Galeria Zeta hap në periudhën 15 – 28 nëntor ekspozitën vetjake “Shfaqjet” të piktorit Idlir Koka (1979), kuruar nga Alban Hajdinaj. Ekspozita përmban punë nga ciklet e fundit të autorit (2016-2018), të cilat paraqesin anët e përthithjes dhe zbavitjes prej shfaqjes, duke vënë në qendër të tablove kryesisht shikuesit (ndjekësit) e shfaqjeve.

...

Përmes pamjeve autori vë në dukje forcën që e përveçon shfaqjen në ditët e sotme kundrejt marrësit të saj, shikuesit. Skena, plateja, si dhe ndërveprimet njerëzore dhe artistike (e më gjerë) të të dyja anëve; kjo është ajo çka përzgjedh autori të shpërfaqë në pëlhurë. Ndërveprimi midis protagonistit dhe masës përballë tij është një nga çastet ngacmuese për autorin; ku pikasja e atij që të ndjek, shërben si një bërthamë e cila zë e rrit valën përhapëse rreth e rrotull, duke shpërndarë ndikimin e vet ngjitës.

Për autorin nuk është fort i rëndësishëm përvijëzimi qartas i tipareve. Njeriu i artistit Koka shpesh vjen i hijezuar, në të tjera raste zë vend edhe përçudnimi si rrjedhojë e kotësisë veshur me shkëlqim, e rrënimit moral, ku heronjtë (interpretuesit) dhe viktimat (spektatorët) mbartin ngjyrat e botës së nëndheshme. Ndihen emocionet e një feste nëntoke, ku bie në sy nënshtrimi i spektatorëve ndaj pushtetit të shfaqjes; emocionet e një argëtimi të errët, një argëtimi ku etja për qendrën e vëmendjes është e lartë, pavarësisht mundësive.

Në tablo të caktuara na përcillet përshtypja e pasqyrimit (pa adhurim) e asaj që mund të quhet shoqëri e lartë. Por, pse vëmendja e autorit ikën nga skena për t’u zhvendosur te salla? Çfarë zhvillohet aty? Në të vërtetë, salla (spektatorët) nuk është veçse njësia ku bashkohen shkaku dhe pasoja e shfaqjeve.

Ajo çka vihet re në ekspozitë është kundërshtia midis trajtimit të thelbit dhe vetë thelbit: Autori zgjedh ta japë shoqërinë në një çast shijimi shfaqjeje; porse gjithçka në tablo i përngjet një shfaqjeje të zezë; vizitori (shikuesi) i ekspozitës është duke parë tërësinë e dramës së shoqërisë në të cilën është i përfshirë edhe vetë. Ajo që nuk dimë me saktësi është se sa i vetëdijshëm është shikuesi (spektatori) brenda tablove për dramën që po përjeton. Huazimet e britmave “Munch”-iane na e japin një përgjigje sidoqoftë. Shfaqjet, sipas ekspozitës emërtuar “Shfaqjet”, kanë forcë të atillë ndikuese, të cilat mund ta topitin nervin, ta fashitin forcën. Pavarësisht ngjyrimit, pikturat i përngjasin një negativi.

* Idlir Koka ka lindur në Tiranë më 1979 dhe jeton e punon në Tiranë, Shqipëri. Puna e tij heton marrëdhënien midis shfaqjes dhe ndjekësve të saj, duke e përshtatur atë si një regjim bashkëkohor dhe një ideologji të re të konformitetit. Ai e trajton kultin e shfaqjes si ndërmjetësuesin e parë të asaj se si ne i perceptojmë dukuritë e jetës bashkëkohore, ku shfaqja dhe audienca shpesh bashkohen në një duke na dhënë pamje imagjinare. Publiku është shfaqja dhe anasjelltas. Shikuesit bëhen shfaqje, shpesh hipnotike dhe vartëse ndaj një marrëdhënieje/riprodhimi të ri.