Ekspozita personale e artistes austriake Veronika Eberhart paraqitet nga Bazament Art Space në datat 05 – 28 shtator 2018.

...

Katër janë ndalesat në brendësi të ekspozitës dhe kryeqendra është pikërisht materiali filmik emërtuar “9 është 1 dhe 10 është asgjë”.

Nga pikëpamja përmbajtësore krijimi ndërthur në vetvete problematika që kanë lidhje me dukuri të ndryshme (sociale, politike, ekonomike) dhe që nga pikëpamja artistike trajtohen në një mënyrë krejt të veçantë. Ai është një përmbledhje e ideve të filozofes italo-amerikane Silvia Federici në librin “Kalibani dhe shtriga”. Një mjedis i braktisur punishteje druri ku vizitorë me kostumografi të çuditshme për vendin përkatës ndërveprojnë me njëri-tjetrin, por edhe me mjedisin, duke përcjellë kumte të caktuara përmes bashkëveprimit midis tyre, nëpërmjet hapash koreografikë, me anë performancash trupore po ashtu.

Tingulli në video është tipar i cili bashkëvepron me planet; ato ndryshojnë sipas ritmit të tij.

Performancat ndërmjet grupimeve performuese e vënë njeriun përballë dhe përbri tjetrit, pra, në marrëdhënie dhe për pasojë në qëndrime të ndryshme.

Natyra, njeriu dhe ajo çka njeriu përpiqet të ndërtojë brenda natyrës janë pika nëpër të cilat lëviz filmimi. Planet kalojnë duke pasqyruar qiellin, tokën e sërish qiellin. Lëvizin sërish duke shkuar jashtë dhe brenda mjedisit të ndërtuar. Krijohet përshtypja se elementët e pranishëm njerëzorë (shtrigat) vijnë nga një botë e largët, ashtu si zhurmat e punës brenda në punishte teksa nuk punohet aspak.

Tri punimet e tjera u përkasin teknikave të ndryshme: një skulpturë abstrakte hapësinore me ngjyrat bazë të filmit; një trekëndor i trefishtë në numër dhe ngjyrim; si edhe një tërësi prej 7 formësimesh shndërruese të një vizatimi të artistit Hans Baldung Grien. Në të shtata sipërfaqet e letrës, vizatimi i Hansit vjen copëtuar në trekëndorë, përherë çrregulltazi, herë pas here turbull.

* Veronika Eberhart është artiste pamore dhe muzikante në Vjenë (Austri). Ajo ka ndjekur studimet mbi Sociologjinë dhe Studimet Gjinore në Universitetin e Vjenës dhe të Kopenhagenit, si dhe Artet Pamore në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë me synim artin e performancës. Veronika Eberhart është nderuar me çmimin “Theodor Korner për Art” (2018) dhe ka marrë bursë për “Visual Arts O1-Austrian Talent” (2016).