Vela e Disfatës së Përhershme mban titullin ekspozita e artistit Genc Kadriu, me një shkrim kuratorial të Ervjola Selenica. Hapësira e Bazament Art Space mban të ekspozuara tetë krijime të reja të artistit, të cilat do të mbahen të ekspozuara për vizitorët nga data 19 maj deri më 12 qershor, 2022.

...

Vela e Disfatës së Përhershme ekspozon krijimtarinë e artistit përmes instalacioneve, audios, simboleve dhe fjalës. Veprat e artistit, estetikisht të kuruara, tejkalojnë tërësinë e dukjes së tyre, duke u thelluar në një koncept të përtejshëm. Ato shfaqen përmes ripërtëritjes së kreativitetit të evoluimit jetik. Duke i lënë hapësirë mistikes, në secilën prej krijimeve vërehet një elementi i përbashkët siç është dylli. Artisti e përdor dyllin herë për t’i dhënë formë sendeve dhe krijimeve të tij dhe herë krijon forma prej tij.

Në dhomën e parë të hapësirës është i ekspozuar intalacioni Pictura Somniferum (2022)ku vërehet një kockë femuri me përmasat reale të këmbës së artistit, e mbështjellë me dyllë dhe në të dy anët e saj gjenden disa gjethe dafine të djegura të cilat e bëjnë ambientin e errët akoma më mistik. Ndërsa në dy qoshet e hapësirës është instaluar një audio, prej së cilës një zë lexon disa fjalë nga shënimet që ka shkruar artisti për dëshirën e tij në marrëdhënie me pikturën.

Hapësira e dytë e Bazamentit është e mbushur me shtatë instalacione të tjera të ndërlidhura me relike dhe objekte të ruajtura prej periudhës komuniste. Në fund të korridorit, lidhës së dy hapësirave, janë të ekspozuara mbi dy pode dy kuti bizhuterish, ku në secilën prej tyre janë vendosur objekte specifike. Instalacioni Pjesët Pa Tërësi (2022) (Parts Without a Whole 2022) mban një fragment afresku të një kishe fshati, kushtuar mbrojtësit të shenjtë të poçarëve, dhe një fole grerëzash të poçarit bashkë me disa toptha te vegjël prej dylli, ndërsa Çekiçi i Padukshëm (2022) (Invisible Hammer 2022), ekspozon brenda kutisë disa “thonj” hekuri të marra prej një çatie të shembur të një kishe fshati, kushtuar shenjtorit Paraskevi, shëruesit të të verbërve.

Në vijim Delja e Zezë dhe Në Mes të Gishtave të Pendës kanë një estetikë të njëjtë me krijimet e lartpërmendura. Delja e Zezë e nëntitulluar Shkëlqimi i Diellit dhe Freskia e Hijes paraqet pesë mostra tonalitetesh të leshit të deles, nga më e errëta tek më e hapura, të vendosura brenda një kutie druri. Në kapakun e saj është skicuar grafiti i një plani B mbi një letër të vjetër. Ndërsa Në Mes të Gishtave të Pendës (2022) (Between My Finger And My Thumb 2022), një guackë e modeluar sipas asaj të Kunstformen der Natur nga Ernst Haeckel, ekspozohet në mes dy gishtërinjëve të artistit, atij tregues dhe atij të madh.

Me çdo Emër Tjetër (2021) (By Any Other Name 2021), mban të izoluara në xham dy shigjeta me kërcell gjëmbor të një trëndafili, fole grerëzash dhe pendë skifteri. Këto dy shigjeta të sjellin ndërmend paralelisht dëshirën e Kupidit dhe njëkohësisht parabolën e Budës mbi vuajtjen. Një tjetër instalacion në hapësirën e dytë është: Mëkatet e Tim Ati (2022) (Sins of my Father 2022), në të cilin vërehet rrëshira nga pishat e një rezervati natyror e vendosur në formën e një gjysmërrethi, teksa në mes është vizatuar në një letër alumini koka e një gjarpri në blozë, duke nënkuptuar ndërveprimin midis varësisë, fuqisë dhe kurthit që kanoset përreth. Ndërsa Vela e Ikjes së Përhershme 2021 (The Sail Of Permanent Escape 2021), ekspozon mbi një pod horizontal pesë krijime arkeologjike-autobiografike të ndërtuara prej lëvozhgave të arrave, fijeve të shkrepseve dhe gjetheve të dafinës, të cilat marrin formën e disa varkave minimaliste mbi dyllë, dhe një shkrim mbi letër kafe i vendosur në një kornizë me përmasa të vogla vjen si tejzgjatje e këtij instalacioni.

*Genc Kadriu është artist, shkrimtar dhe kurator nga Kosova. Praktika e tij ndërdisiplinore mund të përshkruhet si performim i objekteve, poezi e imazheve, dhe ripërpunim i historive që prekin rishpërndarjen e koordinatave të përvojës në format e ekspozitave dhe botimeve. Ekspozitat, bashkëpunimet dhe publikimet e tij janë pjesë e projekteve në WIELS, Bruksel, Bienales se Taipeit, Taiwan, Muzeut Ludwig, Budapest, SantralIstanbul, Stamboll, Galeria Kombëtare, Prishtinë, Galeria Exit, Claire de Rouen dhe Londër. Projektet poetike të Kadriut janë botuar e përkthyer në përmbledhje e publikime të ndryshme. Në vitin 2015 ai ka bashkëautorsuar me kuratoren Dr. Corinne Diserens katalogun e ekspozitës Out of the Blue në Prishtinë. Ka njëzet vite eksperiencë si kolumnist mbi temat e artit, arkitekturës, trashëgimisë kulturore dhe kompleksiteteve të tjera socio-politike në Kosovë. Gjithashtu Genc Kadriu është fitues i çmimit ndërkombëtar të fotografisë “Gjon Mili”, 2013.