Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvillon prej datës 11 deri më 28 shkurt 2019 ekspozitën “Vajzat e fuqishme të Ballkanit”, e cila është rrjedhojë e një nisme që përfshin pesë organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi, udhëhequr nga Instituti për Kontratën Shoqërore (SCI). Vajzat nga pesë vendet e Ballkanit janë mbështetur nga “Western Balkans Fund” dhe kanë dokumentuar përmes 57 fotografive jetën, ëndrrat dhe këndvështrimin mbi ardhmërinë e tyre. Nga vetë emërtesa e ekspozitës, del se synimi i saj është shpërfaqja e qenësisë femërore në të gjithë rrezatimin, ashtu si dhe në të gjitha skutat e qenies së vet.

...

Temat rreth të cilave vërtiten fotografitë janë ato të lirisë; vetmisë; ndjeshmërisë së lartë në një botë plot egërsi; kundërshtimit të kësaj egërsie; tjetërsimit (në qëndrime gjinore) si mënyrë mbrojtjeje dhe mbijetese, joshjes si mënyrë mbijetese ose dëshmie dëshpërimi; forcës për të dashur jetën, të renë dhe të bukurën, përjashtimisht zhgënjimit dhe shtypjes. Dhe së fundmi, keqardhja më e madhe shkon për atë çka është e munguar në ekspozitë dhe jo vetëm, lirizmin. Larminë përfshirëse, për sa i përket prejardhjes së autoreve, e shoqëron larmia e ndjesive që përcillet prej krijimeve përkatëse, të cilat, në të shumtën e kohës, janë të kërkuara, të krijuara, por jo të qëmtuara nga rrethana të vërteta, së paku, ato që dëshmojnë dhunë, ushtruar prej gjinisë tjetër.

Në një ekspozitë ku nuk mungojnë ngjyrat, figura femërore përfaqësohet kryesisht përmes së kuqes (si shenjim i jetës) në bardhezi. E fortë, anipse e brishtë; e rëndësishme, paçka se përpjekjet shpërfillëse ndaj saj nuk mungojnë; ajo që vë në lëvizje botën, pavarësisht se peshën e jetës nuk e mban e vetme. Dhe të gjitha këto mendime sendërtohen përmes shkrepjeve të “vajzave të fuqishme të Ballkanit”. Ekspozita ngacmon gjithashtu habinë se si në mijëra vjet zhvillim lumturia e gruas është e rrallë dhe mashkulli, i cili ngjizet në trupin e saj, e dhunon deri edhe forcërisht atë; kurse ajo vetë, përgjatë rrugëtimit jetësor, ka nevojë të marrë formë mashkullore për t’u parë me vlerësim e për t’u pranuar gjerësisht nga shoqëria.

Dhe rebelimi i saj vijon të ngelet i pazëshëm përgjithësisht. Në paraqitjen e brezave femërorë në ekspozitë, krejt qartë përvijëzohet shuarja e buzëqeshjes së saj nga hapat e parë në ata të fundit në jetë; ndihet dukshëm se si zhduket feminiliteti, për t’i lënë vend egërsisë; ose-ose nën petkun e besimit fetar krijohet nënshtrimi i dyfishtë: ndaj Krijuesit të Qiellit dhe ndaj të krijuarit të saj, mashkullit. Ekspozita “Vajzat e fuqishme të Ballkanit”, e cila bashkon kulturalisht vende të ndryshme ballkanike, është kuruar nga artistja anglo-shqiptare Lala Meredith-Vula.