Qendra për Hapje dhe Dialog çel ekspozitën e parë për këtë vit me titull “Në kërkim të artit” të artistit Helidon Gjergji, kuruar nga Santa Nastro. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë periudhës 27 janar deri me 5 mars 2022.
Ekspozita Në kërkim të artit pasqyron krijimtarinë e Helidon Gjergjit, e cila përqendrohet tek perceptimi dhe marrëdhënia me imazhet, ku në këtë rast individi përballet me një transformim dhe skematizëm të imazheve kërkimore në internet. Artisti bën një kërkim të mëtejshëm të bazuar në konceptin e zhvillimit të sotëm në shoqëri, në mënyrën se si ne e kuptojmë dhe e ndërtojmë mendimin në këtë përfshirje masive.
Veprat e Gjergjit të ekspozuara në sallën “Tako Artistin” të hapësirës së COD përqendrohen pikërisht tek ky fenomen i gjerë dhe i prekshëm në realitetin e tanishëm.
“Cila është fotografia më e pëlqyer e të gjitha kohërave” është një krijim i realizuar në teknikë të përzier; print digjital në letër fotografike me përmasa që mbulojnë sipërfaqen e dy prej mureve të hapësirës. Ndër to ekspozohen imazhe që gjenden në kuptime të reja duke u larguar prej funksionit të vërtetë që ato mbartin dhe duke u transformuar kështu në një numër të madh klikimesh.
“Si të bëjmë një pikturë” është një seri prej gjashtë pikturash të realizuara në teknikë të përzier, të cilat shfaqin imazhe nëpërmjet lupës së kërkimit digjital. Përgjigjet e dhëna në mënyrë të menjëhershme pasqyrojnë një kuptim të largët prej historisë së artit, duke u përafruar më tepër tek ikonat e thjeshtëzuara të kulturës pop.
Pjesë e kësaj ekspozite janë bërë dhe pesë artistë të vegjël, ku krijimtaria e tyre përqendrohet tek vizatimi i lirë i një maceje, duke i vënë kështu ata në një përballje me realitetin si qenie më pak të ndikuara nga strukturat strikte të krijimtarisë që gjenden në internet. “Si të bëjmë një vizatim” është një murale me ngjyra akrilik dhe laps ku secili prej fëmijëve vizaton në hapësirën e tij një mace, ndërkohë që në mur janë paraqitur skemat e gatshme të vizatimit të kafshës, pa liri imagjinate.
*Helidon Gjergji (Tiranë, 1970) është një artist bashkëkohor, i cili merret me mediume të ndryshme artistike. Ka kryer studimet në Akademinë e Arteve, Tiranë, më pas është shpërngulur në Itali ku ka studiuar artet vizuale dhe është diplomuar pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Napoli. Aktualisht jeton në Nju Jork dhe ligjëron në Kolegjin SUNY Old Westbury. Helidon Gjergji ka paraqitur punimet e tij në: Bienalen e Venecias (52); Manifesta 8 (Murcia, Spanjë); Bienalen e Tiranës (1 dhe 4); Festivalin e Ideve 1 – New Museum (Nju-Jork / NYC); Bienalen e Arkitekturës në Venecia (12); Bienalen e Projektit 3 (Konjic, Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe në shumë shtete të tjera si Greqi, Hungari, Kosovë, Maqedoni, Francë, SHBA, Spanjë dhe Rumani. Puna e tij është shqyrtuar dhe paraqitur në Artforum, Art në Amerikë, në revistat: Mousse; Sculpture; Contemporary; Flash Art; Domus etj. Helidon Gjergji ka mbajtur leksione rreth punës së tij në Universitetin e Harvardit; në Teachers College – Universiteti i Kolumbias; në shkollën e Dizajnit Parsons dhe në shkollën e Institutit të Artit në Çikago.