Platforma e Artit Bashkëkohor Harabel priti mbrëmjen e 21 majit 2019 kuratoret Maria-Thalia Carras dhe Olga Hatzidaki, të cilat janë midis të tjerash themeluese dhe drejtuese të organizatës së pavarur të artit bashkëkohor me vendndodhje në Athinë “locus athens”, krijuar më 2004.
Në thelb të ligjërimit të tyre gjatë bashkëbisedimit ishte njohja me veprimtarinë e organizatës “locus athens” interesi i së cilës sillet rreth kthimit të fushës publike në hapësirë artistike: nga vendet e harruara dhe ndërtesat publike tek institucionet e vogla private dhe vendndodhjet që krijojnë ngacmim – gjithmonë në ndërveprim me fuqinë shndërruese të artit bashkëkohor. Vetëm disa nga vendet që janë vënë në veprim nga “locus athens” në vitet e fundit janë: xhamia Tzisdaraki në Athinën qendrore, terminali i anijeve në portin e Pireut, shkolla, zyra ndërtesash, sheshi “Monastiraki”, shkollat “Doxiadis” dhe shumë vende të panjohura rreth qytetit.
Veprimtaritë e organizatës “locus athens” janë prirur vazhdimisht drejt çështjeve/vendeve që krijojnë mundësi për hulumtim mbi tërësitë historike, politike dhe kulturore të Athinës, Greqisë dhe rajonit gjerë. Veprimtaritë në fjalë përfshijnë: ekspozita, bashkëbisedime, shfaqje, punëtorì, botime, libra për fëmijë, banesa dhe projekte komunitare.
Kjo, sepse qëllimi i tyre në vijimësi është pasurimi i veprimtarive, duke zgjeruar qasjen kuratoriale të organizatës “locus athens”, duke shpërfaqur artin bashkëkohor ndaj një audience më të gjerë, si dhe ndërveprimin mes tyre, artit bashkëkohor dhe ndjekësve.
Ndër projektet e tyre të shumta renditen: Geometries, Araf, NP or the possibilities of a life, Tripoli Canceled, The Thickness of Time, Chroachym, (young) Aigaleo City, Romeo and Juliet in Aigaleo, I/E Elefsis, Liquid Library, In the City, Aigaleo City, The Space Between, 1966, A Child’s Attic and other Antics, Silent Space Stand Still, A Gathering, Amateur Bicyclism, Sampling, Disco Coppertone, Nothing Really Matters When You Wear A Big Moustache, Dialogue III, Dan Perjovschi, Dialogue II, 7 Performances & A Conversation, Anti-maimouisme.
Disa prej veprimtarive të sipërpërmendura janë shoqëruar edhe me botimet përkatëse, duke krijuar kështu një pamje të plotë të asaj që organizata “locus athens” merr përsipër brenda fushës së artit bashkëkohor.