Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel ftoi artistin pamor bashkëkohor Helidon Gjergji për një bashkëbisedim, më 3 korrik 2019, në mjedisin “Kino”, në Tiranë. Helidon Gjergji renditet ndër artistët që kërkon përherë një rrugë të re (pikturë, media-instalacion, art urban), për të përçuar pikëpamjen e vet mbi çështje me natyrë historike, politike, shoqërore etj.

...

Gjatë takimit, artisti u përqendrua te tri nga projektet paraqitëse (ekspozuese) të tij, përkatësisht: “Trapa Natans Scutariensis”, “Spiced” dhe “Condimentos”, punime në thelb të të cilave qëndron shqyrtimi i tipareve të brishtësisë dhe depërtimit të kufijve; punime të cilat kanë të bëjnë me idenë e të jetuarit në kufi, aty ku etnitë, kulturat dhe fetë ndahen e bashkohen.

“Trapa Natans Scutariensis” ka në qendër Liqenin e Shkodrës si një organ gjeografik i cili ndan dhe bashkon dy vende fqinje; si një amfiteatër natyror që dëshmon rrezikshmërinë bashkëkohore, rrezik që buron prej mosnderimit të natyrës.  (Rreth 144 lloje kafshësh e bimësh janë të rrezikuara në Liqenin e Shkodrës. Më simbolikja prej tyre është Trapa Natans Scutariensis.) Ky është shqetësimi ekologjik.

Paralelisht me të ecën vija politike në rrugën e historisë. Retushimet (spastrimet) në fotografitë historike të personaliteteve politike, në qeveri e periudha diktatoriale, duke zhdukur nga arkivat pjesëmarrjen e kundërshtarëve politikë, përbën një shqetësim më vete, ndoshta po aq të rëndësishëm sa zhdukja e elementeve në zinxhirin natyror. Gjithsesi, të dyja llojet e zhdukjeve janë vepër e njeriut, falë papërgjegjshmërisë dhe ambicies së tij.

“Spiced” dhe “Condimentos” janë vepra/ekspozita të cilat janë kryer në hapësira të ndryshme artistike, në kushte të ndryshme fizike (dritë dhe errësirë), por në thelb mbartin të njëjtin kuptim: vendosjen e një sërë erëzave në radhë njërën pas tjetrës: borzilok, piper i zi, karafil, kamomil, kanellë, kopër, xhenxhefil, arrëmyshk, rigon, majdanoz, nenexhik, piper i kuq, rozmarinë, shafran, sherebel, trumzë, shafran i Indisë, spec i bardhë etj. E gjithë kjo përbën një tërësi peizazhesh aromatike, një përzierje të fortë aromash të erëzave që përdoren nga bashkësi të ndryshme etnike, por që përdorimi i tyre është ai tipar i cili na ndërlidh të gjithëve, sado të ndryshëm qofshim.

Të tria projektet nxjerrin në pah kuptimin se kufijtë janë të rremë dhe, shpesh, urat ndërlidhëse sulmohen e me gurët e tyre bëhen mure. Projektet në fjalë janë pasqyrim i përplasjes mes nacionalizmit e kozmopolitanizmit, thelb ky i politikës së sotme kombëtare e ndërkombëtare.

* Helidon Gjergji ka paraqitur punimet e tij në: Bienalen e Venecias (52); Manifesta 8 (Murcia, Spanjë); Bienalen e Tiranës (1 dhe 4); Festivalin e Ideve 1 – New Museum (Nju-Jork / NYC); Bienalen e Arkitekturës në Venecia (12);Bienalen e Projektit 3 (Konjic, Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe në shumë shtete të tjera si Greqi, Hungari, Kosovë, Maqedoni, Francë, SHBA, Spanjë dhe Rumani. Puna e tij është shqyrtuar dhe paraqitur në ArtforumArt në Amerikë, në revistat: MousseSculpture,ContemporaryFlash ArtDomus, etj. Së fundmi, Helidon Gjergji jep mësim në SUNY Old Westbury në Nju-Jork (New York), kurse në të kaluarën ai ka dhënë mësim në Shkollën e Dizajnit Parsons, në Shkollën  e Institutit të Artit në Çikago, në UniversitetinNorthwestern dhe Universitetin Northeastern Illinois. Helidon Gjergji ka mbajtur leksione rreth punës së tij në Universitetin e Harvardit; në Teachers College – Universiteti i Kolumbias; në Shkollën e Dizajnit Parsons, në Shkollën e Institutit të Artit në Çikago, etj.