Gazmend Leka rivjen në galerinë FAB në Tiranë me ekspozitën personale “Lutja” gjatë tetorit (4 – 31) 2018. Ekspozita është në vetvete një ritual kushtuar forcave jashtë dhe brenda qenies njerëzore. Në këtë rrugëtim artisti është herë objekt, herë subjekt; vëzhgues dhe i vëzhguar. Gjithsesi, në të dyja rrethanat është po ai që qëndron sa në kënd, sa në qendër, duke vëzhguar botën e vet në mënyrë analitike.

...

Më shumë se një botë e errët, është një botë e largët ajo e tablove të Gazmend Lekës: e tashmja si gërshetim i së hershmes dhe së ardhshmes. Më saktë, një prekje tejkohësie. Duke parë thellë në kohë; në përpjekje për të kuptuar vetveten, veprën dhe ecurinë e krijimit: si ngjizet, si merr formë, si të rrëmben; në vetmi të plotë, mes udhëkryqesh e dyshimesh, qëndron autori.

Mjetet e punës dhe këpucët janë imtësitë që parapëlqen ai të veçojë. Të parat si shenjim i larmisë, të dytat ndoshta si shenjë e qëndrueshmërisë në kaosin e botës së vogël, që shndërrohet në djep të krijimit artistik. Çdo përjetim i kësaj ekspozite lind dhe lidhet me atelienë e tij. Ajo është pikënisja e rrugëtimit artistik: studioja është qelia e murgut, është këndi i rrëfimit, është vendi i vuajtjes dhe shpërblimit. Si një asket a eremit Gazmend Leka kërkon t’i largohet pështjellimit tokësor për të përftuar lartësimin.

Nuk është e çuditshme atëherë se pse përfshihemi në një këndvështrim metafizik. Sendet në studio shfaqen pa peshë rëndese. Gjithë hapësira përngjet magjike dhe fije të padukshme vënë në lëvizje gjithçka. Dikur, studioja shndërrohet edhe në sarkofagun e krijuesit. Shërbyesit e tij mbrojtës, shoqërues në të përtejmen, janë mjetet e tij. Në tablo të tilla piktori e humbet përvujtninë dhe shndërrohet në “Zot”. Artisti nuk sheh rrugë tjetër drejt ndriçimit, përveç flijimit të vullnetshëm. Pas hapit të pastrimit trupor, tablo në të cilën autori shfaq një lloj kënaqësie për hapin e mëpastajmë, atë të “vetëkryqëzimit”, një sërë tablosh paraqesin aktin e fundmë, aktin ku stërmundimit ia lë vendin prehja.

Lutja është nënshtrimi dhe mirënjohja ndaj forcës së epërme; është rrëgjimi dhe përulja para veprës së vet; është shtegu drejt “Fjetjes së madhe” (titull tabloje), çka nuk nënkupton tjetër pos “zgjimit të madh”. Flakët nuk mungojnë. Ato vijnë përmes ngjyrës së përdorur në sfond apo nënkresë, kurse portreti kalon nga vuajtja tokësore në qetësinë e përjetshme. Pjerrësimi i qepallave dhe lëngata në gojë e buzë në një tablo apo përmbysja përtokë mbi shtrojën/qefin në gjysmerrësirë, pasqyrojnë gjendjen e autorit përgjatë hapave krijues.

Autori shfaq prirjen në ekspozitë për t’iu larguar marrëdhënieve ndërpersonale, ndërinstitucionale. Koha për të cilën merr përsipër “të flasë” ai, është koha para dhe pas krijimit. Artisti e ka pranuar këtë marrëveshje dhe ka nënshkruar me penel në këmbim të vuajtjes. Artisti me “kokëfortësi” pranon nënshkrimin, por jo nënshtrimin; pranon vuajtjen në këmbim të përmbushjes së pasionit. Ekspozita ka prirje autobiografike dhe shembëllen si një formë dëbimi ndaj frikave jetësore, krejt të natyrshme për natyrën njerëzore. E tillë është ndjesia ndaj vdekjes, kundrejt së cilës artisti ushqen edhe respekt, diku-diku dhe pak qesëndi për gjithë këtë frikë të pakuptimtë ndaj së panjohurës.

* Gazmend Leka ka lindur më 11 tetor 1953 në Tiranë. Në vitin 1978 kryen studimet në Akademinë e Arteve dhe një vit më vonë fillon punë si bashkëpunëtor në dizenjimin dhe realizimin e pjesës së brendshme të muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë, punë të cilën e mbaron në vitin 1982. Për një periudhë 10-vjeçare, 1981-1991, bëhet udhëheqës artistik i filmave vizatimorë në kinostudion “Shqipëria e Re” duke punuar si regjisor i tyre. Në vitin 1991 nis punë si pedagog në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen 37 vepra të tijat në pikturë dhe grafikë. Mbi 400 vepra të tjera janë shpërndarë në koleksione private në Shqipëri, Amerikë, Francë, Zvicër, Itali, Turqi, Rusi, Gjermani, Holandë, Spanjë, Kanada dhe Japoni.