Nëse do të isha hajdut/e mban titullin ekspozita vetjake e artistes italiane Valentina Bonizzi, e ekspozuar në ambientet e Bazament Art Space. Kjo ekspozitë është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe do të mbahet e hapur për publikun gjatë datave 7 prill deri me 8 maj 2022, Tiranë.
Në ekspozitën Nëse do të isha hajdut/e artistja sjell një film të kapitullit 29-të të një plani për një skenar filmi dhe në vazhdimësi të tij, dy instalacione të vendosura përgjatë hapësirës së Bazament Art Space.
Në dhomën e parë në të majtë, shfaqet filmi me metrazh të shkurtër i cili bashkëshoqërohet me audio dhe titra që rrëfejnë narrativën e një ngjarjeje. Në këtë film, shfaqen dy aktorë të cilët ndodhen në një ishull të braktisur në brigjet e detit Adriatik, në kërkim të gjurmëve të mbetura prej historisë. Përmes këtij filmi, regjisorja donte të eksploronte se si mund të tregojmë mbi historinë e detit që e rrethon atë ishull, gjithashtu edhe për gërmimet e bëra në rrënojat e mbetura prej betoni në të.
Duke vijuar, në fund të korridorit të hapësirës janë të vendosura kubat prej betoni në të cilët gjenden të gdhendura skica në formë zemre, iniciale dhe data të ndryshme.
Ndërsa në dhomën e dytë ekspozohet një instalacion në të cilin mbahen të izoluara brenda një strukture horizontale prej xhami disa harta dhe informacione udhërrëfyese në kërkim të udhëzimeve të nxjerra për këtë film.
Nëse do të isha një hajdut/e është tashmë pjesë e kapitullit 29-të, të ndjekur prej artistes nga 29 janari i këtij viti.
*Valentina Bonizzi (lindur në Milano, 1982) aktualisht jeton në Tiranë dhe punon me një sërë mediumesh si: filmi, fotografia, letërsia, zëri dhe aksionet në hapësira publike. Bonizzi përfundoi një Master në Glasgow, School of Art dhe një doktoraturë në VRC (Universiteti i Dundee, DJCAD) për të cilin u nominua për çmimin Kërkimi më i Mirë në Film nga Këshilli i Kërkimeve të Artit dhe Shkencave Humane. Puna e saj përqendrohet tek gërmimi i arkivave dhe komuniteteve, gjithashtu vepra e Valentina Bonizzit nxjerr në pah çështjet e drejtësisë sociale në lidhje me politikën e kohës në kontekste specifike. Ajo ka zhvilluar punën dhe kërkimin e saj me komunitetet në Skoci, rajonin e Molise në Itali, Kampin e Refugjatëve Deheisheh në Palestinë dhe qytetin e Kamzës në Shqipëri. Ekspozitat e përzgjedhura përfshijnë: Autostrada Biennale, Prizren, Kosovë, MAXXI, Romë, Galeritë Kombëtare të Skocisë, British School në Romë, Stills Gallery në Edinburg dhe Fondazione Fotografia Modena. Ndër të tjera ajo ka prezantuar punën e saj në Akademinë e Arteve Ramallah, Palestinë, Akademie der Künste, Berlin, Cittadellarte Fondazione Pistoletto, Biella, Villa Romana, Firence, CCA në Glasgow.