Universiteti i Arteve dhe Fakulteti i Arteve të Bukura zhvilloi veprimtarinë kulturore “Proces” duke nisur prej datës 29 nëntor deri më 16 dhjetor 2018 në mjediset e galerive “FAB”, “Kalo” dhe “Zenit” në Tiranë. Kuruar nga Ilir Kaso, kjo veprimtari emërtohet kështu, pasi, siç ai shprehet në tekstin kuratorial: “…procesi krijues është element thelbësor në veprimtarinë artistike të secilit prej nesh”.

...

Pikërisht sepse arti nuk mund të thjeshtohet te shuma e aftësive teknike, pyetja që ai ngre, shkon në drejtim të shkollave bashkëkohore të artit për llojin e dijes dhe mjeshtërisë që përcillet në to. Për rrjedhojë, lind edhe propozimi i Kasos për ta kthyer hapësirën e ekspozimit në një hapësirë eksplorimi ku mund të ndihet procesi krijues i veprës më shumë sesa përkufizimi përfundimtar i saj. E gjithë kjo zë fill nga seria fotografike që artisti shqiptar me famë botërore, Gjon Mili, i bëri Pikasos, një fotografi prej të cilave zë vend në hyrje të galerisë “FAB”.

Kjo veprimtari paraqet ecurinë krijuese ndërthurur me anën pedagogjike dhe atë shkencore. Ajo mbart në vetvete: simpoziume, punëtorí dhe biseda të hapura mbi çështje arti dhe pedagogjie, në të cilat marrin pjesë pedagogë (të prirur drejt studimeve shkencore) dhe ish-studentë të Universitetit të Arteve. Për më tepër, veprimtaria “Proces” paraqitet para publikut edhe me pikturën, skulpturën, instalacionin, fotografinë dhe video-artin.

Artistët dhe profesorët e Universitetit të Arteve: Albes Fusha, Arben Bajo, Ardian Isufi, Ardian Pepa, Edison Çeraj, Edmond Gjikopulli, Ergys Krisiko, Ermal Baboçi, Fatmir Miziri, Florian Haxhihyseni, Gazmend Leka, Harri Aleksi, Kreshnik Xhiku, Merita Selimi, Mikel Temo, Orlis Vathi, Sadik Spahija, Shpëtim Kërçova, Viktor Ferraj, Vladimir Llakaj dhe Vladimir Myrtezaj bëhen pjesë e një veprimtarie që ecën në hapësirë dhe kohë. Në këtë ekspozitë profesorët e arteve bëhen pjesë me punime të reja, por edhe të punuara në vite.

Duke mos pasur synim pasqyrimin e artit në shërbim të artit, veprimtaria lidhet ngushtë me gjithfarë problematikash që prekin shoqërinë. Kuratori Ilir Kaso është përpjekur të pasqyrojë përmes bashkëpunimesh të shumta të artistëve-pedagogë mënyrën se si njeriu shkërmoq natyrën në emër të zhvillimit (betonizimi masiv); mundësinë e të gjendurit brenda një flluske filtrimi dijesimi (informimi), duke thelluar e forcuar bindjet vetjake, të cilat mund të shndërrohen në të skajshme nga lajmi i filtruar në një shoqëri të ndarë (besimi i humbur në institucionet drejtuese); bashkëjetesën e identiteteve të ndryshme fetare si një sfidë e vazhdueshme; rolin e mbarë pjesëtarëve natyrorë në mbarëvajtjen ose shkatërrimin me ritme të shpejta të saj (natyrës).

Pjesë e përzgjedhjes është edhe pasqyrimi hiperrealist i copëzave jetësore, duke vënë në dukje, pavarësisht ngjyrimit të gëzueshëm, varfërimin shoqëror përgjithësisht. Ilustrime nga prirja jonë konsumiste janë po ashtu në vëmendje të kuratorit. Njeriu, në të dyja gjinitë e tij, vjen në ekspozitë drejtpërdrejt dhe tërthorazi, si krijesë dhe krijues, ndërtues dhe shkatërrues i shumëçkaje, zot dhe skllav i vetvetes.

* Ilir Kaso ka lindur në vitin 1982 në Përmet. Ai u diplomua në vitin 2005 nga Akademia e Arteve në Tiranë. Ai është autor i katër ekspozitave personale: “Reality Dreamers “, galeria FAB, Tiranë, Shqipëri, 2012. “Oxymoron”, galeria Lokal-int, Biel-Bienne, Zvicër 2012. “Unë jam lumi”, Athinë, Greqi dhe galeria “Miza”, Tiranë, Shqipëri, 2013. Kaso ka fituar çmime për eksperimentimin në stilin grafik, “Balkanima” 2005, çmimin “AMC” si artisti më i mirë shqiptar bashkëkohor 2007, çmimi i audiencës “TIFF” 2009, çmimin për imazhin më të mirë në “Anifest ROZAFA” 2010, çmimin “Festivali i Filmit Shqiptar” 2012, çmimi i audiencës në “DocuTIFF” 2015. Ai jeton në Tiranë dhe punon si pedagog në Universitetin e Arteve të Tiranës.