“Myrtis: ballë për ballë me të shkuarën”, ekspozita e veçantë që vjen për herë të parë në Shqipëri nga muzetë e Greqisë në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog), qëndron hapur që prej 14 shtatorit deri më 6 tetor 2018. Kjo ekspozitë është mundësuar edhe falë bashkëpunimit mes Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Ambasadës së Greqisë në Shqipëri.

...

Ekspozita është në vetvete bashkëpunim midis historisë, arkeologjisë, mjekësisë, teknologjisë dhe artit. Për rrjedhojë, përfshin një shumëllojshmëri objektesh arkeologjike e teknologjike, piktura, skulptura, fotografi, vizatime, instalacione dhe dallohet për karakterin shëtitës, duke përshkuar shumë vende në botë, nisur nga vendi i origjinës, Greqia.

Çdo dëshmi shkencore apo çdo prodhim artistik si rrjedhojë, lidhet me jetën e shkurtër të një vajze 11-vjeçare, e cila jetoi gjatë epokës së artë të Perikliut dhe u nda nga jeta në mënyrë tragjike, për shkak të epidemisë së tifos që pllakosi Athinën e lashtë 2 500 vjet më parë. Arsyeja që Myrtis-i rivjen në një mënyrë apo një tjetër është se edhe 2 500 vjet më pas, mijëra jetë njerëzish humbasin pikërisht nga ethet tifoide.

Qëllimi i ekspozitës është paraqitja e të gjitha hapave që nga gërmimi arkeologjik te studimi i materialit skeletor, duke arritur te rikrijimi i fytyrës së një prej viktimave të murtajës së Athinës.

Vogëlushja Myrtis është një vajzë e veçantë edhe për Kombet e Bashkuara. E vlerësuar në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit si “Mike e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit”, është “ringjallur” sot për t’u bërë një zë i fuqishëm në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, veçanërisht në çështje që kanë të bëjnë me parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për uljen e vdekshmërisë te fëmijët, çdo vit, miliona fëmijë humbasin jetën përpara se të arrijnë moshën 5-vjeçare.

Në ekspozitë, përmes pikturës, skulpturës dhe gdhendjes në dru jepen pasqyrime reale dhe abstrakte për simbolin Myrtis në formë mbështetjeje nga artistë grekë dhe të huaj.

Në veprat artistike të ekspozitës spikat ideja për ta shenjtëruar figurën e vogëlushes nga piktori autodidakt Giannis Mytrakas (“Nëna perëndeshë, nëna e vdekshme”); piktorja Vasiliki Sari, nga ana e saj, e pasqyron Myrtis-in përmes një skulpture në kanavacë falë përzierjes së teknikave (“Iketides”); Vasilis Apostolou e paraqit Myrtis-in në formën që nuk mundi kurrë ta marrë, në formën e një gruaje (“Pa titull”); Paskalis Agelidis është një tjetër artist i cili përmes pikturës me titull “Kujtimi” kërkon të shohë shpresën.

Myrtis-i është simbolizimi që lëshon thirrjen ardhur prej lashtësisë duke mbartur në vetvete kritikën ndaj bashkëkohësve lidhur me mosparandalimin dhe mostrajtimin e atyre sëmundjeve që jo domosdoshmërisht janë vdekjeprurëse.

Koordinuesi i përgjithshëm i ekspozitës është Manolis I. Papagrigorakis, kurse kurimi i saj është mundësuar nga Haralampos Haitas.