Back to Exhibition
Exhibition
Projects
Public art
article image
Galeria FAB | Tiranë
11th March 2019

30 YEARS OLD | EUGENIO TIBALDI | A. Boriçi, A. Naçi, B. Frrokaj, B. Hafesllari, E. Pipero, E. Vela, G. Manuka, M. Mecaj, T. Kurti/IIC, UA, Harabel Contemporary

Ekspozita “30YEARSOLD”, ideuar nga artisti italian Eugenio Tibaldi, hapet më 11 mars 2019, në orën 18:00, në galerinë FAB, Tiranë dhe do të qëndrojë e hapur deri më 25 mars 2019. Projekti vjen si rrjedhojë e historisë 30-vjeçare të Shqipërisë (1989 – 2019) dhe merr jetë nga bashkëpunimi me disa artistë të rinj shqiptarë.

I gjithë projekti nis me një thirrje të hapur për artistë nga të gjitha fushat e artit. Përzgjedhja e artistëve pjesëmarrës u bë prej vetë artistit, i cili ndau me ta përvojën e tij profesionale, duke i dhënë rëndësi ecurisë së krijimit të një veprimtarie përbashkuese, për të arritur në përfundimin e rëndësishëm: bashkëveprimin mes artistëve dhe institucioneve, për ta kthyer hapësirën publike në një vend ku secili nga ne mund të krijojë përshtypjen e vet kritike për këto vite ndryshimi.

Ekspozita vjen kryesisht si rrjedhojë e përballjes dhe “dialogut” midis Eugenio Tibaldi-t dhe hapësirës publike në Tiranë, duke u ballafaquar me ndryshimet dhe shndërrimet e qytetit të Tiranës para dhe pas viteve ’90. Veprimtaria nisi me endjen nëpër hapësira të caktuara të qytetit – aty ku rrugicat e vogla dhe shtëpitë me qerpiç, tashmë gati-gati të harruara, janë zëvendësuar me ndërtesa shumëkatëshe – në kërkim të gjurmëve estetike që janë në gjendje të tregojnë ndryshimin dhe zhvillimin e tij në kohë. Krahasimi i ngjarjeve dhe gjetjeve të formave që qyteti ka krijuar, ishin frymëzimi për krijimin e veprave të secilit prej artistëve pjesëmarrës. Skicat, pamjet, videot, idetë krijuese po shndërroheshin ngadalë nga punë vetjake në tërësinë e një krijimi që do të përfaqësonte qytetin e Tiranës.

Kjo përvojë vlen jo vetëm për bashkëpunimin disamujor, por edhe për mënyrën se si ajo përmbyllet. Veprimtaria dallohet më së shumti për tiparin edukativ të saj: drejtimin e një grupi artistësh të rinj në të gjithë hapat, që prej vëzhgimit të hapësirës publike, përftimit të ideve krijuese deri në përmbyllje të një ekspozite të përbashkët. Lëvrimi i fushës artistike në këtë mënyrë bashkëvepruese, synon ta bëjë artin bashkëkohor të dukshëm dhe të rëndësishëm për t’u ndarë me shoqërinë dhe hapësirën publike.

Projekti u ideua nga artisti Eugenio Tibaldi dhe u mundësua nga Harabel Contemporary Art në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Universitetin e Arteve.

Rreth artistit

Eugenio Tibaldi, artist i tërhequr përherë nga ngjarjet në zonat dytësore. I lindur në Alba CN, në vitin 2000 zhvendoset në zonën e thellë napoletane ku fillon një punë hulumtuese mbi lëvizjen informale, si dhe skicon një hartë të informalitetit. Në këto vite ka punuar rreth qyteteve të: Stambollit, Kajros, Romës, Selanikut, Berlinit, Veronës, Bukureshtit, Torinos, Karakasit dhe Brukselit.

Ndër ekspozitat e tij përmenden: “Fondazione Sandretto Re Rebaudengo”, Torino (2007); “Manifesta 7”, Bolzano (2008); “International Centre of Contemporary Art”, Bucarest (Bukuresht) (2009); “Museo Madre”, Napoli (2010); “Thessaloníki Biennale of Contemporary Art” (2013); “XII Biennale de L’Avana” (2015); “Museo Ettore Fico”, Torino (2016); “Sala TAC/La Caja”, Caracas (Karakas) (2017); “Museum MCDA Manila” (2017); “IIC” New York (Nju-Jork) (2017).  Ka ndjekur: CSAV, fondacionin “Antonio Ratti”ComoDomus Academy ad Istanbul dhe ka qenë “Affiliate Fellow” pranë “American Academy” në Romë. Veprat e tij janë paraqitur në institucione publike dhe private në Itali dhe jashtë saj.

search cross