Në galerinë FAB, në kohëzgjatjen 17 – 30 janar 2019, Maks Velo (arkitekt, piktor, shkrimtar, studiues dhe veprimtar) vjen me ekspozitën vetjake “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë”, kurator i së cilës është Mikel Temo. Në hyrje të galerisë, ekspozita mirëpret me një statujë në çift. Ka pak identifikim individual në të. Më së shumti ajo përgjithëson, sipas artistit, dyshen mesdhetare, e cila paraqitet në mënyrë elegante, delikate, por hijerëndë.

...

Ngjyrat dhe lëvizjet mundësojnë të pamundurën në ëndërrimin artistik të Maks Velos. Ato u japin formë ngjarjeve të ndryshme, që, pasi kanë lënë gjurmë në kujtesë, janë përthithur e përpunuar në kohë, nën ndikimin e të tjerë treguesve, për t’u riprodhuar kohë pas kohe në një mënyrë a një tjetër. Nuk janë të munguara ngjyrat as në tema të rënda si ajo e burgut, çka dëshmon një lloj këndvështrimi filozofik, rrjedhojë e përvojës së lëndimit të njeriut prej njeriut, ndriçuar tashmë nga urtësia që sjell koha. Pjesë e gjuhës së tij artistike është edhe ngjyra e artë e ikonave biblike, rrënjosur në kujtesë po prej kohës së kundrimit fëmijëror.

Lëvizja e pandërprerë, e pranishme në tablotë e kësaj ekspozite, duket sikur prek kujtimet e çdo kohe dhe gjendjeje shpirtërore e morale, për të sjellë një sërë temash të cilat marrin nxitje nga gjurmët që kanë lënë në kujtesë shfaqjet akrobatike të cirkut dhe ato të karnavaleve të Korçës; nga përjetimi i mungesës së lirisë; nga nudoja femërore, e cila zë një vend të rëndësishëm në ekspozitë. Nudoja e Maks Velos është lakuriqësisht e paqtë; atë nuk e përveçon të qenët e hajthme, por është përgjithësisht e ndjeshme. Një nga nudot e tij vjen e shoqëruar nga autori vetë, kompozim të cilin autori e cilëson të parin të kësaj natyre në artin pamor shqiptar.

Tema e portretit ka marrë vëmendjen e vet në ekspozitë. Ajo që spikat është “Vajza pa sy”, një prej pikturave të djegura prej regjimit diktatorial, të cilën autori e ka risjellë në jetë, falë një fotografimi. Nuk mbeten jashtë as përjetimi artistik mbi ngjarjet e natës së Shën Bartolomeut (festive dhe masakruese); as ndjeshmëria e artistit mbi marrëdhënien mes natyrës dhe njeriut, harmonisë dhe luftës që lulëzon herë pas here midis të dyve.

Në pikturën e Maks Velos nuk është i rëndësishëm qartësimi i tipareve, porse gjendja të cilën ai synon të përcjellë. Më së shumti, qendra e vëmendjes së tij (artistit), nuk është individi, por shoqëria, e cila ndikon ndjeshëm në formimin dhe aftësinë kundërvepruese të tij (individit), duke e parë atë (njeriun) njëherazi shkaktar dhe viktimë të fatit të vet, të paracaktuar, por edhe të vetëkrijuar. Krijohet përshtypja se në përjetimin artistik të Maks Velos shoqëria shihet si një ndërthurje midis thjesht gjallesës nga një anë dhe qenies së përpunuar nga ana tjetër, çka përbën një koklavitje të pazgjidhshme për shoqërinë njerëzore.

* Maks Velo ka lindur nga prindër shqiptarë në vitin 1935 në Paris. Pas rikthimit të familjes në vendin e origjinës, në Korçë, ai arsimohet për t’u diplomuar në vitin 1957 në Fakultetin e Inxhinierisë në UT. Ushtron profesionin duke krijuar ndërtesa të ndryshme (shkolla, kinema, hotele dhe parqe në Tiranë). Dënohet në vitin 1978 me 10 vjet burgim (Spaç) dhe punë të detyruar, me akuzën për prirje moderniste në projektet e tij. I digjen 246 vepra dhe i konfiskohen katalogjet e librat sipas vendimit gjyqësor. Maks Velo ka çelur 40 ekspozita në Shqipëri, Francë, Poloni, SHBA etj. Sot ai jeton dhe krijon në Tiranë, duke qenë i pranishëm në çdo ngjarje shoqërore.