Platforma e Artit Bashkëkohor HARABEL ftoi artistët Flutura Preka & Besnik Haxhillari (Dy Guliverët) për bashkëbisedimin e radhës në kuadër të Projektit Manifesta 14 për Ballkanin Perëndimor, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian. Veprimtaria u zhvillua më 9 mars, 2022.

...

Dy guliverët gjatë bashkëbisedimit të tyre u përqendruan tek shembujt teorik të performancës duke u shprehur se performanca si praktikë është përbërësi i të gjitha formave të artit. Performanca sipas tyre është një art që i përket realitetit dhe një proces që kthehet në  aktivitet që përfshin disa veprime ku në thelb ndër më të rëndësishmet mbetet imazhi, produkti final. Krahas tyre folën dhe për disa teori nga Thierry De Duve (profesor belg i teorisë së Artit Modern dhe teorisë së Artit Bashkëkohor) ku në një artikull shkruante që performanca do të quhej: “të gjitha format e artit bashkëkohor që nuk janë as pikturë, as skulpturë, as teatër, as kërcim, as muzikë, as narracion,  por në të njëjtën kohë duke huazuar  nga të gjitha këto forma të ndryshme”. Gjithashtu një frazë të shkëputur nga Peggy Phelan (një nga themelueset e Studimeve Ndërkombëtare të Performancës) ku shprehet se “Jeta e vetme e performancës është e tashmja”.

Gjithashtu artistët folën edhe për rrugëtimin e tyre artistik, kryesisht të përqendruar në mediumin e performancës duke dhënë shembuj nga veprimtaria e tyre artistike ndër vite. Disa prej performancave të shfaqura titulloheshin: Bauhaus 1. Sleep: Adventure on the fog, Artspace, Peterborough (Ontario) 2009; Gullivers’s dream, Museum Moderner Kunst Vienna MUOK, 1999 – 2000; Bauhaus Nr.2, Gulliver’s Rehearsal, Loop Gallery, Toronto, 2011; Nightsea Crossing, Nathan Phillips Square, Toronto, 2011; Nightsea Crossing, Nathan Phillips Square, Toronto, 2013; Drawingmovingtable, Bale – Saint – Paul (Quebec) 2014.

Një tjetër pikë e ndalesës së tyrë gjatë bashkëbisedimit ishte dhe njohja me Artin e Kompozimit të Performancës, ndryshe PerformografiaPerformografia është një term i përdorur për performancën që prej fillimit të shekullit të ri dhe Dy Guliverët e sollën të trajtuar si dokumentim të performancave duke iu referuar karrierës së tyre artistike mbi 20 vjeçare.

* Dy Guliverët

Lindur në Shqipëri, Flutura Preka & Besnik Haxhillari, kanë studiuar artet pamore në  Tiranë, Lausanne, Berlin dhe Montreal (Master dhe doktoraturë në Université du Québec à Montréal). Që prej vitit 1998, ata krijojnë bashkë nën emrin e përbashkët artistik The Two Gullivers. Ata kanë shfaqur artin e tyre në Bienalen e Venecias (1999); After The Wall, Hamburger Bahnhof Berlin (2000); Bienalen e Pekinit (2005); VIVA Art Action (2006, 2010) në Montreal, Galerie Leonard & Bina Ellen në Montréal (2013),  Musée national des Beaux arts te Québec (MNBAQ) (2016) dhe në Musée d’arts contemporain de Montréal (MAC) (2018). Ata kanë qenë pjesë e Installation Art in The new Millennium (2003), East Art Map 2006) dhe në projektin e  Marina Abramovicthe Artist is Present (2010).

Flutura Preka (PhD) dhe Besnik Haxhillari (PhD), punojnë dhe bëjnë kërkime shkencore në art pranë Université du Québec à Trois-Rivières (UQTR), Kanada, dhe grupit të kërkimeve URAV (UQTR). Rezultatet e kërkimeve të tyre i kane bërë të njohura në shumë konferenca dhe botime internacionale. Kërkimet e tyre janë të fokusuara në procesin e krijimit dhe të gjenezës së artit të performancës nëpërmjet vizatimit përgatitor si dhe në çështjet e ribërjes në performancë dhe në artin bashkëkohor.