hartuar nga Valentina Bonizzi.

Artistët e rinj pjesëmarrës: Ardit Boriçi, Aulon Naçi, Bib Frrokaj, Bleona Hafesllari, Egi Pipero, Ergys Vela, Gentjana Manuka, Mirjana Mecaj dhe Tamara Kurti, janë ata të cilët iu përgjigjën ftesës së artistit për të bashkëvepruar hap pas hapi, që prej hulumtimit rrugicë pas rrugice në kryeqytetin e Tiranës, në përpunimin e ideve, për të vijuar me krijimet përkatëse deri në përmbyllje të projektit përmes ekspozitës.

Pjesa qendrore e galerisë FAB përmban punimet e vetë autorit të projektit. Përfytyrimi i tij artistik shkon përtej paraqitjes besnike të asaj çfarë ka parë në Tiranën e vitit 2018-2019, duke pasqyruar përmes qëndrimit të vet, përmes përjetimit vetjak realitetin, rrjedhën që ka marrë organizimi i jetës përgjatë këtij 30-vjeçari në të gjitha drejtimet, por kryesisht në atë arkitekturor dhe shoqëror, fusha të cilat spikatin dukshëm, por që janë rrjedhojë e ndërthurjes së të gjithave fushave të mundshme ndërvepruese për mbarëveprimin e një shoqërie.

Dy pjesët anësore të galerisë FAB përfshijnë punimet e artistëve të rinj të cilat vijnë në formën e instalacionit, tingullit zanor, videos dhe fotografisë. Pothuajse në të gjitha punimet përcillet përshtypja e një vendi në ndryshim e sipër. Përgjithësisht, elementi njeri është i papranishëm në punimet shpërfaqëse në galeri. Punimet e veçanta që e përfshijnë njeriun janë në vetvete ndërthurje jo vetëm teknikash, por edhe kohësh.

Cilësuar nga vetë autori (A. Naçi) si rendi i kaosit, muzika (e kompozuar prej tij) shoqëron punimet në ekspozitë. Punimet trajtojnë si lidhjen kohore midis së kaluarës dhe së tashmes me shpresën për ndryshim – instalacion (B. Hafesllari, G. Manuka), po ashtu edhe lidhjen me trinitetin e shenjtë – instalacion me materiale ndërtimi (E. Vela). Dobësia e njeriut para sistemit politik vjen në ekspozitë në paralelizëm me sende delikate që nuk lidhen me kulturën shqiptare, përmes një këndvështrimi jo të zakontë (T. Kurti); ndryshimi në mendësinë shoqërore, i ndjekur nga ndryshimet në arkitekturë, rezulton zbulim për artisten (E. Pipero), zbulim të cilin ajo e pasqyron artistikisht përmes sipërfaqeve në ndryshim të Tiranës. Dhe në gjithë këtë ndryshim, vend me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm zë kujtesa e përbashkët – video (M. Meçaj).

Shqetësimi mbi kalimin politik dhe shoqëror të Shqipërisë, me pasoja të dukshme në jetën e qytetarëve të saj, vjen përmes një instalacioni (B. Frrokaj)  (rrjetëzim sendesh) që qëndron përmbi kryet e vizitorëve. Për rrjedhojë arsyetimi, realiteti i sotëm i Tiranës dhe jo vetëm është meritë e çdokujt, e rolit që gjithsecili luan në shoqëri. Në përputhje me këtë mënyrë të pari, qëndron edhe qëllimi bashkëveprues i projektit, për ta pasqyruar artistikisht nga disa këndvështrime të gjithë lëvizjen shoqërore shqiptare 30-vjeçare.