“Pozicione të Rishkruara” emërtohet ekspozita vetjake e artistes norvegjeze Ann Iren Buan në Bazament Art Space, kuruar nga Curate It Yourself, hapur prej 2 nëntorit deri më 10 dhjetor 2018. Veprat e artistes Ann Iren Buan përveçohen nga ndryshueshmëria që ajo u shkakton objekteve – objekte arkitektonike dhe dekorative të cilat shërbejnë si pikënisje të zhvillimit të punës të saj – duke vënë në pikëpyetje traditën artistike.

...

Ann Iren Buan kryen vizatime pastel në letër, çka përbën edhe thelbin e krijimeve të saj. Letra i nënshtrohet një ndryshimi të lëndëve, ngjyrave dhe marrëdhënieve me hapësirën ekspozuese. Brishtësia fizike e këtyre punëve flet ndoshta për peshën e kohës dhe kohët nëpër të cilat lëviz ndryshimi, duke lënë gjurmë pashmangshmërisht, por edhe pasoja gjithashtu.

Objektet paraqiten herë në shtrirje diagonale dhe duke zaptuar hapësirën, në pamje të parë në mënyrë të parregullt dhe të rastësishme, prej skajit në skaj; herë pezull, herë me bazë të ndryshueshme; ato vijnë si një tërësi objektesh ndërtimi me pamje të brishtë, të pasigurt, po aq të pasigurt sa ngjyra në zbehje e sipër e krijimeve; objekte që të ndërmendin hapësira ndërtimi përbërë prej rrjetash dhe tuba metali, zinxhirë, allçi, letër dhe bojë, ku ndërthuren simetria me asimetrinë, duke thyer idenë e njëtrajtshmërisë.

Secila syresh vjen si një e vetme ose si një përbashkësi drejtëzash e lakimesh në ndërveprim me hapësirën; me të njëjtat tipare, porse me qenësi të ndryshme; ku drejtpeshimi sigurohet në një formë ose në një tjetër; ku objektet shkaktojnë njëfarë pengese, ashtu si edhe mund të ngelen, krejt pa dashur, jashtë vëmendjes së shikuesit. Ekspozita i përngjan një shndërrimi pamor të një bisede të gjatë me veten ku mbivendosja e mendimeve, shtytja e tyre është kaq e pranishme. Në hyrje, apo në mbyllje, të ekspozitës qëndron trasta e cila përmban copëza të çrregullta e të ngurta, një formë përkujtimi e legjendës së grushtit të dheut të cilin çdokush e merr, në rast largimi.

* Ann Iren Buan ka lindur në vitin 1984, në Stjørdal, Norvegji. Jeton dhe punon në Oslo. Ajo ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Akademinë Kombëtare të Arteve në Oslo. Falë sistemit të shkëmbimeve studentore brenda këtij institucioni, artistja është bërë pjesë e studimeve të përkohshme edhe në Akademinë e Kinës për Artin, në Hangzhou, si dhe në Institutin Mbretëror të Artit, Stokholm, Suedi. Ajo ka kryer një sërë ekspozitash personale që prej vitit 2008, kryesisht në Norvegji, por edhe në Suedi, Itali e Shqipëri. Ekspozitat e përbashkëta në të cilat ajo ka marrë pjesë janë zhvilluar në Barcelonë (Spanjë), Vienë (Austri), Stokholm (Suedi), Londër (Angli), Oslo (Norvegji), Berlin (Gjermani), Hangzhou (Kinë), Tuluzë (Toulouse / Francë), Kopenhagen (Danimarkë), Torino, Milano, Bresha (Brescia / Itali), San Francisko (SHBA), Moskë (Rusi). Që prej vitit 2010 artistja Ann Iren Buan është fituese e një sërë bursash dhe çmimesh në vendin e saj të origjinës.

Curate It Yourself është një bashkësi kuratoriale me bazë në Paris, drejtuar nga Claudia Buizza (Klaudia Buica), Pietro Della Giustina (Pjetro Dela Xhustina) dhe Jacques Heinrich Toussaint (Zhak Hajnërih Tuse). CIY ka për qëllim të mbështesë artistët në zhvillim përmes kryerjes së një programi artistik dhe krijimit të një koleksioni. Nxitja e shkëmbimit ndërkulturor, qarkullimi i krijimit artistik ndërkombëtar dhe bisedat me artistët janë në thelbin e metodologjisë së tij të punës.