Galeria “Zeta” hapi më 30 qershor ekspozitën “Heterotopitë e rezistencës”, kuruar nga Blerta Hoçia. Ekspozita, e cila do të qëndrojë hapur deri në gusht 2020, paraqet veprat (video dhe instalacione) e 7 artistëve (nga 4 vende të rajonit), vepra të cilat janë rrjedhojë e kërkimit artistik gjatë programit të qëndrimit (rezidencës) “Rezistenca”, që u zhvillua në Tiranë, organizuar nga Qendra “Zeta” dhe mbështetur nga Fondi Zviceran i Kulturës në Shqipëri (SCFA), një projekt ky i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Artistët pjesëmarrës dhe veprat përkatëse janë: Lori Lako (AL), “Everything was forever until it was no more” (“Gjithçka ishte përgjithmonë derisa nuk ishte më”), (video); Edona Kryeziu (KS), “Windows without exit” (“Dritaret pa dalje”), (video); Fatlum Doçi (AL), “Future city” (“Qyteti i ardhshëm”), (instalacion); Natasha Nedelkova (MV), “Identity Tissues” (“Indet e identitetit”), (video); Nikolche Slavevski (MV), “Compositions in G major” (“Kompozim në sol maxhor”), (dy video); Nina Galiç (RS), “Together alone” (“Së bashku vetëm), (instalacion); Darko Vukiç (RS), “Where is the context” (“Ku është konteksti?”), (instalacion);
Heterotopia – si krijim i hapësirave të reja, të përkryera, për të zëvendësuar hapësirat e vjetra, të zotëruara tashmë nga rregulla të reja, shpesh të papranueshme – lind si domosdoshmëri. Hapësira e sotme mbizotëruese e kësaj natyre është pikërisht hapësira e internetit, e cila përmban dhe pasqyron qëndrimin më të fortë përballës e kundërshtues ndaj shtypjes së re, qëndrim i nxitur nga shumë tregues e kryesisht nga pandemia “Kovid-19”. Kërkimi i artistëve përkoi pikërisht me pandeminë “Kovid-19”, kohë e cila natyrshëm u përshkua përgjithësisht nga pasiguria dhe ankthi. Ndjesia e mbikëqyrjes, pas ndalimit të veprimtarisë mbarëshoqërore, shkaktoi mpirje, ndalim të mendimit, çka shumë shpejt ia la vendin vetëmbrojtjes, si kundërvënie ndaj mohimit të të drejtave njerëzore, paçka se këto mohime erdhën/vijnë në emër të mbrojtjes së jetës njerëzore. Punët e të gjithë artistëve janë në vetvete një lloj qëndrese ndaj kohës dhe ndaj rrethanave; një lloj akti ndërgjegjësues për shoqërinë.
Kështu, te Lori Lako tërheq vëmendjen dokumentimi i kohëpaskohshëm i rrugicave të heshtura në vendin e saj të lindjes, vëzhguar si prej një kulle vrojtimi. Në këtë ditar pamjesh të një kohe kufizuese, ndjesia e vetme e lirisë pasqyrohet në personazhin e endacakut. Artistja Kryeziu zgjedh tabelat e reklamave si kryefjalë të punës së vet. Ato janë “dritaret” e vendosura midis Pallatit të Sportit dhe monumentit “Newborn”, dritare të cilat nuk çojnë askund, por qëndrojnë midis si shenjë qëndrese dhe lyhen me të bardhë si shenjë rifillimi. Ndërsa Fatlum Doçi sjell skulptura prej balte në përmasa shumë të vogla të cilat krijojnë përshtypjen e shtëpizave-ishuj në hapësirë; mirëpo, përmes këtyre shtëpizave-qeli (pa dyer), krahas mendimit të kufizimit fizik të qenies njerëzore, përcillet edhe paralajmërimi për humbjen e vetëdijes shpirtërore.
Natasha Nedelkova vjen me një video e cila përçon ndjesinë e një qëndrese të heshtur ku ndërthuren përvoja vetjake dhe ajo e përbashkët. Teksa maskat (hipokrizia) ia lënë vendin njëra-tjetrës, humori dhe cinizmi janë të pranishëm në video si një formë përballjeje. Kurse Slavevski, përmes dy videove të tij, përcjell lajme që shkaktuan hutim dhe më pas pakënaqësi te shoqëria njerëzore, e cila u ndie pashmangshmërisht e mashtruar teksa përballej me pamje të pavërteta që kundërshtonin njëra-tjetrën. Instalacioni i artistes Galiç është pasqyrim i të dhënave rreth protestave të zhvilluara në mbarë botën, duke nisur prej vitit 2001 deri më sot. Të dhënat, në formë numrash dhe simbolesh, shpërfaqin qëndresën e njeriut ndaj pushtetit në çdo hapësirë dhe kohë. Instalacioni i artistit Vukiç është një reflektim ironik mbi shoqërinë, e cila i shkakton vetvetes gjendje të mbyllura e pa rrugëdalje. “Emergent productivity in the time of production emergency”; është kjo shprehja e shtypur në mur, e cila përmbledh formën e tij të qëndresës, në ekspozitë.
Pra, rezistenca – ndryshe: qëndrueshmëria – është një kundërveprim i vetvetishëm njerëzor, shoqëror e në këtë rast edhe artistik, ndaj çdo vendimi qeverisës apo dukurie shoqërore e cila shkon përkundër parimeve të krijuara e të pranuara nga intelekti dhe morali qytetar. Është pikërisht kufizimi i lirisë ajo çka bëri që frika për jetën të shoqërohej edhe nga frika për lirinë dhe kundërveprimi shoqëror, në rrafsh ndërkombëtar kryesisht, vjen edhe si rrjedhojë e shpërfaqjes krejt hapur të fuqisë së pushtetit ndaj shtresave të ndryshme shoqërore.
Si veçanti të kësaj ekspozite në mbrëmjen hapëse të saj mund të përmendim praninë e artistëve, jo në mënyrë fizike, por nëpërmjet lidhjes me internet. Autorët mund të vëzhgonin të pranishmit; kurse këta të fundit mund të vëzhgonin punët e pasqyruara dhe të ndërvepronin me artistët po ashtu.