Ekspozita “Prolog/Epilog” e artistit Kristo Krisiko, hapur në galerinë FAB që prej 19 dhjetorit 2018 deri më 9 janar 2019, në Tiranë, vjen e kuruar nga Ardian Isufi dhe Sadik Spahija. Krijimtaria e paraqitur në këtë ekspozitë prek dhjetëvjeçarët para dhe pas viteve ’90, për pasojë, kufizimin prej regjimit dhe artit socialist së pari e së dyti, mërgatën në vendin fqinjë, Greqinë. Sidoqoftë, ka një fill përshkues në gjithë veprimtarinë e tij artistike dhe kjo është shpërfaqja e njerëzores, duke vënë më së shumti në pah hiret femërore, lakimet përkatëse të saj, joshjen dhe forcën njëherazi.

...

Ndonëse artisti është përpjekur t’i shpëtojë “kurthit” të pasqyrimit të “njeriut të ri socialist” duke u përqendruar në botën njerëzore më shumë sesa në lëvizjen shoqërore, ndihet mungesa e lirisë artistike në krahasim me krijimtarinë e viteve të pas ’90-s. Porse nuk është e vështirë të ndihet e njëjta ndjeshmëri në krijimet e dy kohëve, pavarësisht ndryshimit në zgjedhjen e “gjuhës” shprehëse. Në vitet pas ’90-s forma shprehëse bëhet më pak e kuptueshme drejtpërsëdrejti, por njëkohësisht sensualiteti me të cilën shfaqet tashmë figura femërore është shumë më i ndjeshëm e i dukshëm.

Një tjetër tipar dallues midis krijimtarisë së tij të dy kohëve është qëndrueshmëria dhe lëvizja. Krijimet e tij brenda realizmit socialist janë të pastra, pa shenjimet (simbolet) detyruese të kohës, megjithatë ato priren drejt meditimit kryesisht, ndërsa krijimet e mëvonshme përsillen rreth abstraktes dhe paraqesin shndërrime përvijimesh përgjithësisht, pra, këto krijime lundrojnë në lëvizje të përhershme.

Figura femërore është e pranishme si në hapësirën e çrregullt në galeri, e cila i përngjason ateliesë së artistit, po ashtu në këndin emërtuar “Alfabeti i dashurisë”, për të vijuar me objektet e stërmëdha në mjedisin e brendshëm të galerisë FAB, si dhe në atë të jashtëm të Universitetit të Arteve. Harmonia ndërvepruese mes gjinive shpërfaqet sidomos në pjesën qendrore të galerisë nëpërmjet basorelievit paracaktuar për Bankën e Shqipërisë (1988-1990), basoreliev i cili përmban figura rinore plot gjallëri, në lëvizje. (Projekt i paracaktuar për Bankën e Shqipërisë, por i parealizuar institucionalisht, për arsye të ndërrimit të sistemeve politike.)

* Kristo Krisiko ka lindur në Libohovë, Gjirokastër, në vitin 1938. Ai është skulptor shqiptar dhe ka punuar si piktor në fabrikën e porcelanit në Tiranë (1958-68), para se të studionte në Departamentin e Arteve të Aplikuara në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës (1969-73). Pas diplomimit, ai u përqendrua në qeramikë, përfshiu skulpturën, duke zgjeruar kështu fushën e tij krijuese. Puna e tij është e njohur për stilizimin e shquar të figurave, si dhe për ndërlikimin e modeleve gjeometrike.