Galeria Kombëtare e Arteve sjell që prej 12 tetorit 2018 deri më 12 janar 2019 ekspozitën “Kolazhe dhe Edicione” të artistes gjermane Ruth Wolf-Rehfeldt. Ekspozita është kuruar nga Sven Spieker, kurse dizajni i saj është realizuar nga Johanna Meyer-Grohbrüegge. Poezia pamore dhe arti postar janë fushat rreth të cilave priret artistja në veprimtarinë e saj. Për t’i dhënë jetë këtij lloj arti asaj i vijnë në ndihmë makinat e shkrimit, një mjet jo i zakontë për të prodhuar art. Pikërisht me këtë mjet, artistja krijoi shkrime dhe vizatime njëkohësisht. Nisur nga profesioni i saj (daktilografiste), por kushtëzuar edhe nga rrethanat historike në të cilat veproi artistikisht (vitet ’70, RDGJ), natyrshëm ajo nisi të punojë në një mënyrë të ftohtë dhe të largët në dukje, jo lehtësisht të zbërthyeshme. Pas rënies së Murit të Berlinit, artistja Ruth Wolf-Rehfeldt resht së krijuari me mendimin se ky lloj arti nuk ishte më i nevojshëm.

...

Ekspozita bazohet në dy drejtime kryesore të krijimtarisë së artistes: kolazhet dhe edicionet. Të parat janë punë të krijuara në letër të cilat ndërthurin shkrimin me figuracionin, duke gërshetuar makinëshkrimet (typewritings) me pamje dhe copëza të grisura nga revistat dhe gazetat, bashkë me riprodhimet e pikturave të saj të hershme në bardhezi. Kolazhet janë krijuar edhe përmes ndërthurjes midis zinkografisë, kartonit dhe akuarelit. Edicionet në ekspozitë janë pasqyrim i shumëllojshmërisë së punëve me makinë shkrimi të artistes, duke nisur nga letra që vizualizojnë kuptimin e një fjale e deri te punët ku shkronjat dhe shenjat e tjera të pikësimit përdoren, para së gjithash, për shkak të tipareve grafike (dhe jo kuptimore) që ato kanë. Shndërrimi i germave standarde në valë të lëvizshme, tërësi shenjimesh (simbolesh) dhe skema të ndryshme i japin veprës së saj karakter arkitekturor dhe të veçantë.

Gjuha gjeometrike e ekspozitës, si dhe përdorimi i kufizuar i numrave duket sikur pasqyron shtypjen e shoqërisë prej diktaturës së kohës. Artistja nuk e fsheh të vërtetën se ndihej e kufizuar nga mbikëqyrja e rreptë e regjimit nën të cilin jetonte. Në përforcim të kësaj ideje vjen edhe përdorimi mbizotërues i ngjyrës gri në ekspozitë, përdorur për vitrinat paraqitëse, në të cilat qëndrojnë punimet artistike. Vetë vitrinat paraqitëse (gjithsej 24) dallohen gjithashtu për nga format e ndryshme gjeometrike sipas të cilave janë krijuar dhe të gjitha së bashku rikrijojnë një ndër pamjet e prodhuara nga vetë artistja. Pjesë e ekspozitës janë edhe 51 punë të ndryshme (riprodhime bashkëpunimesh të punëve të artit postar) paraqitur përmes diapozitivëve, prodhuar nga galeria “ChertLüdde” (2016, Berlin), si dhe një intervistë me artisten, prodhuar nga Lutz Wohlrab (2016).

Vetë artistja, në vitin 1971, e cilëson shprehjen pamore-gjuhësore të mendimeve, ndjeshmërive, qëllimeve, etj., përmes makinës së shkrimit, një shembull bashkëkohor të veprimtarisë artistike. Ajo mendon se përparësia e kësaj mënyre të të shprehurit qëndron në ndjekjen e një ideje apo shqetësimi, edhe kur nuk e ke mendjen gjithmonë tek arti apo edhe nëse nuk ke studiuar art, duke shtuar se ky lloj prodhimi të përfshin në një lojë të jashtëzakonshme.

* Ruth Wolf-Rehfeldt ka lindur më 1932 në Wurzen të Gjermanisë. Është trajnuar për menaxhim biznesi dhe përdorim të makinës së shkrimit. Pasi zhvendoset në RDGJ, ajo nis punën si artiste e pavarur në vitin 1971. Përfshihet në artin postar dhe pas ekspozitës së parë personale në Varshavë bëhet pjesë e Shoqatës Zyrtare të Artistëve. Në vitet ’70-’90 krijon ato që i quan makinëshkrime, kurse në vitin 1981 prodhon kolazhet e para të bazuara në makinëshkrime. Pas rënies së Murit të Berlinit (1989) Ruth Wolf-Rehfeldt i jep fund karrierës si artiste.

* Sven Spieker jep mësim në Programin e Letërsisë Krahasuese në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. Ai është specializuar në artin dhe  letërsinë moderne e bashkëkohore, me  ndikim në Rusi dhe Lindjen  Qendrore të Europës. Librat dhe artikujt e tij janë botuar në gjuhën gjermane, koreane, ruse, suedeze, polake dhe angleze. Spieker-i është redaktori themelues i “ARTMargins Print” dhe anëtar i grupit redaktues që udhëheq “ARTMargins Online”.

* Johanna Meyer-Grohbruge është një arkitekte gjermane e cila jeton dhe punon në Berlin. Pas diplomimit të saj në ETH Zurich (Zyrih, Zvicër), ajo punoi për SANAA në Tokio për 5 vjet. Në vitin 2010 ajo bashkëthemeloi “June14 Meyer-Grohbrügge & Chermayeff” me Sam Chermayeff (www.june-14.com). Që nga viti 2015 ajo punon për projekte në emrin e saj. Johanna jep mësim te “DIA Dessau”. Më herët, ka dhënë mësim në “Washington University St Louis” dhe “Columbia GSAPP”.