Valentina Bonizzi sjell ekspozitën vetjake “Gjendja kalimtare e ngjarjeve të mundshme”, kuruar nga Luisa Perlo, në galerinë “Zeta”, në Tiranë (28 shkurt – 22 mars 2019). Ligji dhe mënyra si mbarëvepron (ose jo) ai në shërbim të shoqërisë. Ky është filli përshkues i ekspozitës, e cila merr jetë përmes video-instalacionit. A është ligji i hapur? A është i hapur për të gjithë? Para së gjithash, a e dinë njerëzit që duhet dhe mund të hyjnë në ligj? Nëse duhet dhe nuk munden, a e dinë se duhet t’i krijojnë vetë mundësitë? Pikërisht për të gjitha këto pikëpyetje, mbështetje e fortë për artisten Bonizzi bëhen fjalët e shkrimtarit Franc Kafka, shkëputur nga romani i tij “Procesi”. Dhe rrinë mirë pamjet e ndërtesës së Kryeministrisë (si shenjim i pushtetit) si plane ilustruese për mendimet e Kafkës ose anasjelltas.

...

Nga zbërthimi i kumteve të tij (Kafkës) vihet në dukje paaftësia e njeriut për të ndërtuar një botë të drejtë për vetveten. Sigurisht, vështirësitë e krijuara prej tij (njeriut) duhet të shkelmohen po nga ai vetë, por kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që atë (njeriun) e frikëson më shumë paralajmërimi sesa e josh ftesa për të hyrë në ligj, pavarësisht ndalimit të mundshëm prej të përngjashmit të vet. Tingëllon e habitshme prania e rojes së ligjit, sepse ligji në vetvete është ruajtës. Në këtë lojëz të mbyllur ku roja ruan ligjin dhe ligji ruan njeriun, shkallët e ashtuquajtura të ulëta të shoqërisë janë ato që duhet të mendojnë për shmangien e krijimit të shkallëve, pra, të rojtarëve të fuqishëm dhe të vetë të plotfuqishmëve.

Puna qendrore (“Homage to Kafka” / “Homazh Kafkës”), në përmbajtjen e saj, por edhe të vendit që zë në hapësirën ekspozuese, vjen e sendërtuar përmes ekranit në qendër të galerisë dhe shkrimit (të stenografuar) rrugëtues rreth e përqark ekranit përmes një pëlhure.Prania e himnit në video shënon tiparin kombëtar të saj, kurse fjala e përdorur në të atë ndërkombëtar, duke zgjeruar përmasat: e gjithë kjo nuk i flet shoqërisë së një hapësire, por njeriut të çdo kohe. Stenografimi i shkrimit të Kafkës prej punonjëses, krejt i palexueshëm me sy të lirë, dëshmon se ajo çka shohim/dëgjojmë është e kuptueshme, nëse kemi dëshirën dhe vullnetin për ta deshifruar.

Tjetër ironi kafkiane përbën këmbëngulja pasive, e cila lind pyetjen: Sa kohë shpërdoron një shoqëri, pa ditur si ta përmirësojë vetveten? Dhe për më tepër, a mësohet kjo (dëshira për përmirësim)? Një lloj mjegullnaje endet si në fjalë, po ashtu në pamje brenda videos. Gjithçka, në pamje dhe tinguj, rrjedh qetësisht, si të shihet prej syve të një të pavdekshmi (ashtu si roja) teksa planet nga hyrja e ndërtesës së Kryeministrisë vazhdojnë të paraqesin pastrim të vazhdueshëm, pastrim. Roja i përjetshëm dhe fshatari i vdekshëm; herë pas here, stenografja në veprim. Tkurrur deri në embrion, kjo video, në tërësinë e saj, dëshmon se si njeriu gjallon në mosveprim, përgjithësisht.

“Kanuni i atyre” dhe “Ligji” janë dy veprat e tjera të përfshira në ekspozitë, të cilat shqyrtojnë forcën e ligjit, së pari në mendësinë shoqërore e më pas në veprim në të mirë të bashkëveprimit shoqëror përgjatë përditshmërisë. Në lidhje me këtë pjesë, teksti kuratorial shpreh: “Por çfarë ndodh kur një forum vendoset në kufijtë e shoqërisë, në periferi? A prodhon dije? Nga këto reflektime lind vepra “Forumi i Atyre”, i prodhuar në bashkëpunim me grupin e veprimtarëve të grupit “ATA”, të cilët u japin jetë një sërë diskutimeve mbi qëndresën kulturore në Kamëz. Videot janë përfundim i një studimi mbi qytetin si sistem normativ, nëpërmjet rregullave të shkruara dhe të pashkruara të zakoneve shoqërore dhe patriarkale, që veprojnë në territorin urban të Kamzës. Gjithë kjo ndodh gjatë një cikli laboratorësh dhe veprimtarish të përbashkëta me grupin “ATA”, me një grup banuesish të rinj, si edhe me artistë e veprimtarë të tjerë.

Në ekspozitë, të dyja tregimet, qendrore dhe periferike, bëhen plotësuese: sistemi i pushtetit në të cilin jetojmë, përcillet përmes fjalës së shkruar dhe shprehjes gojarisht; e përhershmja dhe e përkohshmja, ajo që duket konkrete dhe fluide jeton bashkë me individin dhe komunitetet. Hapësira mes këtyre kuptimeve është vendi ku vepra artistike vendos fuqinë e saj poetike, duke e cilësuar të pashkëputshme marrëdhënien tonë me ligjin dhe përcjelljen e tij.