Alessandra Pioselli (Alesandra Piozeli), kritike arti dhe kuratore, mbajti një ligjëratë në mjedisin e Platformës Harabel, në 6 shkurt 2019, në Tiranë. Duke iu përmbajtur librit të saj “Arti në hapësirën urbane. Përvoja italiane prej vitit 1968 deri më sot”, Pioselli u përqendrua në tri artistë, duke analizuar disa prej punëve të tyre.

...

Duke filluar me artistin Franco Airaudo, një artist i cili përpiqet të vërë në pah lidhjen e njeriut me natyrën, kritikja Pioselli solli në vëmendje veprën e tij “Logos tu stauros”. Një vepër e cila në vetvete përmban disa akte: atë të shkatërrimit të një kryqi të braktisur nga vëmendja shoqërore, copëtimit të tij në po aq pjesë sa edhe shtëpitë e krahinës së cilës i përkiste dhe shpërndarjes së çdo copëze në secilën prej shtëpive, duke e shndërruar atë send me përmbajtje fetare krejtësisht të harruar në një send me rëndësi shpirtërore për secilin nga banorët e zonës.

Elisa Vladilo, është një tjetër artiste që solli në vëmendje kritikja e artit Pioselli. “My favourite place” (“Vendi im i parapëlqyer”) është vepra e artistes mbi të cilën kritikja u përqendrua më tepër. Në këtë vepër spikat dhënia e ngjyresave të reja kuptimore pikërisht përmes ngjyrës, si mjet shprehës i artistes. Ngjyra blu e përdorur në vepër nuk është një zbukurim, porse një mënyrë përcjelljeje e vlerave, ndjenjave dhe qëndrimeve pozitive, të lumtura.

Vendosur në një vend që lidhet dukshëm me qiellin dhe detin, vepra e Vladilo-s përpiqet t’u largohet kushtëzimeve marrëveshjësore shoqërore dhe përpiqet të lidhë edhe më njeriun me pafundësinë, me më tepër buzëqeshje. Në po këtë frymë vjen edhe vepra tjetër e Vladilo-s, “Rima d’origine” (“Rima prej prejardhjes”), një shtresim ngjyrash përtokë, në të cilin janë ftuar 31 gra të shkruajnë një poemë nga vendi i tyre i prejardhjes.

“Voliera per Umani” është vepra e artistit italian Giuliano Mauri. Një hapësirë rrethore, një lloj kafazi i hapur, bërë tërësisht nga ndërthurja degëve dhe trungjeve të pemëve. Një instalacion që në qëllimin e artistit është menduar si i përkohshëm, çka do të thotë se do të ekzistojë në atë vend deri në zhdukjen e vet natyrore. Në përgjithësi, arti i tij synon të ndërhyjë në peizazh, duke ndërtuar instalacione që paradoksalisht nxjerrin në pah botën e tij shpirtërore.